E padukshme dhe e fshehtë: Ja si lufta hibride e Putinit po përpiqet ta përçajë Evropën
Nga Simon Tisdall “The Guardian”
Strateget e NATO-s kanë qenë gjithmonë të shqetësuar për pikën kufitare Storskog në rajonin Finmark, ku Norvegjia Arktike përballet me kërcënimin rus. Që në epokën sovjetike, kufiri prej 195 km, ishte një pikë e mundshme nga ku mund të shpërthente lufta.
Nëndetëset bërthamore të Flotës Veriore ruse, ndodhen ende në portin e Murmanskut aty pranë, në ujërat e akullta të Detit Barenc. Arsyet për t’u shqetësuar sërish mbi këtë vijë kufitare, janë shtuar ndjeshëm pas pushtimit të Ukrainës nga Vladimir Putin. Policia norvegjeze arrestoi kohët e fundit disa rusë, të pajisur me dronë dhe kamera, të cilët po tregonin një interes të pazakontë për instalimet e naftës dhe gazit.
Disa nga spiunët e dyshuar, hynë nëpërmjet pikës kufitare Storskog. Që kur Rusia ndërpreu furnizimet energjetike në Evropë në shenjë hakmarrje për sanksionet e Perëndimit – dhe pas sabotimit të tubacioneve të gazsjellësit “Nord Stream” nën Detin Baltik muajin e kaluar – Norvegjia është bërë furnizuesja më e madh me gaz e Evropës.
Dhe ndërsa qeveria e Oslos nuk po e akuzon drejtpërdrejt Moskën, ajo e di se kjo e bën atë një objektiv kryesor për operacionet e fshehta të luftës hibride ruse. Shqetësimi i veçantë përqendrohet mbi tubacionit që ndodhen nën ujërat e Baltikut, konkretisht një tubacion gazi që lidh Norvegjinë me Poloninë dhe vendet e tjera të BE-së, i cili u përurua muajin e kaluar. Shqetësimi është se ai mund të pësojë fatin e “Nord Stream”.
Në këtë epokë të re të armiqësisë Rusi-Evropë, janë në teori shumë të prekshme tubacionet jetike që furnizojnë me energji Britaninë e Madhe. “Ne jemi duke parë pasojat e situatës së re të sigurisë në Norvegji. S’mund të përjashtojmë edhe raste të tjera të ngjashme në të ardhmen”- paralajmëroi pas arrestimeve Ministrja norvegjeze e Drejtësisë, Emilie Enger Mehl.
Pas raportimeve mbi fluturimin e shpeshtë të dronëve mbi platformat e naftës dhe gazit në Detin e Veriut, Norvegjia dhe Danimarka – dhe vendet që kanë aplikuar të bëhen pjesë e NATO-s, Finlanda dhe Suedia – po forcojnë sigurinë dhe po shtojnë patrullimet detare.
Madje Finlanda planifikon ta rrethojë me tela më gjemba pjesë të kufirit të saj me Rusinë, nga frika e depërtimit të një fluksi spiunësh dhe sabotatorësh, por edhe nga një shtim i numrit të emigrantëve të paligjshëm, të nxitur me keqdashje nga Rusia, si ai që u pa në kufirin Bjellorusi-Poloni në vitin 2021.
Pika kufitare Storskog, është bërë ndërkohë e njohur për kalimin nga të rinjtë rusë që i shmangen mobilizimi ushtarak të Putinit. Lufta hibride jo-ushtarake ruse merr shumë forma, por që të gjitha ato kanë të njëjtin synim:zbatimin e “masave aktive” për të dëmtuar, ngatërruar, frikësuar, dobësuar dhe përçarë shtetet e synuara, duke mohuar përfshirjen në këtë veprimtari.
Kështu, BE-ja dhe SHBA-ja dyshojnë se ishte Putin, ai që urdhëroi sabotimin e “Nord Stream” si pjesë e luftës së tij të padeklaruar energjetike kundër Evropës. Por ai e mohon këtë akuzë, dhe Uashingtoni dhe Brukseli nuk kanë paraqitur asnjë provë.
Ndërsa po e kuptojnë se presidenti rus nuk do të ndalet para asgjëje, udhëheqësit e BE-së po pyesin veten se çfarë mund të bëjë më pas Putin për të minuar mbështetjen e tyre për Ukrainën si dhe për të dobësuar qeveritë e tyre. Putini po humbet në fushën e betejës, dhe pavarësisht kërcënimeve të tij bërthamore, i frikësohet një konflikti ballor me NATO-n, të cilin e di se mund ta humbasë.
Duke menduar në perspektivë, është logjike dhe një qasje e kujdesshme, të supozohet se një Putin i dëshpëruar dhe i pavëmendshëm do t’i kthehet gjithnjë e më shumë sulmeve hibride ndaj Evropës. Franca është e shqetësuar se në shënjestër të tij mund të jenë kabllot transatlantike të internetit, që janë thelbësore për sigurinë dhe komunikimet perëndimore.
