BallinaLajme

Elvis Naçi, hoxha me emër rokeri që blen spitale dhe shet syze

Kur prindërit e Elvis Naçit,  në vitin 1974, i vunë emrin djalit të tyre të porsalindur, ëndërronin gjithçka për të ardhmen e tij – përveç të qenit hoxhë. Rokeri i madh amerikan Elvis Presley, mbreti i rock-and-rollit  ishte një legjendë e gjallë dhe emri Elvis ishte një trend botëror. E çuditshme sesi ky emër u lejua nga autoritetet e kohës por siç duket një valë liberalizmi kishte mbërritur pas valës së tmerrshme të revolucionit kulturor.

E përmenda këtë moment të jetës së Elvis Naçit pasi bash këtu duket sikur nis pjesa paradoksale e tij, qysh në ditën e emrit dhe pa dijen apo miratimin  e tij. Ai moment duket shënjon të parin mes dhjetëra paradoksesh që gjejmë në jetën e tij të mëvonshme, sidomos pas viteve “90. Hoxhë Elvisi (e kush mund t’i kish vënë kaq pranë e pranë këta emra) është një burrë elokuent, tolerant, demagog ekselent, mallëngjyes i jashtëzakonshëm, yll televiziv, familjar i devotshëm, i preferuari i emisioneve televizive të të gjitha orëve e të gjitha televizioneve. Kur për një moment në opinionin publik u hodh ideja se Hoxhë Elvisi mund të ishte kandidat për Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, shumëkush ishte i bindur që Ky ishte zgjidhja e duhur! Mirëpo menjëherë Hoxhë Elvisi largoi thashethemet: “Unë jam përtej Partive, përtej të majtës dhe të djathtës”!

Po të kërkosh në google me emrin e Elvis Naçit të del website i tij. Një website i kuruar me stil, me grafika moderne e sponsorë kompani karburantesh, orësh apo argjendarësh. Në qendër të faqes, me gërma të mëdha kapitale shkruhet “Postimet e Elvis Naçit bëhen virale në 7 kontinente”. Pra edhe në Antraktidë,  eksploratorët nuk rrinë dot pa fjalën e zotit të shqiptarit me emrin Elvis. Një mungesë modestie për të mos thënë një mendjemadhësi e fodullëk tipik prej gangsteri. Ndoshta e kanë vënë aty pa lejen dhe dijeninë e tij apostujt elvisianë.

Në biografinë 20 minutëshe që prezanton Hoxhën, gjen raste bamirësie ku skamnorë ekstremë e të pashpresë e falenderojnë Hoxhë Elvisin që u solli Zotin ose Zotin që u solli Hoxhë Elvisin. Pashë aty edhe Luka Modriçin (nuk mund të shmangej një yll botëror në prezantimin e Hoxhës tonë) që uronte një vajzë të vogël jetime për shërimin nga kanceri. Pastaj shfaqej familja e bukur e Hoxhës me gruan dhe tre fëmijët e tij, siç i quan klipi “të mrekullueshëm”.

Lexo më shumë  Paralajmërimet e Kurtit për sulme në veri u bazuan në informatat e AKI-së, Kuçi shpjegon faktorët që mund të çojnë në eskalim

Gjithçka ideale. Një yll televiziv dhe idhull mbarëkombëtar, një bamirës i sjellë nga zoti për varfërinë ekstreme të shqiptarëve dhe familjar i devotshëm, shembull morali e besnikërie . Në kohë të lirë ( besoj që mbetet fare pak kohë pasi të përmbushësh këto detyrime) përmbush edhe detyrimet fetare si hoxhë i Xhamisë së Tabakëve. Edhe aty është ndryshe. Unë kurrë nuk e kam pa  Hoxhë Elvisin të mbajë çallmën e bardhë identifikuese mbi krye. Ai kurrë nuk përzihet me elementët ekstremistë të komunitetit mysliman.

