Enver Hoxhaj sfidon Bedri Hamzën për kryetar të PDK-së: Hajde dalim në debat
Kandidati për kryetar të PDK-së Enver Hoxhaj, i ka bërë ftesë të hapur publike për Bedri Hamzës, kandidatit tjetër për kryetar të PDK-së që të përballen në debat televiziv javën e ardhshme.
“Ta kemi një javë të një ballafaqimi publik e politik, këtu në Klan. E ftoj z. Hamza që të dalim dhe debatojmë, javën e ardhshme. Hajde, të vendosim një standard të ri”, ka deklaruar Hoxhaj.
Ai ka theksuar se gara për kryetar të PDK-së nuk guxon të trajtohet si proces i vogël, por duhet të trajtohet si ngjarje e madhe politike që ka rëndësi për gjithë Kosovën, sepse sipas tij, e tillë është.
“Zgjedhja e kryetarit të PDK-së nuk duhet të jetë ngjarje e vogël, duhet të jetë ngjarje e madhe. Është garë e madhe politike në interes të Kosovës”, ka thënë Hoxhaj, duke shtuar se synon që ky proces të zhvillohet në mënyrë demokratike dhe të shënojë mbylljen e një kapitulli dhe hapjen e një tjetri për vendin në vitin 2026.
Ai ka shtuar se një PDK e fortë u shërben edhe të paraburgosurve në Hagë.
“Në pranverë, dua që ata ta shohin një PDK e cila është e fortë”, ka deklaruar Hoxhaj, duke përmendur Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin.
Enver Hoxhaj, të premten në Klan Kosova deklaroi se ai është ‘’i vendosur’’ që të garojë për kryetar të PDK-së, duke shtuar se duhet të prezantohet edhe platforma për të ardhmen e kësaj partie.
Zhvillimet politike dhe kriza në vend, janë arsyet pse Enver Hoxhaj po garon për të parin e PDK-së, duke qenë pjesë e kësaj partie që nga themelimi.
Hoxhaj ka thënë se po të ishte në krye të PDK-së, Kosova nuk do të kishte krizë.
“Po të kisha qenë në krye të PDK-së, bashkë me opozitën, sot do të kishim pasur një Kosovë pa krizë, pa ngërç”, tha Hoxhaj.
Rruga Press

