Ekskluzive | Zyrtarja e MFPT-së demanton propagandën: “Nuk është e vërtetë që Qeveria Kurti i ka ndërprerë pensionet e veteranëve nga Shqipëria – ndalesa është bërë vite më parë nga zyrtarë të NISMËS”
Zyrtarja e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), Sanije Rexha, Udhëheqëse e Divizionit për Administrimin e Skemave Pensionale për Kategoritë e Luftës, ka folur ekskluzivisht për Rruga Press duke hedhur poshtë propagandën e përhapur së fundmi në Kosovë dhe në Shqipëri, sipas së cilës Qeveria Kurti paskësh ndërprerë pensionet e veteranëve të UÇK-së që vinin nga Shqipëria.
“Nuk është e vërtetë që ndalesa është bërë nga Qeveria Kurti. Kjo propagandë është shpifje dhe është përhapur qëllimisht për të goditur politikisht qeverinë,” tha Rexha për Rruga Press.
Ndalesa është bërë në kohën kur ministria drejtohej nga Skender Reçica – zyrtarët e përfshirë dy funksionarë të NISMËS

Sipas Rexhës, ndërprerja e pensioneve për veteranët nga Shqipëria është bërë gjatë periudhës kur Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale drejtohej nga Skender Reçica, ndërsa vendimin e kanë zbatuar ish-drejtori Mursel Morina dhe zyrtari Mehdi Thaçi, të dy nga partia NISMA.
“Kjo ndalesë është bërë qëllimisht vetëm ndaj veteranëve nga Shqipëria. Veteranët nga Maqedonia, Presheva apo ata jashtë Kosovës nuk kanë pasur asnjë problem me përfitimin e pensionit,” thekson Rexha.
Ajo shton se propaganda e kohëve të fundit, që ia atribuon këtë ndërprerje Qeverisë Kurti, është jashtë çdo realiteti dhe ka vazhduar për vite të tëra.
Çfarë thotë ligji? Ndalesa për veteranët e punësuar nuk vlen më sipas ndryshimeve të reja
Rexha shpjegon se interpretimi i gabuar i ligjit ka çuar te ndalesa selektive ndaj veteranëve nga Shqipëria. Ligji i vjetër (04/L-261) parashikonte kufizime për veteranët e punësuar, por ndryshimi i vitit 2019 – Ligji Nr. 05/L-141 – e ka hequr këtë ndalesë.
“Veterani e humb të drejtën vetëm nëse paguhet nga buxheti i Republikës së Kosovës. Pra, nëse është në punë private ose jashtë institucioneve publike, ai ka të drejtë të marrë pension,” sqaroi ajo.
Gjykata Supreme ua kthen të drejtën veteranëve – krijon precedent juridik
Vitet e fundit kanë nisur të shfaqen paditë e para të veteranëve nga Shqipëria, të cilëve u ishte ndërprerë padrejtësisht pensioni. Rasti më i fundit është ai i paditësit K.J., të cilit Gjykata Supreme i dha të drejtë më 30 tetor 2025.
Me këtë vendim, Supremja:
- aprovoi revizionin e paditësit;
- ndryshoi vendimin e Gjykatës së Apelit (AA.nr.436/2024);
- anuloi vendimin e MFPT-së nr. 05/05/5719 të datës 21.02.2022;
- dhe i njohu paditësit të drejtën e pensionit nga data e ndërprerjes më 28 qershor 2021.
Gjykata Supreme konstatoi se organet e mëparshme kishin zbatuar gabimisht ligjin, duke mos marrë parasysh neni 16 A, paragrafi 5, i Ligjit Nr. 05/L-141, i cili njeh të drejtën e pensionit për veteranët që nuk paguhen nga buxheti i Kosovës.
Sipas Supremes, nuk është përcaktuese nëse paditësi ishte i punësuar, por nga cili burim paguhej. Meqenëse ai nuk paguhej nga buxheti i Kosovës, i takonte e drejta e pensionit.
Gjykata theksoi:
“Formulimi i ri ligjor nuk përmban më ndalesën e përfitimit të pensionit për veteranët e punësuar në sektorin publik ose privat. E drejta u takon të gjithë atyre që nuk financohen nga buxheti i Republikës së Kosovës.”
Ky vendim krijon precedent për dhjetëra raste të tjera të veteranëve nga Shqipëria që u janë ndërprerë pensionet në mënyrë të kundërligjshme.
Rexha: Ka ardhur koha të demantohet propaganda
Rexha tha se propaganda ka shkuar aq larg, sa edhe figura publike janë keqinformuar.
Ajo përmend se ditë më parë ka pasur si vizitor ish-ushtarakun shqiptar Laver Goxhaj, të cilin e kishte informuar për vendimin e gabuar të dikurshëm, pasi ai ishte bindur se ndërprerja ishte bërë nga Qeveria Kurti.
“Ata që e kanë bërë këtë padrejtësi, e kanë bërë në kundërshtim me ligjin. Ka ardhur koha që kjo të sqarohet publikisht,” tha Rexha.
Rruga Press

