E majta italiane: Vendimi për qendrat e azilit në Shqipëri shkel të drejtat e njeriut
Qeveria italiane e krahut të djathtë e konsideroi vendimin e Këshillit Evropian për riatdhesimet dhe listën e vendeve të treta si një sukses. Ndryshe e sheh e majta italiane në opozitë. Sipas Cecilia Strada, eurodeputete për Partinë Demokratike Italiane e vetmja siguri është pezullimi i të drejtave dhe eksternalizimi përfundimtar të kufijve të Unionit”.
“Po shkojmë drejt një sistemi plotësisht arbitrar të bazuar në marrëveshje me vendet e treta, të cilat do t’i paguajmë për të marrë azilkërkuesit. Askush nuk do të ketë mjetet për të verifikuar respektimin e të drejtave të njeriut, për të mos përmendur mundësinë e qendrave të riatdhesimit në vendet e treta.
Nëse kjo do të thotë që qendrat në Shqipëri do të jenë plotësisht funksionale mbetet për t’u parë. Si qendra riatdhesimi? Ndoshta. Por si qendra për procedura të përshpejtuara kufitare, që është qëllimi për të cilin u ndërtuan, jo.

Kjo është arsyeja pse ato vazhdojnë të funksionojnë jashtë rregullave. Ata që thonë se kjo do të bëjë të mundur dallimin e shpejtë midis migrantëve të ligjshëm dhe të paligjshëm pavarësisht brutalitetit të mënyrës së të folurit dhe të menduarit për migracionin e dinë shumë mirë se kjo prirje nuk do të ndihmojë për të dalluar më mirë se kush ka të drejtë për azil apo jo.
Ata thjesht po tërheqin një vijë ndarëse midis qenieve njerëzore të klasit të parë, për të cilët të drejtat ende vlejnë, dhe njerëzve të klasit të dytë, fati i të cilëve do të jetë gjithnjë e më shumë të bëhen monedha negociuese elektorale.
Të paktën qeveria e krahut të djathtë do të gjente guximin të pranonte se dëshiron ta shkatërrojë sistemin e azilit ashtu siç e ndërtuam ne pas tragjedive të shekullit të 20-të” – deklaroi Strada.
Rruga Press

