Ekspozita në Madrid argumenton se “Salvator Mundi” nuk është e Leonardo da Vincit
Katalogu për një ekspozitë të hapur së fundmi në muzeun “Prado” në Madrid, e që i dedikohet artistit Leonardo da Vinci, argumenton se “Salvator Mundi” nuk duhet të konsiderohet një kryevepër vetëm e artistit, sipas një raporti të“Art Newspaper”.
Ekspozita e titulluar “Leonardo dhe kopja e Mona Lizës. Qasje të reja ndaj praktikave në studio të artistit” u hap në shtator dhe fokusohet rreth kopjes që ka “Prados” të pikturës më të famshme të mjeshtrit të Rilindjes. Ekspozita u organizua nga Ana González Mozo, një teknikë e lartë në departamentin e konservimit në “Prado”.
Sipas një përshkrimi të ekspozitës, kjo është rezultat i një projekti ambicioz kërkimor që “Prado” ndërmori paralelisht dhe në bashkëpunim me institucione të tjera ndërkombëtare, si Muzeu i Luvrit, Laboratori i Arkeologjisë Molekulare në Sorbonë dhe Galeria Kombëtare në Londër dhe bazohet në orientimin e ri dhe në rëndësinë që kanë marrë studimet për artistin pas ekspozitave kushtuar atij në Louvre në vitet 2012 dhe 2019.
Katalogu shoqërues i ekspozitës grupon një numër veprash të Leonardos dhe rrethit të tij në dy seksione: “Nga Leonardo” dhe “Vepra të atribuara”, punëtori ose të autorizuara dhe të mbikëqyrura nga Leonardo. González Mozo e ka vendosur “Salvator Mundin” në kategorinë e fundit.
“Salvator Mundi” ka qëndruar në kryetitujt e mediave qëkur u shit në një mbrëmje të artit bashkëkohor në ‘Christie’s” në New York në vitin 2017, kur u ble për një çmim marramendës prej 450 milionë dollarësh, duke e bërë atë veprën më të shtrenjtë të artit të shitur ndonjëherë në ankand. Në vitet që pasuan, thashethemet rreth blerësit të tij (raportuar si një i angazhuar që vepron në emër të princit Mohammed bin Salman), vendndodhjen dhe kur – ose nëse – mund të ekspozohet, janë përhapur në mbarë botën.
Udhëtimi i rizbulimit të tij në vitin 2005 deri më sot u përshkrua në një dokumentar emocionues, “The Lost Leonardo”, i cili u publikua në SHBA në fillim të këtij viti.
Sipas “Art Newspaper”, hetimi i González Mozo fokusohet në atë se nëse “Salvator Mundi”, të cilin ajo e quan version “të gatuar” pas punës që ka bërë një autor i mëhershëm, është në fakt piktura origjinale që Leonardo krijoi. Ajo argumenton se vepra origjinale ka humbur dhe se “Salvator Mundi” nuk është as një prototip i asaj vepre të Leonardos. Ajo shkruan se një version tjetër i “Salvator Mundi” është më afër origjinalit të Leonardos; ajo vepër u krijua nga një artist në punëtorinë e Leonardos, i cili gjithashtu bëri Mona Lizën e “Prados”.
Po ashtu ka lajme të tjera në lidhje me artistin, sipas “Reuters” një kopje e “Mona Lizës”, që daton rreth vitit 1600, u shit në fillim të kësaj jave në “Artcurial”, shtëpinë e ankandeve në Paris për 210 mijë euro. Vepra u shit pak më shumë sesa vlerësimi për të që ishte 200 mijë euro./koha/