Edhe sa kohë mendon Edi Rama i Serbisë se do t’i ecë loja e marionetës në përkrahje të bandave gjenocidale të luftës serbe?
Nga Hana Mitrovica
Me këtë përbërjen aktuale në Parlamentin e Republikës së Shqipërisë duket pothuaj krejt i natyrshëm rrëzimi me votë i propozimit për njohjen e gjenocidit serb të kryer mbi popullatën e paarmatosur dhe të pafajshme civile boshnjake të Srebrenicës.
Ky akt kuvendi me përmbajtjen e tij që ka në mazhorancë, si i tillë as që do tejdiskutim.
S’di nëse ka ekzistuar ndonjëherë një periudhë në historinë e politikës dhe ndërveprimit në raport midis opinionit publik dhe udhëheqësve e përfaqësuesve plebiscitarë, kur për secilin akter veç e veç ka pasur kaq informata, kaq fakte për sherre të tyre dhe akte kuotidiane kriminale e korruptive, aq sa për me i futë në birucë një herë e mirë, me dënime kohëzgjatjesh drakoniane të panjohur më parë. Por, tash për tash ka rezerva për këtë. Thuaj se mbi të gjitha, patën nevojë të na verifikojnë nivelin e tyre kriminogen edhe me, praktikisht, mohimin e gjenocidit serb në Srebrenicë.
Në nivele të jurisprudencës ndërkombëtare, gjithë e më shumë ligje janë në përpilim e sipër që dëftojnë se negacionizmi dhe mohimi i gjenocidit, një cilindo subjekt e bën komplicit.
Ka edhe më zi. Këtë shumë mirë e thekson Rruga Press në një segment-botim nga i cili citoj:
“[. . .] pjesë e gjenocidit serb është edhe mosnjohja e këtij gjenocidi prej institucioneve serbe; mosnjohja e gjenocideve njihet gjerësisht si një nga fazat përplotësuese të gjenocidit, pra gjenocidi si i pandëshkuar nuk mbaron me kryerjen e vrasjeve, por me fshehjen e tyre institucionalisht [. . .]” (fund i citatit)
Këtij mund t’ia shtojmë edhe faktin se pjesë gjenocidi, ashtu si vrasja e pandëshkuar dhe mosnjohja institucionale, nuk përfundon as me fshehjen e tij institucionalisht, porse, paraqet një rrezik të shumëfishtë për të gjitha palët “e interesuara dhe të përfshira”. Rrezik që pala kriminale t’i përsërisë këto vepra në vazhdimësi dhe pa asnjë pardon. Bile duke i dhënë dritë të gjelbërt edhe akterëve të tjerë, larg qoftë, ta përsërisin të njëjtën. Por kjo nuk po ‘është larg’. Fatkeqësisht, sepse Ukraina është një tragjedi e cila tash e disa muaj pa u ndalur po zhvillohet para syve të mbarë Botës dhe tërë civilizimeve globalë. Tamam në pikun e qarkullimit të pandalur 24/7 të informatës së teknologjizuar nëpër të gjitha hemisferat e rruzullit.
Pala viktimë po ashtu rrezikon t’i përsëritet tragjedia e trashëguar brez pas brezi. Dhe ky qark fatkeq, permanent, vicioz e pernicioz, duhet të këputet, një orë e më parë.
Pra, botën e civilizuar më nuk e intereson se si ‘farsë apo tragjedi’, por ama krimet po kalojnë të pandëshkuar dhe po përsëriten. Dhe kjo është e papranueshme. Tutje nuk kalon.
Mund ta themi lirisht këtë, në të gjitha gjuhët dhe dialektet botnorë.
Me siguri se vepra e negacionizmit të krimeve të luftës, tek masat e gjëra të opinionit publik, (e këtu arrijmë tek kulmi i seriozitetit) pa diskutim dhe gjërësisht nënkupton se në mënyrë indirekte u mohua edhe gjenocidi mbi shqiptarët në agresionin e kryer mbi ta e kundër tyre nga ana e forcave të armatosura: policore, paramilitare dhe ushtarake të Serbisë mbi shqiptarët në Kosovën e 1998/99-tës.
Kjo u dëshmua e u tha në të gjitha gjuhët edhe me atë vizuale ngërthyer në trishtime pamjesh monstruoziteti që njeriu do të ndalet dhe të mendojë: “ . . . po as përbindëshi më i përgjakur imagjinar . . . !
Për fatin e mjerë të shqiptarëve – këto viktima kronike të historisë – ky rast i ‘verbërisë, shurdhërisë dhe memecërisë’ politike ndaj tragjedive individuale dhe kolektive, nuk është as i paprecedent dhe as ndonjë befasi e radhës. Për besë jo ! Me të lexuar të kapitujve kardinalë të historisë kombëtare, secili do ta kuptonte në sekondë në maje të gishtave përcëllitës. Por, as kjo nuk e arsyeton përsëritjen e gabimeve të udhëheqësve të dikurshëm shqiptarë, të cilët, shqiptarët nëpër trojet dhe trevat e tyre, e mbi të gjitha Kosovën dhe Shqipërinë e hodhën dhe e lanë në pozita shumë të ngjajshme me këto të cilat po i shohim e dëshmojmë sot edhe vet.
