Bota

Ekspozita për gjenocidin në Srebrenicë mbërrin në selinë e OKB-së

Një ekspozitë unike e Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës tashmë ka zënë vend në selinë e Kombeve të Bashkuara në New York, njoftojnë agjencitë e lajmeve.

Kjo ekspozitë, e cila përfshin objekte, foto dhe video-dëshmi të të mbijetuarve, është jashtëzakonisht e rëndësishme për ruajtjen e kujtimit të viktimave dhe ndërgjegjësimin për ngjarjet e lidhura me gjenocidin në Srebrenicë.

“Për realizimin e kësaj ekspozite janë investuar përpjekje dhe përkushtim i madh. Për ketë jemi jashtëzakonisht krenarë për ekipin tonë që punoi palodhur në këtë projekt. Falënderime për kolegët Azir Osmanoviq dhe Amra Begiq, të cilët bënë përpjekje të mëdha për realizimin e këtij momenti të rëndësishëm. Falënderojmë sinqerisht Misionin e Përhershëm të Bosnjë-Hercegovinës në Kombet e Bashkuara për mbështetjen dhe ndihmën e tyre në realizimin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme.

Faleminderit të gjithëve që kontribuuan në këtë moment historik”, shkruhet në njoftimin e Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës për ekspozitën e hapur pak muaj më parë. 

Lexo më shumë  OKB miraton rezolutën e Palestinës kundër Izraelit/ Zbulohet si votoi Shqipëria

Në ekspozitë janë përfshirë edhe eksponatet, të cilat fotografi i njohur boshnjak, Armin Durgut, i ka realizuar gjatë punës në projektin artistik dokumentar “Mrtvara”.

Durgut do të realizonte një seri fotografish të këpucëve të gjetura në varrezat masive në Bosnjën lindore, duke dashur të tregonte se njerëzit vuajtën edhe para aktit përfundimtar të gjenocidit në Srebrenicë, në të cilin u vranë më shumë se 8 mijë burra dhe djem boshnjakë në korrik të vitit 1995.
Ndryshe, të enjten për herë të parë, në selinë qendrore të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York, është përkujtuar gjenocidi i para 29-vjetëve në Srebrenicë. 

Prej sivjet 11 korriku njihet si Dita ndërkombëtare e përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë. Në një shënim zyrtar në OKB është vënë theksi te vrasja e më shumë se 500 fëmijëve, trupat e të cilëve janë gjetur në më shumë se 80 varreza masive e se kërkimi për qindra viktima vazhdon sot e kësaj dite. Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Dennis Francis, ka thënë se bota duhet të mësojë nga kapitulli më i errët në histori për të parandaluar një tragjedi të re të mundshme si ajo në Srebrenicë. 

Lexo më shumë  Danimarka përdor asetet e sekuestruara ruse për të financuar artilerinë për Ukrainën

Përkujtimi i së enjtes nëpër botë vjen pasi më 23 maj Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e shpalli 11 Korrikun Ditë ndërkombëtare të përkujtimit të gjenocidit të Srebrenicës. Serbia dhe serbët e Bosnjës në vazhdimësi e kundërshtojnë, duke thënë se rezoluta i paraqet të gjithë serbët si “popull gjenocidal”.

Rruga Press

YouTube player