Dyshimet për shpërdorim detyre! Prokuroria nis hetimet për Armando Dukën
Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Hetimet janë nisur pas referimit të bërë nga Policia e Shtetit, për veprat penale të “Shpërdorimit të Detyrës” dhe “Vjedhje duke shpërdorur detyrën”.
Bashkia e Tiranës deklaroi ditën e djeshme që në cilësinë e aksionerit të Klubit të Futbollit, të fillonte një hetim kombëtar dhe ndërkombëtar për shkeljet dhe korrupsionin 20 vjeçar të Armando Dukës në Federatën Shqiptare të Futbollit.
Në njoftimin e lëshuar nga Bashkia për këtë çështje, thuhej se prej dy javësh, një skuadër juristësh shqiptarë, amerikanë dhe britanikë po asistojnë aksionerin e Tiranës në një dosje voluminoze shkeljesh, për t’ia prezantuar FBI, DEA, NCA, Scotland Yard, SPAK, Prokurorisë së Tiranës, Krimit Ekonomik, Agjencisë së Pastrimit të Parave, AMA, Hetimit Tatimor, AKU, si dhe ambasadave Amerikane e Britanike në Tiranë.
Me shkresën me nr. 23859 prot. më datë 26.11.2021, është referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqesor Tiranë materiali procedurial për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i k. Penal në ngarkim të drejtuesve e punonjësve të Federatës Shqiptare të Futbollit. Në lidhje me këtë çështje është dërguar material shtesë me shkresën 23859/k/1, prot më datë 03.12.2021. Gjithashtu, me shkresën 23859/k/2 prot. më datë 16.12. 2021, është dërguar sërish material shtesë. Burime të prokurorisë së Tiranës konfirmojnë se çështjes do t’i shtohen dhe dy prokurorë të tjerë për të përshpejtuar hetimin.
Rruga Press