Buxheti i qeverisë franceze për vitin 2023, ka një fond prej 3.1 milionë eurosh vetëm për mbrojtjen e “fundit të oqeanit”. Thuhet se 11 milionë euro shtesë janë caktuar për dronët dhe robotët nënujorë. “Ne kemi një infrastrukturë jetike që shtrihet përtej territorit tonë. Ato janë kabllot, satelitët dhe tubacionet e naftës dhe gazit. Ndaj e kemi përforcuar sigurinë e tyre që nga fillimi i luftës”- deklaroi së fundmi presidenti Macron.
Edhe Britania ndan të njëjtin shqetësims. Sekretari i Mbrojtjes, Ben Ëallace, ka premtuar se “anija e parë e mbikëqyrjes së oqeanit” e do të jetë funksionale që vitin e ardhshëm. Admirali Sër Tony Radakin, shefi i shtabit britanik të mbrojtjes, paralajmëroi që në janar se shkëputja e kabllove të komunikimit do të shihet si një akt lufte.
Por Britania e Madhe duket e papërgatitur. Këputja e një kabulli komunikimi nënujor që i la të izoluar banorët e ishullit Shetland javën e kaluar, nuk është sqaruar ende. Ai incident nënvizoi dimensionin e mundshëm të një lufte hibride. Zyrtarët e BE-së e pranojnë se është e pamundur që të ruhet gjithçka, nga termocentralet bërthamore, shërbimet komunale dhe sistemet kompjuterike, deri tek aeroportet dhe spitalet.
Kjo dobësi u pa shumë qartë kur sabotimi, prapa së cilit dyshohet sërish Rusia, pezulloi punën e një pjese të rrjetit hekurudhor të Gjermanisë në fillim të këtij muaji. Opsionet e luftës hibride për Rusinë shtrihen në përdorimin e fshehtë të forcave speciale dhe milicive private të mbështetura prej saj, siç janë “burrat e vegjël të veshur me të gjelbra” që u vendosën në Krime në vitin 2014.
Ato përfshijnë edhe sulmet kibernetike që mund të mohohen zyrtarisht, siç ato që pësoi Estonia në muajin gusht, lajmet e rreme dhe fushatat keqinformuese, siç atom që ndodhën gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016 në SHBA, dhe referendumi iBrexit, deri tek mashtrimi i bashkërenduar nga diplomatët rusë të shpërndarë nëpër botë.
Përdorimi i “masave aktive” nga ana e Moskës, është i vështirë për t’u provuar. NATO deklaroi në vitin 2016 se ‘veprimet hibride” kundër një ose më shumë aleatëve, do të konsideroheshin si një sulm ndaj të gjithëve sipas Nenit 5 të Traktatit të Atlantikut të Veriut.
Por problemi është ai i përkufizimit:Çfarë përbën një sulm të tillë? Një problem tjetër është dakordësimi se kush është përgjegjës për to. “Metodat hibride të luftës… janë përdorur prej kohësh për të destabilizuar kundërshtarët. Ajo që është e re me sulmet e viteve të fundit është shpejtësia, shkalla dhe intensiteti i tyre, të ndihmuara nga ndryshimi i shpejtë teknologjik dhe ndërlidhja globale”- deklaroi NATO në qershor.
Ekipet mbështetëse kundër luftës hibride ofrojnë ndihmë, por u takon kryesisht vendeve individuale që të mbroheshin nga sulme të tilla. Kërcënimet hibride po i shtohen tensioneve tashmë të mëdha politike dhe sociale të imponuara ndaj Evropës që nga nisja e konfliktit në Ukrainë.
Udhëheqësit e BE-së po përpiqen të bien dakord mbi vendosjen e një çmimi tavan të gazit, dhe mbi masa të tjera kundër krizës energjetike. Ndërkohë Franca dhe Gjermania, nuk po bien dot dakord mbi politikën e ardhshme të mbrojtjes kundrejt Rusisë. Një samit ndërqeveritar midis këtyre 2 vendeve mbi këtë çështje, i planifikuar për javën e kaluaru shty për më vonë.
Administrata e presidentit francez Emmanuel Macron po punon nën presionin e kundërshtarëve të ekstremit të djathtë dhe të majtë, grevistëve dhe protestuesve që kanë dalë në rrugë të zemëruar nga rritja e kostove të jetesës. Kancelari aspak popullor i Gjermanisë, Olaf Scholz, po përpiqet të mbajë të bashkuar një koalicion qeveritar të përçarë.
Shumica e problemeve me të cilat po përballet, burojnë drejtpërdrejt nga ndikimi gjithnjë e më i përhapur i pushtimit rus të Ukrainës. Ndarja, përçarja, destabilizimi:këto janë frytet e luftës hibride të fshehur të Putinit. Ai po humbet në terren në Ukrainë. Por a po e fiton betejën për të thyer vullnetin e Evropës për t’i qëndruar në krah Ukrainës? Dimri po vjen, dhe ai do tregojë të vërtetën. /abcnews.al/
Rruga Press