Bota

Energjia atomike energji e gjelbër?

Gjermania dhe disa shtete të BE kundërshtojnë kategorizimin e energjisë atomike si energji të gjelbër. Por shumica e vendeve të BE e mbështet këtë, mes tyre edhe Franca.

Gjermania dhe katër shtete të tjera e kundërshtuan hapur në Glasgou, ku përfundoi Konferenca Botërore për Klimën, kategorizimin e energjisë atomike si energji të qëndrueshme promjedisore. “Energjia atomike nuk mund të jetë zgjidhja në krizën për klimën”, tha ministrja gjermane e Mjedisit, Svenja Schulze. “Ajo është me mjaft rreziqe, shumë e ngadalshme dhe e shtrenjtë për dekadën vendimtare në luftë kundër ndryshimit të klimës.” Sipas ministres gjermane, me energjitë e rinovueshme kemi një alternativë të mrë. Këtë pozicion e ndajnë edhe vende si Portugalia, Danimarka dhe Austria,

Disa vende duan ta kategorizojnë energjinë atomike si energji të gjelbër

Sfond i këtij debati janë përpjekjet brenda BE për taksonominë, një sistem klasifikimi për investime mbrojtëse ndaj klimës. Me këtë teknologjitë marrin një vlerësim të caktuar si teknologji promjedisore me qëllim që burimet financiare të përdoren më shumë për teknologjinë e gjelbër.

Lexo më shumë  Ndihma norvegjeze për Ukrainën do të arrijë në 2.7 miliardë dollarë në 2025

Por tetë shtete të BE, mes tyre Franca, Polonia, Hungaria, Çekia i kanë bërë thirrje Komisionit Europian jo vetëm të klasifikojë si të gjelbra centralet atomike dhe deponitë e tyre, por edhe centralet e gazit natyror. Për energjinë fosile të gazit natyror, ky kategorizim duhet të vlejë përkohësisht deri në vitin 2030, dhe vetëm për “centralet më efikase”, ka bërë të ditur Ministria e Mjedisit në Francë.

Deklarata e 5 ministrave të Mjedisit

Për të vepruar kundër këtyre planeve, ministrja gjermane e Mjedisit, Schulze dhe ministrat e Austrisë, Luksemburgut, Danimarkës dhe Portugalisë publikuan një deklaratë së fundmi. “Dekada aktuale është vendimtare për rrugën tonë të përbashkët drejt neutralitetit ndaj klimës dhe një sistemi ekonomik, që respekton kufijtë e planetit tonë”, thuhet aty. Prandaj ka shumë rëndësi, që “të kemi një taksonomi të besueshme, të orientuar të BE.” Nënshkruesit përmendin aty mbetjet e energjisë atomike si të rrezikshme për klimën.

Çdo vend ka “të drejtë sovrane” të vendosë për ose kundër energjisë atomike, theksojnë pesë ministrat e Mjedisit. Por futja e kësaj forme të energjisë në taksonominë e BE “do të dëmtonte integritetin, besueshmërinë dhe vlerën” e energjive të tjera të rigjenerueshme. Në një ekspertizë juridike të Ministrisë Federale të Mjedisit në Berlin, thuhet, se kategorizimi i energjisë atomike si energji e “gjelbër” mund të “nxirrej para gjykatave të BE”. Berlini dhe Vjena jo drejtpërdrejt kërcënojnë me padi, nëse Komisioni Europian mbështet Francën dhe vendet që janë pro energjisë atomike.

Lexo më shumë  Ushtarët rusë po vdesin masivisht në Ukrainë

Greenpeace shikon një sinjal të fortë

Drejtuesi i organizatës ambientaliste, Martin Kaiser e përshëndeti aleancën kundër kategorizimit të energjisë atomike si energji të gjelbër. “Aleanca e shteteve si Gjermania, Austria, Luksemburgu e Portugalia dërgon një sinjal të fuqishëm në drejtim të Komisionit Europian dhe i vë kufi ngjyrimit të gjelbër të energjisë atomike.” Sipas komisionerit të BE për financat, Mairead McGuinness vendimi për kategorizimin e energjisë atomike dhe gazit natyror në taksonomi do të merret deri në fund të vitit. Shtetet anëtare kanë pastaj 12 muaj kohë të ngrenë pretendimet e tyre ndryshe taksonomia hyn në fuqi./DW

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *