Ekonomia e Kosovës u rrit mbi 10% në vitin 2021
Bruto Produkti Vendor (BPV), në çerekun e fundit të vitit të kaluar ka shënuar rritje reale për 6.36 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020. Ndërkohë që vlerësimet paraprake të ASK-së bazuar në tremujorë, tregojnë se Kosova pati një rritje të ekonomisë 10.53 për qind.
Bruto Produkti Vendor (BPV), në çerekun e fundit të vitit të kaluar ka shënuar rritje reale për 6.36 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020.
Sipas ASK-së, aktivitetet ekonomike, që kishin rritje në këtë tremujor ishin: tregtia me shumicë dhe me pakicë, riparimi i automjeteve dhe motoçikletave, transporti dhe magazinimi, aktivitetet e akomodimit dhe të shërbimit ushqimor 14.82 për qind, aktivitetet shkencore, profesionale dhe teknike, aktivitetet e shërbimeve administrative dhe mbështetëse 5.95 për qind, artet, argëtimi dhe çlodhja, aktivitetet e prodhimit të mallrave të familjeve për përdorim të vet dhe shërbimet e tjera 4.78 për qind, industria nxjerrëse, përpunuese, energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër, furnizimi me ujë, aktivitetet e trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, aktivitetet e rehabilitimit 4.32 për qind, informacioni dhe komunikimi 4.03 për qind, bujqësia, pyjet dhe peshkimi 1.83 për qind, aktivitetet e pasurive të paluajtshme 1.97 për qind, dhe aktivitetet financiare dhe të sigurimit 0.41 për qind.
ASK njofton se ku pati rënie reale në këtë periudhë
“Ndërkaq, aktivitetet ekonomike, që shënuan rënie reale në këtë tremujor ishin: administrata publike, sigurimi social, arsimi dhe shëndetësia (-5.75%); dhe ndërtimtaria (-5.21%)”, njofton ASK.
Tutje thuhet se komponentët e BPV-së sipas metodës së shpenzimeve, që kishin rritje ishin: eksporti i mallrave dhe shërbimeve 33.38 për qind, importi i mallrave dhe shërbimeve 17.09% për qind, shpenzimet e konsumit final 8.65 për qind, dhe shpenzimet e konsumit final të Qeverisë 4.46 për qind.
Vlersimi paraprak i ASK nxjerrë një rritje mbi 10 për qind të BPV-së
“Me vlerësimin e tremujorit të katërt, sipas metodologjisë ASK-ja, jepet një vlerësim paraprak për vitin 2021, i cili mbështetur në shumën e tremujorëve, kishte një rritje reale prej 10.53%, krahasuar me vitin 2020”, bën të ditur ASK.
Shefi i kuletës së shtetit, Hekuran Murati, në konferencë për media muaj më parë, kishte thënë se në tremujorin e dytë të 2021-ës shënohet rritje rekorde e ekonomisë, prej 16.28 për qind.
Sipas raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të cilit i referohej ministri Murati tha se aktiviteti ekonomik ka shënuar rritje rekorde prej 16.28 për qind në periudhën e tremujorit të dytë të vitit 2021, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak. Në anën tjetër, nëse krahasohet gjysma e parë e vitit 2021 me atë të vitit 2020, përkatësisht periudha Janar-Qershor, ekonomia vendore ka shënuar rritje prej 10.4 për qind.
Rruga Press