Ekspozohen artefaktet romake, autoriteti i Antikiteteve të Izraelit shfaq objektet e grabitura nga rebelët
Me dhjetëra artefakte të epokës romake që besohet se janë grabitur në atë kohë nga rebelët që luftonin ushtarët romakë në shekullin e II pas Krishtit, janë ekspozuar në Izrael. Fenomeni i grabitjes së objekteve antike është një problem global. Por, nëse flasim për Izraelin, fenomeni vazhdon prej shekujsh.
Me dhjetëra objekte të grabitura gjatë epokës romake janë ekspozuar së fundmi nga Autoriteti i Antikiteteve në Izrael. Bëhet fjalë për artefakte të rralla që janë marrë si plaçkë nga rebelët e Bar Kokhba që luftonin ushtarët romakë në shekullin e dytë pas Krishtit. Specialisti i artefakteve, Uzi Rotstein, tha se gjetja e tyre ndodhi krejt rastësisht.
“Mora një telefonatë të martën e kaluar në mbrëmje nga një detektiv i policisë së Jeruzalemit, i cili më tha se gjatë aktivitetit të tyre rutinë, ndaluan një automjet të dyshimtë. Dhe pas një kontrolli të shpejtë gjetën një kuti që përmbante artefaktet.”
Në mesin e këtyre objekteve janë katër vegla prej bronzi dhe katërqind e katër monedha, disa janë prej argjendi ndërsa shumica prej tyre janë prej bronzi, që datojnë nga periudha të ndryshme, para Krishtit dhe pas Krishtit.
“Jo çdo ditë hasim enë derdhjeje si kjo prej bronzi; me dekorimin e saj të bukur në bazën e dorezës së saj. Këto mjete në fakt përdoreshin për rituale nga fisnikët romake, qoftë në tempuj, qoftë në shtëpi nga dikush që mund të mbante rituale të tilla”, shpjegon Rotstein.
Fenomeni i grabitjes së objekteve antike është një problem global. Por, nëse flasim për Izraelin, grabitja e antikeve vazhdon prej shekujsh. Grabitësit e antikiteteve zakonisht shkojnë pas shpellave të varrimit. Në kohët e lashta, të vdekurit zakonisht varroseshin së bashku me sendet e tyre personale si bizhuteri të çmuara nga vendbanimet hebreje dhe periudha e Tempullit të Dytë./ora/