Edhe Supremja lë në paraburgim Nagip Krasniqin, edhe pse ska prova për mbajtjen e tij
Gjykata Supreme të mërkurën ka vendosur ta refuzojë kërkesën e mbrojtjes së ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, për lirimin e tij.
Supremja e ka vlerësuar si të pabazuar kërkesën e mbrojtjes për lirimin nga paraburgimi të Krasniqit.
“Kolegji i Gjykatës Supreme e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojte të ligjshmërisë ndaj të pandehurit N.K., të paraqitur kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës. Në çështjen penale ndaj të pandehurit N.K., për shkak të veprave penale: keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, ushtrimi i ndikimit, keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, konflikti i interesit, duke vendosur përkitazi me kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësve të pandehurit, avokatët Virtyt Ibrahimaga dhe Taulant Ferizi, në seancën e mbajtur më datë 16.05.2023, kolegji i Gjykatës Supreme vendosi për refuzimin e kësaj kërkese”, thuhet në njoftimin e Supremes.
Krasniqi u arrestua më 19 prill pas bastisjeve që janë kryer në zyrën dhe dy banesat e tij. Më 20 prill, atij iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Gjykata Themelore vlerëson se ekziston dyshimi se Nagip Krasniqi prej vitit 2022 e ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, ku më 26 janar të këtij viti ka lidhur kontratë të dëmshme në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik.
Gjithashtu, Gjykata thotë se ka gjetur se gjatë vitit 2022 ka keqpërdorur pozitën pasi në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut më 28 mars ka lidhur kontratë të dëmshme në kundërshtim me Ligjin e Prokurorimit në emër të tenderit “Angazhimi i një kompanie konsulent ligjor” me operatorin “Rexhepi Zeqiri Zejna LL.C”.
Por mbrojtja pretendon se i pandehuri ka vepruar konform dispozitave të përcaktuara me Ligjin për Prokurimin Publik.
Në mbrojtje të Krasniqit ka dalë Qeveria e Kosovës. Kryeministri Albin Kurti e ka mbrojtur kryeshefin e pezulluar të KEK-ut, ndërsa ka sulmuar Prokurorinë për arrestimin e tij.
Rruga Press