KryesoreLajme

Edhe një herë kundër Prokurorisë/ Frika e Ramës nga përgjimet në zgjedhje

E quan “lajthitje” hetimin e krimit zgjedhor, si u përgjua me policin që blinte vota në Dibër

Në udhëzimin e fundit që Prokuroria e Përgjithshme miratoi për zgjedhjet e 11 Majit qëllimi është i qartë: të godasë krimet zgjedhore, të ndalojë manipulimin e votës dhe të hetojë cilindo që tenton të deformojë vullnetin e qytetarëve. Hetime të këtij lloji ka pasur thuajse në çdo proces votimi, por vitet e fundit ato kanë qenë sporadike, ndërsa “viktimat” kanë qenë gjithnjë në radhët e më të dobëtit, aq sa është krijuar përshtypja se votat në Shqipëri i blen opozita, por zgjedhjet i fiton mazhoranca.

Ndryshimi është se në këto zgjedhje  struktura hetuese do të jetë e veçuar dhe do të ketë bashkëpunim të dedikuar me SPAK, në rast se nga hetimet dalin politikanë apo pjestarë të grupeve kriminale.

“Prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm sigurojnë koordinim të shpejtë dhe efektiv për hetimin e rasteve me Prokurorinë e Posaçme (SPAK), duke shkëmbyer informacion të plotë, në mënyrë të shpejtë dhe të sigurt për veprat penale në fushën e zgjedhjeve dhe autorët e tyre” thuhet në udhëzim.

Ky akt i Prokurorisë (Udhëzimi i plotë këtu) i hap rrugën një hetimi të gjerë mbi krimet elektorale, përfshirë ndjekjen penale të manipulimeve të votës, blerjen e saj dhe përdorimin e burimeve shtetërore në zgjedhje. Për herë të parë, Prokuroria e përfshin si mekanizëm edhe përdorimin e mjeteve speciale të hetimit – përgjime, survejime dhe ndjekje operative – për të goditur rrjetet kriminale që ndikojnë në procesin zgjedhor.

Për më tepër në një marrëveshje bashkëpunimi mes prokurorisë dhe policisë, (marrëveshja e plotë këtu) tashmë qartesohet se metodat e punës kundër manipulimit të votës do të përfshijnë “veprime të posaçme si kontrolle, sekuestrime, vëzhgime, përgjime, dhe ndalime/arrestime në raste të nevojshme”.

Lexo më shumë  Raporti i inteligjencës estoneze: Rusia do i hap luftë NATO-s

Por sapo ky udhëzim u bë publik, duket se në qeveri u ndez alarmi. Kryeministri Edi Rama reagoi me tone të ashpra, duke e cilësuar këtë masë si një “survejim të partive politike” dhe një rrezik për liritë demokratike. Në një deklaratë të mbushur me paralajmërime, (VIDEO KETU) ai tha:

“Nuk mund dot të survejohen partitë politike në një proces elektoral. Unë uroj që kjo do të jetë një lajthitje e momentit dhe menjëherë të ndalet çdo lloj survejimi në territor, sepse nuk mundet dot kurrën e kurrës që ne të kthehemi në kohëra kaq të errëta saqë kush merret me politikë të survejohet.”

Pra, për kryeministrin, ndjekja penale e krimeve zgjedhore dhe hetimi i atyre që mund të abuzojnë me pushtetin gjatë fushatës janë të barasvlershme me një “kohë të errët”. Në të njëjtën deklaratë, ai vijoi duke thënë se çdo institucion duhet të qëndrojë në “llogoren e vet kushtetuese”, duke e quajtur përfshirjen e drejtësisë në hetimin e zgjedhjeve si “ndërhyrje flagrante në të drejtat politike të shqiptarëve”.

Por kujt po i frikësohet realisht Edi Rama?

Historia e krimeve zgjedhore në Shqipëri është e gjatë, por një nga rastet më flagrante mbetet ai i zgjedhjeve të pjesshme në Dibër në vitin 2016. Kur gazetat gjermane publikuan përgjimet e dosjes 184, e cila për vite me radhë u mbajt e kyçur në sirtarët e prokurorisë, shqiptarët dëgjuan me zë një realitet të njohur, por kurrë të ndëshkuar: kryeministri Edi Rama duke telefonuar Arben Keshin, një zyrtar i policisë që përgjohej sepse shpërndante para për vota, për t’u siguruar që fitorja e Partisë Socialiste ishte e garantuar. Në atë bisedë, Rama e pyeste Keshin nëse gjithçka ishte nën kontroll:

Përgjimi 1- Biseda e Edi Ramës me Arben Keshin

Arben Keshi: Hë shefi

Edi Rama: Hë mo si duket?

Arben Keshi: Po mirë tek pritshmëritë jemi.

Edi Rama: E ke realizuar objektivin thua?

Lexo më shumë  Konjufca takon ambasadorin e Britanisë: Mbretëria e Bashkuar mbetet një aleat kyç për Kosovën

Arben Keshi: Them se po, bazuar në ato që po na thonë komisionerët.

Edi Rama: Ashtu është?

Arben Keshi: Po them që po. (audio KËTU)

Një kryeministër që kërkon të sigurohet që “gjithçka është në vijë” në zgjedhje, duke biseduar me një drejtor policie, nuk Ishte thjesht një lapsus politik. Është një provë e qartë se shteti ishte në shërbim të fitores elektorale. Dhe sot, kur Prokuroria propozon që këto mekanizma të hetohen dhe të ndëshkohen, Rama e konsideron rikthim në “kohë të errëta”.

Nëse zgjedhjet janë të lira dhe të ndershme, nëse askush nuk blen vota apo nuk përdor shtetin për të favorizuar një forcë politike, atëherë përse ky shqetësim i kryeministrit? Pse një udhëzim që synon të ndalojë manipulimin e zgjedhjeve konsiderohet “survejim politik”?

Përgjigja është e thjeshtë: për këdo që ka ndërtuar pushtetin mbi një sistem klientelist dhe kontroll të plotë të procesit zgjedhor, çdo përpjekje për të vendosur rregulla të barabarta është një kërcënim. Ndoshta jo direkt për Edi Ramën, por për të gjithë ata deputetë dhe politikanë socialistë që shpesh duhet të përmbushin kërkesat e disa prej bandave më të rrezikshme në vend për të siguruar fitoren në zgjedhje.

Ndaj, kur prokuroria përpiqet të hetojë, politika kërkon ta frikësojë.

Por pyetja që mbetet është: a do të guxojë Prokuroria të shkojë deri në fund? Apo do të ndodhë si me dosjen 184, që u varros në arkivën e vjetër të gjykatës së Dibrës, ndërsa personazhet e përgjuar aty vijojnë të mbajnë poste kyçe në pushtet?

Këtë herë, shpresa është se përgjigjen nuk do ta marrin nga telefonatat e fushatës, por në bankën e të akuzuarve. /Lapsi.al/

YouTube player