Dyshimet për keqpërdorime në njësitë për patentë-shoferë në Kosovë, Durimishi: Kemi të bëjmë me ndërmarrje kriminale
Ka nisur konferenca e zëvendësministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishit për të gjeturat dhe keqpërdorimet në njësitë për patentë-shoferë në Kosovë.
Durmishi gjatë konferencës ka thënë se gjatë këtyre tri viteve kanë bërë përpjeke maksimale që situata për patent shofer të stabilizohet.
Ai tha se përkundër punës së tyre të vazhdueshme, fatkeqësisht keqbërësit gjejnë forma e metoda të ndryshme që të korruptojnë sistemin dhe pajisja me patent shofer të bëhet në kundërshtim me ligjin.
“Detyra jonë është që t’i luftojmë fuqishëm këto dukuri dhe për çdo dyshim më të voglin të marrim masa dhe t’i njoftojnë organet e drejtësisë. Pajisja me patentë shofer me metoda korruptive është krim. Pasi ata shofer që sot po flasim ndodhen në komunikacion, rrezikojnë veten dhe jetën e të tjerëve. Shumica e aksidenteve po bëhet për shkak të mos respektimit të rregullave në trafik, prandaj lufta jonë ndaj atyre që janë të përfshirë do të jetë e pa kompromis”, ka thënë Durmishi.
Durimishi duke folur për të gjeturat në njësitë për patentë-shoferë tha se dyshimet janë se rastet kanë të bëjnë me ndërmarrje kriminale.
“Nga ajo që kemi gjetur deri më tani kemi gjetur që bëhet fjalë për një ndërmarrje të gjerë kriminale e cila mbetet të vërtetohet nga organet e drejtësisë. Dyshimet tona kanë filluar nga informatat e shumta që na dërgonin qytetarët. Pas analizimit të statistikave vjetore që jemi njoftuar nga departamenti na kanë njoftuar që ka dyshime për keqpërdorime të shumta…”, u shpreh ai.
Ai tha se ka qindra raste të dyshuara për keqpërdorime dhe qyteti që prin është Peja.
“Ka raste kur ka rënë 10 herë në Prishtinë dhe ka shkuar pastaj në Pejë”, tha ai.
Ndryshe, ditë më parë Ministria e Infrastrukturës ua ka ndërprerë marrëdhënien e punës tre ekzaminerëve të angazhuar në departamentin për patentë shofer.
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, kishte thënë se vendimi është marrë pas informatave për dyshime të bazuara në keqpërdorime të mëdha në procesin e punës.
Rruga Press