Aq i madh ishte reputacioni i Hoxhë Elvisit sa që Kryeministri Rama e mori në krah të tij të djathtë kur ndodhi fatkeqësia e tërmetit. Ato ditë nuk merrej vesh kush ishte i pari, Kryeministri u detyrua të thoshte “Më akuzojnë mua për diktator por këta qenkan më keq se unë”.

Hoxhë Elvisi mori frenat e mbledhjes së fondeve dhe ia bëri të ditur Kryeministrit se nuk ka punë me ato para. Përmendi diku te 6 milionë e ca Euro të mbledhura dhe shpalli synimin për të mbërritur në 10 milionë dhe për tu fokusuar në zonën e Thumanës. Askush nuk pipëtiu. Kujt ia mbante të kundërshtonte…

10 milionë Euro janë shumë. Kryeministri ynë, zakonisht arrogant, u shushat nga arrogance bamirëse e Elvisit.  Në gazeta pati edhe shkrime kundër Hoxhë Elvisit etj, për mungesë transparence në përdorimin e fondeve apo akuza për keqpërdorimin e tyre. Në atë kohë të vështirë e mora mundimin dhe shkrova në mbrojtje të Hoxhës tonë sharmant dhe kundër gazetarëve kundërshtues. Mendova se solidariteti ishte më i rëndësishëm sesa transparenca dhe akuzat. Mirëpo duket e paskam pasë gabim.

Gazetarë të tjerë, ndoshta për arsye të ndryshme nga të miat (nuk përjashtohet mundësia e nxitjes nga “bamirësit” rivalë), shkruajnë vazhdimisht për luksin e madh në të cilin jeton Hoxhë Elvisi 

Për vilat luksoze, lëvizjet me eskortë,  bizneset, dhe toka të pafundme nga Farka deri në bregdet. Për zero transparencën dhe shpenzimet e mëdha në imazh. Hoxhë Elvisi u bë nervoz dikur dhe i kujtoi gazetarit që edhe fondacione të tjera veprojnë njësoj (kjo në fakt mund të jetë shumë e vërtetë). Mirëpo nervozizmi i tij tregon bash të kundërtën, që akuzat e bëra ishin të vërteta.

Në këtë mes, për t’i vënë kapak muhabetit mendon vetë Hoxhë Elvisi. Në një postim në FB, dje, ai njofton hapjen e një biznesi okulistik me emrin pompoz Optika Elitare e Syrit.  Aty ai premton që “nëse biznesi i ecën mbarë, me kismet do ndihmojë një të varfër t’i ndërtojë shtëpinë”….

Biznesi i ri i Elvis Naçit

Përveç këtij dyqani, Hoxhë Elvisi ka blerë edhe një Spital Privat. Edhe ai me emër pompoz “Continental” (jo emra kot hau-hiu).  Blerjen e Spitalit e justifikoi me qëllimin e bërjes së 5000 operacioneve për fëmijët jetimë. Mund të thoshte edhe 50 mijë, 500 mijë, pse jo. Askush nuk do e verifikojë. Mund edhe të mos bëjë asnjë.

Tani u mbush kupa.  Nëse shteti nuk harton një ligj urgjent për mirëadministrimin e parave që vijnë në formë donacionesh mundet që Hoxhë Elvisi, pas ca kohësh do të  blejë një Hotel Hilton apo Sheraton ku do të strehojë edhe 600 jetimë të tjerë. Këtyre pallavrave dhe talljeve publike duhet t’u vijë fundi!

Sfida publike që po i bën Hoxhë Elvisi shtetit, opinionit duhet të marrë një përgjigje ligjore. Ai falenderon publikisht ata që citoj “ndihmuan me lekun e pastër dhe të punës me djersë, na bëri të mundur këtë arritje të madhe”

Të nesërmen e blerjes së Spitalit ndodhi tërmeti i 26 nëntorit. Të tjera ndihma, të tjerë shqipatrë dhanë paratë e tyre për sivëllezërit e tyre të dëmtuar. Mirëpo këtë radhë, në blerjen e radhës ato u harruan.

/Gazetaexpress.com/

YouTube player