Ekipi kibernetik i Ushtrisë gjermane që po lufton ndaj hakerëve rusë
Ushtria gjermane Bundeswehr, posedon një ekip të posaçëm për sigurinë kibernetike. Luftimet në Ukrainë e kanë nxitur këtë shtet perëndimor që ta kthejë vëmendjen kah interneti, kibernetika e siguria e të dhënave online.
Të paktën 200 specialistë punojnë që siguria kibernetike gjermane të jetë në nivelin e duhur. Ata po merren me zbulimin e boshllëqeve infrastrukturore në fushën e teknologjisë informative (TI) të shtetit rus dhe jo vetëm, shkruan “TheTimesHub” të martën.
Ekipi i njohur si ZCO, pjesë e ushtrisë gjermane, edhe para pushtimit rus në Ukrainë, i ka kushtuar hapësirë ndërthurjes së botës reale dhe digjitale në informacionin teknologjik. Ekipi mbron sigurinë kombëtare të Gjermanisë, mban serverët e uebfaqeve publike si dhe i hulumton sulmet nga jashtë.
Lufta në Ukrainë rriti urgjencën dhe shqetësimet për sulme kibernetike nga ana e Rusisë. Qeveria gjermane ka në plan t’i ndajë 20 miliardë euro në tri vjetët e ardhshme për të përmirësuar aftësitë e menaxhimit dhe digjitalizimit në fusha të ndryshme të forcave të mbrojtjes.
Qëkur nisi pushtimi rus, sulmet kibernetike dhe prezenca e hakerëve nuk ka qenë më e madhe. Mobilizimi gjerman ka bërë që ZCO-ja të organizojë tryeza e bashkëpunimi me vende perëndimore në aspektin e sigurisë.
“Këtu më lejohet të punoj në emër të shtetit, për ndryshe, në jetën time private, do t’i kisha njoftuar organet e rendit”, deklaroi një nga oficerët gjermanë që pati për ta zgjidhur një problem të sigurisë kibernetike.
Ekipi i sigurisë kibernetike gjermane funksionon që nga 2016-ta, kur ministrja e atëhershme e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen, hodhi planin për themelimin e krijimit e një “komande kibernetike dhe të informacionit”, të ushtrisë gjermane Bundeswehr. Një organizim i forcave gjermane për sistemet kompjuterike u konsiderua i vonshëm, ndonëse ishte diskutuar nga Ministria e Mbrojtjes gjermane për mbi një dekadë.
Plani i von der Leyenit u prit me skepticizëm. Media dhe politikanë deklaruan se Gjermania do të mund të përballej me rreziqe në rast se përgatitet për një luftë kibernetike, pasi “do të përfshihet në një garë të pakontrollueshme armësh digjitale”. Kjo pikëpamje u shpreh edhe në Parlamentin gjerman nga ekspertë të sigurisë. Dilemat u rritën. Politikanë opozitarë deklaruan se Gjermania ka nevojë për vetëm “masa mbrojtëse” ndaj sulmeve kibernetike, por jo edhe përfshirje në “fushata të luftës kibernetike”.
Berlini zyrtar kishte deklaruar se Bundeswehri do të vepronte vetëm brenda dispozitave të tij kushtetues “dhe nuk do të angazhohej në asnjë operacion sulmues të rrjetit kompjuterik përveç nëse është i mandatuar nga Parlamenti”.
Lufta në Ukrainë rrëzoi çdo skeptikë. Gjermania me inteligjencën kibernetike, në aleancë me vendet perëndimore, u mobilizua ndaj hakerëve lindorë.
“Mbrojtja e vendit dhe e vendeve aleate është një detyrë thelbësore e Bundeswehrit. Aftësitë e të gjitha degëve të forcave janë të ndërlidhura. Parandalimi është efektiv dhe mund të arrihet vetëm së bashku”, thuhet në mesazhin e Bundeswehrit.
Rruga Press