“Emergjencë kombëtare”, boshllëku ligjor dhe presioni shoqëror shtyjnë gratë drejt vetëvrasjes
Një 27 – vjeçare raportohet se i dha fund jetës duke u hedhur nga tarraca e katit të katërt të banesës në Kamëz. E reja prej disa ditësh ishte viktimë e qarkullimit online të fotove intime. Policia arrestoi Altin Çokun, i dyshuar si personi që publikoi dhe shpërndau fotot e vajzës. Mbi 39-vjeçarin rëndon akuza për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”, ndërsa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
“Më mirë të vdes dhe jam me nder sesa të pranoj këtë ‘turpin’ që më ka shkaktuar, duke më përdhosur emrin, figurën…“- kështu e analizon Ines Leskaj nga Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri, presionin social që çon drejt veprimit tragjik.
Ajo thekson se gratë duhet të informohen që shtyrja drejt vetëvrasjes dënohet deri në gjashtë vite burg, duke shtuar edhe çështjet e shantazhimit, kërcënimit etj. Leskaj e cilëson si çështje emergjencë dhe sigurie kombëtare, faktin se gratë po shtyhen drejt vetëvrasjes.
“Duhet fushatë ndërgjegjësimi, që gratë të raportojnë dhe jo të vrasin veten“- thekson Leskaj, duke shtuar se duhet të marrë fund gjithashtu edhe retorika që justifikon dhunuesin dhe hedh fajin te viktima.
“E kam unë fajin që dërgova video, e kam unë fajin që u solla keq, e kam unë fajin që tradhtova burrin… duhet të marr fund kjo mendësi“- përfundon Leskaj.
Vetëm një muaj më parë, më 2 janar, u raportua vetëvrasja e 41 – vjeçares Bedrie Loka, për shkak të denigrimit të figurës së saj me video që u shpërndan në platformën e Tik – Tok.
Boshllëku ligjor “aminston” shpërndarjen e paautorizuar të materialeve intime
Shpërndarje e paautorizuar e materialeve vizuale intime – është shpërndarja e imazheve ose videove seksualisht eksplicite të individëve pa pëlqimin e tyre. Materiali mund të jetë bërë nga një partner në një marrëdhënie intime me dijeninë dhe pëlqimin e subjektit në atë kohë, ose mund të jetë bërë pa dijeninë e tyre.
Megi Reçi, hulumtuese e të drejtave të njeriut, tregon për Citizens Channel se Kodi Penal e mbron të drejtën e jetës private nëpërmjet dispozitave të ndryshme. Sipas saj, disa nenee kriminalizojne ndërhyrjen në jetën private të dikujt, përhapjen e sekreteve vetjake dhe cënimin e korrespondencës private.
“Mungojnë parashikimet eksplicite, pasi Kodi nuk parashikon kërcënimin për publikimin e materialeve vizuale intime, ose ’shantazhimin seksual’, apo ’shpërndarjen e paautorizuar të materialeve vizuale intime’’’ – analizon ajo.
Reçi thekson se kjo nuk duhet kategorizuar si pornografi, pasi jo çdo material me përmbajtje intime (i regjistruar me apo pa pëlqim), bëhet për qëllime publikimi dhe fitimi, siç është rasti i pornografisë. Në këto raste, shpesh herë qëllimi është shantazhimi dhe denigrimi.
Ka vende edhe në rajon, si Rumania, Kroacia, të cilat i kanë parashikuar tashmë këto në legjislacionet e tyre penale. Në Itali, shpërndarja e paautorizuar e materialeve vizuale intime, në 2019, është kthyer në një vepër penale, ku autorët përballen me 6 vjet burgim ose gjoba deri në 15,000 euro.
“Shqipëria mund të ndjekë modele të ngjashme dhe mund të jetë në momentin e duhur duke qenë se Kodi Penal është tashmë në proces amendimi“- thekson Reçi.
Ajo shton se nevojitet edhe që autoritetet ligj zbatuese kenë kapacitete dhe vullnet për të kryer hetime për veprat penale që kryhen online.
“Hetimi duhet të nisë që në momentin e shantazhimit ose publikimit pa pëlqim, pa pritur të vijnë pasoja të tjera fatale në jetën reale“- përfundon ajo.
Shkelje e etikës në raportimin e viktimave të dhunës me bazë gjinore
Kolektivi feminist dhe aktivistë të angazhuar denoncuan sot mënyrën sesi kjo ngjarje është prezantuar në media. Aktivistet i dërguan një letër thirrje “Unionit të Gazetarëve”; “Autoriteti të Mediave Audiovizive“, si edhe “Këshillit të Medias“, ku kërkuan të mos bëjnë publik imazhin e viktimës.
“Ndonëse fotoja e viktimës është mbuluar, ne jemi të shqetësuara për dy elementë: “Cenimi i figurës së viktimës duke shkelur etikën në media”; “Ndikimi që ka te familjarët e viktimës“, – citohet në letër.
Elvin Luku, pedagog komunikimi në Universitetin e Tiranës shprehet se mekanizmat vetërregulluese brenda mediave, kane një rol parësor ne filtrimin e informacionit qe duhet te publikohet.
“Ne rastin konkret, etika gazetareske kërkon sfumimin e imazhit për të mos identifikuar viktimën, pasi është me shumë rendësi mbrojtja e dinjitetit të saj dhe familjarëve të saj“ – thekson ai./CitizenChannel
Rruga Press