KryesoreLajme

Elshani: S’përjashtojmë asnjë incident në veri, Banjska e ka ndryshuar situatën

Sasi e konsiderueshme e armatimit është konfiskuar në pjesën veriore të vendit. Kjo sasi dyshohet se kishte mbetur aty që pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, kanë thënë autoritetet e Kosovës. 

Policia e Kosovës ka thënë se në mesin e pajisjeve të konfiskuara në tri lokacione janë rreth 1,500 municione, 10 armë të gjata, 62 shok-bomba, eksplozivë, radio-lidhje, karikatorë të mbushur e të zbrazët, dhe një uniformë e ushtrisë serbe.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se domosdoshmërisht ky armatim lidhet me ngjarjen në Banjskë, për shkak të zhvillimeve të shumta në Zveçan që nisin nga barrikadat e protestat e majit. 

Ai ka thënë se pas Banjskës situata në veri ka ndryshuar për të mirë dhe sipas tij më atje nuk bëhet ashtu si thotë Serbia. 

Lexo më shumë  Bie numri i atyre që deklarohen si malazezë në Mal të Zi, Filipoviq: Fushata serbe dhe Kisha Ortodokse ndikuan

“Këto pjesë armatimi do të lidhen edhe me raste të tjera edhe të veturës ku e kemi gjetur armatimin, kjo tregon që ka qenë një klimë mjaft e acaruar dhe ne kemi operuar në klimë të acaruar në Zveçan. Lidhen sepse në periudha të ndryshme gjatë barrikadave kemi pasur shumë zhvillime në Zveçan sidomos dhe me rëndësi është që ato domosdo lidhen mes vete si ngjarje”, ka thënë ai në “Interaktiv”.

Megjithatë, nuk është befasi për Policinë që të gjejë edhe armë të tjera në vazhdim në atë pjesë të vendit, ka shtuar Elshani.  

Lexo më shumë  Ministri Sveçla e Krasniqi vizitojnë komunën paralele serbe të Skenderajt e cila u mbyll dje

“Ne konsiderojmë që do të gjejmë edhe më shumë, nuk është fare çudi që të gjejmë armatim. Është 17% e territorit të Kosovës dhe në vazhdimësi gjejmë armë, gjëra ilegale. Nuk është befasi për ne”, ka potencuar ai. 

Elshani ka theksuar se ngjarjet që ndodhin në veri “nuk janë të jashtëzakonshme për ne”. Ka shtuar se nuk përjashton asnjë incident potencial në veri. 

“Nuk mund të përjashtojmë asnjë incident madhor, asnjë incident si rasti Banjska. Për ne me rëndësi është të jemi të përgatitur që në rast incidenti të reagojmë me sa më pak dëme”, është shprehur Elshani.

Rruga Press

YouTube player