Erion Dasho: ‘Nuklat’ dhe kuk’llat!
Nga Erion Dasho
Dje zëvendës-Boratja, me pamjen e një kukulle silikoni të kurdisur, deklaroi se qeveria e boratëve paska vendosur të krijojë “nukla inovacioni” në çdo ministri. Sipas saj, “nuklat” do të propozojnë projekte të reja dhe në to do të punësohen specialistë me paga më të larta krahasuar me sektorët e tjerë.
Në radhë të parë, boratët bëjnë mirë të gjejnë një fjalë shqip (p.sh. bërthamë) ose një fjalë të përshtatur tashmë nga gjuhët e tjera (p.sh., qendër). Në rast se ngulin këmbë për të përdorur doemos fjalën latine “nucleus” le të pyesin një gjuhëtar nga ata të ish-Institutit të Albanologjisë se si duhet përshtatur kjo fjalë në gjuhën shqipe. Të njëjtët gjuhëtarë me siguri do t’u mësojnë boratëve edhe fjalën shqipe “risi” për ta përdorur në vend të fjalës “inovacion”.
Ndonëse grotesk, problemi gjuhësor është problemi më i vogël në këtë mesele.
“Zbulimi” që bëjnë boratët pas 10 viteve në pushtet flet se talibanët e rilindjes akoma nuk e kanë kuptuar se çdo ministri ka Drejtori Politikash, Drejtori Strategjish, Drejtori (ose të paktën Njësi) Projektesh, ka institucione të varësisë me drejtim teknik (si p.sh., Instituti i Shëndetit Publik për Ministrinë e Shëndetësisë) të cilët e kanë për detyrë funksionale këtë që sot po u ngarkohet “nuklave”.
Një qeveri serioze nuk sajon “nukla”, por bashkëpunon me institucionet kërkimore vendase dhe të huaja, me universitetet, me njësitë e kërkim-zhvillimit të kompanive private, etj.
Qeveritë që i marrin seriozisht risitë ndajnë përqindje të buxhetit për të financuar kërkimin dhe zhvillimin, hyjnë në bashkëpunim me rrjete ndërkombëtare kërkimore, u japin pavarësi universiteteve dhe këto të fundit kthehen në motorin e zbulimit dhe zbatimit të risive, etj.
Qeveritë serioze nxisin punësimin e kërkuesve dhe shkencëtarëve, nuk i denigrojnë ata, përkundrazi mbështetin karrierën dhe zhvillimin e tyre profesional. Këto qeveri krijojnë piramida vlerash ku në krye dalin sjellësit e risive dhe jo hajdutët e banditët.
Për ironi të fatit, kur zëvendës-Boratja fliste për “nuklat”, boratja e Spitalit të Traumës pushonte nga puna një prej mjekëve të paktë që realisht kanë krijuar dhe sjellë risi në sistemin shëndetësor shqiptar.
***
E vërteta është se “nuklat” e Boratit jo vetëm që nuk kanë për të prodhuar ndonjëherë “inovacion” dhe “projekte”, por ato as edhe kanë qenë menduar ndonjëherë si të tilla!
Ministritë e boratëve janë fole paaftësie, parazitizmi, dhe çerdhe militantësh, aktivistësh dhe patronazhistësh. Edhe “nuklat” me pagat e tyre të majme me siguri do të shërbejnë për të punësuar “kukullat” e radhës, në vijim të qokave të premtuara gjatë fushatës elektorale të sapopërfunduar.
Por, mbi të gjitha “nuklat” janë thjesht mufka dhe shashka e radhës, nëpërmjet të cilës boratët përpiqen të tërheqin vëmendjen nga krimet e rënda si hajdutëria, grabitja dhe mashtrimi që u kanë bërë dhe vazhdojnë t’u bëjnë qytetarëve.
Boratë!
Pavarësisht se qeshin e tallen për ca minuta me mufkat e kukullave tuaja (sikundër u tallën me “zbulimin” e naftës nga Borati), shqiptarët nuk i harrojnë miliarda dollarët e grabitur, ministrat tuaj nëpër burgje dhe ish-zëvendës-Boratët në arrati.
Për këto, dita e dhënies së llogarisë është më e afërt se kurrë!
Rruga Press