Ekspertët nuk kryejnë detyrën, “Plepat e Brukës” zvarritet në sallat e Gjykatës
Mungesa e aktit të ekspertimit, e caktuar si detyrë nga Gjykata Administrative për ekspertët e çështjes së Plepave të Brukës, e shtyn përsëri afatin e marrjes së një vendimi mbi fatin e pyllit të Laknasit.
Në seancën gjyqësore të ditës së sotme ishte parashikuar të diskutohej mbi një akt ekspertimi shtesë në të cilin do të përcaktohej se sa është dendësia reale e pemëve në të gjithë sipërfaqen e “Plepave të Brukës”. Në seancën e datës 6 korrik, gjykatësi i kërkoi ekspertëve të bëjnë numërimin fizik dhe real të pemëve dhe njëkohësisht të përcaktonin se cilat ishin pjesët me dendësinë më të madhe të pronës.
“Ekspertët e kishin si detyrë nga Gjykata ta dorëzonin aktin më datë 26 korrik, ne ta tërhiqnim për analizim dhe sot të diskutohej. Ata nuk e sollën as sot aktin e ekspertimit për arsye se vëzhgimi në terren është kryer vetëm para pak ditësh, në të cilin kemi qenë bashkë me banorët prezentë.”- u shpreh Dorina Nreka, avokate e palës paditëse, banorëve të Laknasit, pasi doli nga seanca.
Është pikërisht ky akt ekspertimi shtesë që e shtyn të gjithë procesin gjyqësor mbi çështjen e Plepave të Brukës pasi diskutimet mbi themelin e saj janë kryer. Në seancën e rradhës, të caktuar me 20 tetor pritet që palët ta kenë aktin në dorë të analizuar dhe të diskutojnë mbi kërkesat e ngritura në vazhdimësi gjatë procesit, mbi të cilat lindi nevoja e një shtese në ekspertizë.
Si shkelje të rëndë të Kodit të Procedurës, Gjykata gjobiti dy ekspertët me nga njëqind mijë lekë secili dhe u është kërkuar dorëzimi i aktit të ekspertimit brenda dhjetë ditësh. Ky është rast i përsëritur, pasi ekspertët janë gjobitur edhe një herë më parë për neglizhim të detyrave. Nëse kjo sjellje vazhdon, gjykatësi ka paralajmëruar rritje progresive të gjobës që rëndon mbi ekspertët.
Ndërkohë që ndodhin të gjitha këto procedura burokratike ligjore, me zvarritje nga papërgjegjshmëria e ekspertëve, banorët e Laknasit përveç ndjekjes së këtyre seancave janë vazhdimisht vigjilentë ndaj ndërhyrjeve që firma Bioproducts tenton të kryejë në pyll, e fundit tentativë për ta rrethuar atë ishte në mbyllje të gushtit.