Ekonomia e Shqipërisë goditet më rëndë nga krizat se çdo vend tjetër
Shqipëria është vendi me varfërinë më të madhe në rajon. Një e treta e popullsisë jeton me më pak se 5,5 dollarë në ditë që është edhe kufiri minimal i mbijetesës. Kosova e ka këtë tregues në nivelin 23,4 për qind, Maqedonia e Veriut, 18 për qind, Mali i Zi 20 për qind dhe Serbia 17,4 për qind.
Është ky konkluzioni i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar në raportin e fundit në të cilin dilet në përfundimin se pandemia dhe tërmeti rrënuan financat e shqiptarëve.
Po pse ne raport me vendet tjera rreth nesh apo me gjere, financat e shqiptareve janë kaq të brishta? Ne jemi shumë të ndjeshëm për shkak se varemi shumë nga industria e shërbimeve. Përderisa kemi shumë individë në këtë industri, këto janë të parët që ndikohen. Këta individë janë në shtresën që jetojnë me nën 5,5 dollarë apo shtresës në nevojë”, thotë pedagogu i ekonomisë Selim Blliku.

Muajt e parë të pandemisë, si një përgjigje ndaj krizës shëndetësore e ekonomike, qeveria zgjeroi buxhetin për programet e mbrojtjes sociale me rreth 1 për qind të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar. Mirëpo, FMN thotë se ky zgjerim ishte ndër më të ulëtit në Ballkanin Perëndimor. Kjo vjen nga skemat e pamjaftueshme të përkrahjes sociale.
“Ndihma mund të vijë jo vetëm përmes shpërblimit financiar, por edhe drejt orientimit të tregut privat. Do të ishte zgjidhje shumë specifike për ta”, thotë Blliku.
Në dokumentin e publikuar, FMN rekomandon që rritja e mbulimit të programeve të mbrojtjes sociale të vijë përmes nxitjes së punësimit në kahun tjetër. Gjithashtu “Fondi” kërkon nga autoritetet që të punojnë për të reduktuar gabimet e përjashtimit dhe pasaktësitë e informacionit të përfituesve.
Rruga Press