Epitafi i Gumoplastikës: Parking mbi eshtrat e shpresës
Shkruan Ragmi Mustafi
Sot, teksa më ra ndër sy lajmi për dhënien me qira të “Gumoplastikës” – asetit më të madh ekonomik që ende rri si skelet i pambuluar në trupin e lodhur të komunës së Bujanocit – ndjeva një therje që s’ishte as mall, as inat, por një farë trishtimi që të vjen kur sheh hapsira, objekte e salla të rrënuar, tani kthehen në parking.
Parkim është ajo që i ofrohet Bujanocit pas të gjitha fanfarave të pompozitetit politik dhe premtimeve të stilit “rritjes ekonomike” nga SNS-i dhe vetë Presidenti Vučić. Nga “zonë zhvillimore” në asfalt për kerre të parkuara si në ndonjë periferi të harresës. Asfalt për rrugë që s’çojnë askund.
Në gushtin e vitit të kaluar kam shkruar se “shumë dobët e shumë lirë jeni shit”, mendova se fjalët thumbuese do të kishin efektin e një zileje që zgjon të fjeturit. Por jo, duket se gjumi është i thellë dhe i rehatshëm – është letargji me tapet të kuq dhe recetë politike. Në këtë pushtet “multietnik” – që më shumë i ngjan një filetoje të stërgatuar në një tryezë të improvizuar – mungon vetëm ndonjë shoqatë e peshkatarëve nga Surdulica për ta kompletuar orkestrën e heshtjes.
Në Tërnoc thonë bukur: “në livadhin pa të zot, edhe kali qorr kullot”. E kështu ndodhi: atje ku njëherë e një kohë mendohej për fabrika, sot ndërtohen parkingje; aty ku mendjet e shëndosha ëndërronin zhvillim, tani gdhihen kontratat për qira me vërejtjen se “nuk guxoni të i përfshini shqiptarët”.
Por ky nuk është rasti i parë. Jo!
Hotel “Proleće” ishte alarmi i parë – një pasuri e përbashkët që e lanë të rrënohej, por që s’u lejua të ringjallej nga duart shqiptare. Pastaj erdhi “Jugokop”, fabrika e mishit që e shtruan për therje si në kasaphanë. “DIB”-i, fabrika e duhanit, u mbështoll me tymin i errësirës së biznesit të mafias. E mos të flasim për “Komdiva”-n, ku çokollatat dikur ëmbëlsonin tregun, sot vetëm nostalgjinë. Dhe lista vazhdon me dhjetëra të tjera që falimentohen për dy dekada me vendim nga lart – por jo për të qenë të shitshme, as për të ringjallur ekonominë lokale. Jo! Veç që të mos i prekin shqiptarët.
E pyesni veten pse shqiptarët nuk janë pronarë të industrisë vendase? Sepse politika e këtij shteti nuk i sheh ata si investitorë potencialë, por si gabim historik që ende nuk ka emigruar. Dhe kur një shqiptar do të blejë fabrikë – nuk pyetet për kapitalin e tij, por për kombësinë. Racizëm? Jo. Më keq: normalitet i institucionalizuar.
Presidenti Vučić, në stilin e tij të zakonshëm ku përzihet arroganca me cinizmin paternalist, tha: “Posle Vranje, Bujanovac”. Është si të thuash: edhe kur të vjen në derë, nuk të hyn brenda – sepse shtëpia jote për të është veç një han i përkohshëm i interesit politik.
Sot në Bujanoc gatuhet një përshesh politik në kuzhinat e Vranjës, me kripën që ia hedh Surdulica, dhe me lugën që ia jep Beogradi. Shqiptarëve u mbeten vetëm thërrime asfalti, ca ngjyra muresh dhe ndonjë pozicion për “rrahagjoks me përvojë heshtjeje”.
Rruga Press