Këtu nuk ka më asnjë vend, as moment, as motiv, arsye dhe as justifikim për nëntekste eventualë tipikisht ediramian, se dikush bën përpjekje absurde të dëshmimit të ndonjë korrektësie politike në emër të “vëllazërimeve”. Cilët vëllazërime ? Me katilin ?! Xhelatin !?
JO, FALEMNDERIT!
Kjo në rastin më të butë të shpjegueshëm është demagogji e llojit unik, puro.
Ama, me këtë aktin e fundit të kuvendarëve shqiptarë, gjithsesi është arritur një nivel edhe më monstruoz i pakuptimësive. E rasti eklatant si i tillë shprehë kapacitetet se: deri ku mund të mbërrijë degradimi dhe deklasimi i një vetëdijeje të sulmuar nga patologjitë e pandjeshmërisë jonjerëzore e cila arrin piedestalet më fatkeqë të politikës, në rastin në fjalë, edhe shqiptare. E dimë se nuk janë më shumë se 140 delegues e që ndoshta as në familjet e tyre nuk gëzojnë përkrahje me ata numra minorë me të cilët zunë vende kuvendi tash nji vit. E dimë edhe se disa në mesin e tyre nuk janë fytyra e vërtetë shqiptare dhe se nuk janë përfaqësim i denjë i Shqipërisë. Të gjitha i dimë dhe i shohim me sy, të kjarta si loti.
Seç m’u kujtuan për dreq Romakët e lashtë, pos shumë tjerash, i kanë dhuruar njerëzimit dy thënie interesante me origjinë nga mësimet që kishin nxjerrë dhe ata vetë nga historia:
1. ‘Hannibal Ante Portas’ (Hanibali para portës) dhe
2. ‘Margaritas Ante Porcos’ (Margaritarët para domuzëve)
Për që do të gjendemi, dhe se do të jemi në pozitë që: edhe gati dy mileniume të përgjakshëm më vonë të na duhet t’i kujtojmë këto thënie, është padiskutueshëm një nevojë faktuale e cila, për mendimin tim shumë modest, po qëndron tej çdo logjike të shëndoshë.
Kjo thënia e parë disi po i përshtatet apetiteve dhe tendencave asnjëherë të ndalura më parë të Serbisë. Jo për ndonjë superpotencë ushtarake që po synon të ribëhet Serbia e primateve të shumëllojshëm ngahera të synuar Ballkanikë, me gjithë armatimin e recikluar nga mbetjet, mbeturinat dhe bërllogu megatonësh rus dhe ai gjysëm-shkart dhe gjysëm-funksional kinez.
Pos nëse Serbisë po i shishmohet të bëhet deponi e të zezave të autokracive nga disa pjesë të hemisferës lindore, eh, atëherë ky është një tjetër muhabet. Bashka me demek.
Sidomos kjo e para thënie që i parashkruhet pushtuesit Hanibal Barkas, strateg dhe prijës i luftës, kartagjenas i cili përmbyll epilogun e Luftërave Punike me gjunjëzimin dhe shkatërrimin gjer në decimale të ushtrisë romake. Sipas shënimeve aktualë historigrafikë, ky decimim numëron afro 80,000 trupa në llogari disfate të bijve të Romës së lashtë.
Serbia si synuese me një anë ta kujton Hanibalin. Por, ama me datë 24 mars, 1999 ishte dita kur me masuset e Aleancës më të fortë globale – NATO, filloi të shihte: Sorci Verdi (gjirgjizët e gjelbër) do të thoshin italianët për brejtësit.
Pra, Serbia tendencialisht Hanibale, porse, kontrastualisht, pësoi si legjionarët romakë, mu në fund të luftërave punike, dy shekuj para se të fillonte epoka e historisë së re.
Shqiptarët shumëfish të pafajshëm si komb, popull edhe si shoqëri, për shumë arsye, edhe më tej do të vazhdojmë t’i quajmë – Margaritas Ante Porcos – margaritarë para domuzëve qeveritarë. Se shqiptarët meritojnë më mirë, dhe do të dinë më mirë, dhe do ta bëjnë më mirë dhe do ta kenë më të mirë fatin politik. Ky është momentumi, dhe kush nuk po sheh dhe ndjen, le të fillojë që tani, në moment.
Nëse te “Përbindëshi” i Kadaresë, edhe ky një titull margaritar shumë aktual që në këto kohë patjetër e me urgjencë duhet rikonsultuar, protagonistët presin nën tensionin dhe atmosferën e iluzionit të pushtimit, gjersa çorodia të mos zhytet në baltë thellë e pa shpëtim, atëherë mund të themi se kushtet për të arritur tek një situatë e ngjajshme janë më se të pjekur.
Nuk e di se përse në këtë moment kujtesa po ma rekomandon Polifemin me Poture këtë Dramë të pamerituar Shqiptare, këtë shok të ngushtë Pobratim të Aleksandrit – Kriminel i Madh – Vuçiq. Të gjithë kërkoni dhe gjeni në rrjet videon kur ky i fundit uluron në Parlamentin e Serbisë në muajin korrik të vitit 1995, se : “për çdo serb, 100 boshnjakë do të vriten”, dhe kjo pak para ose më saktë ( sipas llogaritjeve kohore, kalendarike dhe logjike ) pas kryerjes së aktit gjenocidal mbi viktimat e Srebrenicës.
Tangjibël, evidentë dhe faktual: gjurmët e gjenocidit serb janë kudo nëpër Ballkan!
BOSNJA, KROACIA dhe KOSOVA NUK HARROJNË!
©Rruga Press