Elon Musk, AfD dhe politika gjermane
Elon Musk po shkakton gjithnjë e më shumë reagime me ndërhyrjet e tij të drejtpërdrejta në politikën gjermane dhe evropiane. Ai mbështet hapur AfD-në në Gjermani. Ku është kufiri?
Sipas një sondazhi të Institutit YouGov, të porositur nga agjencia gjermane e lajmeve dpa, shumica e gjermanëve besojnë se rekomandimi i miliarderit amerikan dhe pronarit të platformës X(ish-Twitter) Elon Musk për të votuar përAfD (Alternativa për Gjermaninë) në zgjedhjet e ardhshme e ndihmon këtë parti. Rreth 59 për qind e të anketuarve besojnë se kjo mbështetje është e dobishme për AfD-në. Ndërsa vetëm 4 për qind besojnë se është e dëmshme. Në të njëjtën kohë, 50 për qind e të anketuarve vlerësojnë se deklaratat e Musk kanë ndikim të vogël ose të papërfillshëm në skenën politike. Por 27 për qind besojnë se ndikimi i tij nuk duhet nënvlerësuar.
Musk ka mbështetur hapur AfD-në jo vetëm në platformën X,por edhe në një artikull për gazetën gjermane “Welt am Sonntag”. Ai ka vendosur të flasë drejtpërdrejt edhe me kandidaten e AfD për kancelare, drejtuesen e kësaj partie, Alice Weidel. Kjo ka shkaktuar shqetësime të tjera të politikanëve dhe publikut në lidhje me ndërhyrjen e tij në proceset politike evropiane.
Mbështetja e paligjshme e AfD-së
OJQ LobbyControl ka shprehur dyshimin se angazhimi i sipërmarrësit amerikan Elon Musk në emër të AfD-së paraqet një mbështetje të paligjshme për partinë. Musk e ka bërë të qartë se dëshiron të forcojë AfD-në dhe po përdor burimet e platformës së tij X për këtë qëllim, kumtoi organizata LobbyControl në Berlin të mërkurën, raporton AFP.
Biseda e Musk me udhëheqësen e AfD Alice Weidel në Platformën X, sipas tyre, “ka të ngjarë të promovohet shumë më gjerësisht” sesa postimet nga përdoruesit e zakonshëm. “Në këtë kuptim, sigurisht që këtu mund të flitet për reklama politike, sepse Platforma X zakonisht shet një hapësirë të tillë për shuma shumë të mëdha parash”, theksoi organizata LobbyControl.
Reagimet në Gjermani dhe Francë
Aktivitetet e Musk kanë shkaktuar reagime të forta nga politikanët gjermanë. Kancelari FederalOlaf Scholz e quajti shqetësuese mbështetjen e Musk për AfD, duke thënë se kjo parti angazhohet për dobësimin e marrëdhënieve transatlantike dhe afrimin me Rusinë. Zëvendëskancelari, Robert Habeck tha se kombinimi i pasurisë së madhe të Musk, kontrollit mbi informacionin dhe gatishmërisë për të injoruar rregullat përfaqëson një “sulm frontal ndaj demokracisë”.
Kritika të ngjashmevijnë edhe nga Franca. Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të mbrohet më me vendosmëri kundër asaj që ai e quajti “presion dhe kërcënime nga një miliarder amerikan me ndikim”. Në një intervistë për France Inter, Barrot theksoi: “Nëse Komisioni Evropian nuk mund të na mbrojë nga një ndërhyrje e tillë, ai duhet t’u kthejë vendeve anëtare aftësinë për të mbrojtur veten”.
Kur u pyet për mundësinë e ndalimit të Platformës X në Evropë sipas shembullit të Brazilit, Baro deklaroi: “Kjo është e mundur sipas ligjeve tona. Ne duhet të zgjohemi.” Ai i bëri thirrje Komisionit Evropian që të përdorë me vendosmëri mekanizmat që ka në dispozicion për të parandaluar një sjellje të tillë, shkruan AFP.
Kontekst më i gjerë dhe interesa biznesi
Elon Musk, që kur u bë këshilltar i presidentit të sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, është bërë gjithnjë e më agresiv në komentimin e politikave të qeverive evropiane dhe dhënien e rekomandimeve publike për partitë populiste të krahut të djathtë. Ekspertët, si Ilan Kapoor i Universitetit të Torontos, besojnë se ndërhyrjet politike të Musk nuk janë të ndara nga interesat e tij të biznesit. “Për Musk dhe Trump, demokracia, debati dhe shteti i mirëqenies sociale janë pengesa për biznesin. Ndërsa ata i shohin qeveritë autoritare si më efektive për zbatimin e qëllimeve të tyre”, thotë Kapur.
Bashkimi Evropian po monitoron nga afër aktivitetet e Musk. Platforma e tij X tashmë po përballet me gjoba të rënda për përhapjen e dezinformatave dhe për përhapjen e gjuhës së urrejtjes. Një zëdhënës i Komisionit Evropian theksoi se biseda e paralajmëruar mes Musk dhe Weidel do të merret parasysh në procedurat kundër platformës.
Çështja e rregullimit të mediave sociale
Sjellja e Musk ka rihapur çështjen e rregullimit të rrjeteve sociale për të parandaluar ndërhyrjet e huaja në proceset politike. Sondazhi tregon se 63 për qind e gjermanëve mbështesin një rregullim më të rreptë të mediave sociale, ndërsa shumica e mbështetësve të AfD (58 për qind) kundërshtojnë masa të tilla.
Rastësisht, këtë të shtunë dhe të dielë (11 dhe 12) do të mbahet kongresi i partisë AfD, ku Alice Weidel pritet të konfirmohet zyrtarisht si kandidate për kancelare në zgjedhjet e ardhshme federale. Kongresi do të mbahet në një atmosferë tensionesh të shtuara, pasi nisma dhe organizata të ndryshme qytetare kanë paralajmëruar protesta kundër partisë. Sipas njoftimeve, protestat do të përfshijnë edhe aksione të mosbindjes civile për të shprehur pakënaqësinë ndaj politikave dhe retorikës së mbrojtur nga AfD.
Rruga Press