Art & Kulturë

Ende në funksion, mulliri 250-vjeçar në Radavc të Pejës

YouTube player

Rrjedhja e ujit ishte nga të parat detaje që viheshin re pranë mullirit qindravjeçar në Radavc të Pejës.

Duke vazhduar më pas me arkitekturën e me peizazhin e bukur që ofrohej për ta parë.

Është ky mulliri i cili i ka rezistuar kohës, e punën po e vazhdon ende.

Historiani Qerim Berdynaj, rrëfen me fanatizëm historinë që bart pas vetes ky objekt i cili tashmë njihet edhe si objekt i trashëgimisë kulturore.

Berdynaj thotë se sipas gjurmëve të gjetura, mulliri mund të jetë edhe më shumë se 250 vjet i vjetër.

Mulliri Berdynaj, sipas historianit, është blerë nga po kjo familje në vitin 1925 e ku më pas është vazhduar puna e pandërprerë.

Një e veçantë e mullirit, ishte edhe mikpritja.

78-vjeçari thotë se në rast se bluarja e miellit nuk përfundonte para muzgut, mysafirët mund të kalonin natën aty.

Ndonëse kanë kaluar shumë vjet, kohë pas kohe janë bërë restaurime për funksionimin e pajisjeve për bluarje.

E Berdynaj thotë se falë punës, sot mulliri njihet edhe jashtë trevave kombëtare e edhe interesimi nga të huajt është në rritje.

Mbikëqyrësi, Izet Berdynaj, një pjesë të mirë të kohës, vitin e fundit e ka kaluar në këtë mulli.

Ai rrëfen në detaje ditën dhe peripecitë në të cilat has gjatë bluarjes së miellit.

Berdynaj e përshkruan edhe procesin e bluarjes që nga ardhja e ujit nga burimi e deri te mbushja e thasëve.

Mielli që bluhet në mullirin me rrymë dallon nga ai me ujë.

Sipas mbikëqyrësit, ndonëse ka më shumë përparësi në kohë, kur diskutohet për cilësinë e pastërtinë, mielli i mullirit me ujë nuk ka të krahasuar.

Puna që bën, për Berdynajn nuk është e mundimshme, sepse atë e mban me motiv fakti që është pjesë e traditës, e si objekt i ka rezistuar kohës dhe luftërave, andaj është e udhës të ruhet edhe nga ai dhe familja e tij.

Gjatë kohës që ne ishim mysafirë të Berdynajve, takuam shumë vizitorë të huaj nga Zvicra, Mali i Zi e të trevave të tjera që kishin ardhur për të marrë miell, por edhe për vizitë. E ky fakt e vërteton edhe rëndësinë që bart mulliri si objekt i trashëgimisë kulturore./Koha.net./

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *