DY VJET LUFTË ME PADITURINË
Që prej fillimit të pandemisë, së bashku me shumë kolegë të tjerë po luftojmë përditë jo vetëm me paaftësinë dhe papërgjegjshmërinë e qeverisë, ministrisë dhe komitetit, por edhe me paditurinë.
Padituria herë merr formën e një konspiracionisti, herë atë të një përfaqësuesi antiestablishment, herë atë të një dashnori të lirisë dhe jo rrallë, fatkeqësisht, shfaqet pas një tjetër bluze të bardhë të vendosur në anën e gabuar të barrikadës.
Viti 2020 kaloi duke u mbushur mendjen qytetarëve të terrorizuar nga sharlatanët se 80% e të infektuarve nuk kishin nevojë për asnjë trajtim apo ekzaminim. I vetmi shpenzim i justifikuar ishte blerja e një puls oksimetri për ndjekjen e ecurisë së sëmundjes.
Vetëm një pjesë e vogël e qytetarëve na dëgjoi!!!
Çdo person që niste kollitej sado pak, u bë pre e mashtruesve dhe të paaftëve. Një listë e gjatë me analiza, referim për skaner dhe një recetë bombastike me antibiotikë e çoi faturën më të thjeshtë të trajtimit të COVID-it në 1 mijë euro. Jo rrallë, këto mjekime ishin përgjegjëse për dëmtimin e shëndetit, madje edhe për humbjen e jetës.
Kur një pacient zhvillonte forma pak më të rënda të sëmundjes, fatura rëndohej në mënyrë eksponenciale! Me mesazh vinte receta me remdesivir, ku kura niste me 3 mijë euro dhe përfundonte me aq sa t’i donte qejfi “kompetentëve”. Përsëri pa asnjë referencë të besueshme dhe në kundërshtim me çdo protokoll të miratuar në vendet perëndimore!
Personalisht kam dhjetëra statuse dhe intervista kundër kësaj batërdie. Të gjitha janë online dhe lehtësisht të verifikueshme. Një njeriu normal do t’i mjaftonte kjo betejë imja një vjeçare për t’i mbushur mendjen se nuk kam patur dhe nuk kam ndonjë interes komercial dhe nuk i kam “shitur shpirtin” asnjë kompanie farmaceutike apo biznesi privat.
Mbi të gjitha, është tregues i faktit se unë dhe shumë kolegë të tjerë i jemi referuar në çdo moment njohurive, protokolleve dhe përvojës së vendeve lider në mjeksinë botërore, SHBA-ve, Gjermanisë, Anglisë, etj.
Ç’po ndodh sot?
Me të njëjtët kolegë që bënim thirrje për të qëndruar larg mjekimeve të panevojshme vjet, po u rekomandojmë qytetarëve të vaksinohen. Të vaksinohen të moshuarit, të rriturit, të rinjtë dhe fëmijët. Përsëri po bazohemi tek njohuritë, rekomandimet dhe protokollet e të njëjtave vende perëndimore.
Për koincidencë, sërish shumë pak dëgjohemi!
Ata që blinin remdesivirin e paefektshëm për 3 mijë euro, sot flasin kundër vaksinës e cila tashmë është provuar se ul rrezikun e vdekjes me 10 herë!
Ata që ishin gati të aplikonin klorokinën dhe favirën pa u bazuar në asnjë evidencë të vetme, sot refuzojnë vaksinën të cilën e rekomandojnë EMA, FDA dhe një duzinë agjencish nga më prestigjiozet!
Ata që dje nuk kërkonin asnjë studim për të përdorur azitromicinën, doksiciklinën, deksametazonin, vitaminën C, xarelto-n, favirën, remdesivirin, plazmën hiperimune, etj., papritur sot kërkojnë qimen në vezë për çdo efekt të dyshuar apo imagjinar të vaksinës.
Ndërkohë që një medikament në dukje “i pafajshëm” si aspirina shkakton 20 vdekje për 1 milion banorë në vit, anti-Vax-ët kërkojnë llogari për çdo efekt anësor të vaksinës, madje edhe për ato “pasoja” që shpik imagjinata e tyre e shfrenuar!
Shqiptarë!
Pjesën më të madhe të 16 mijë fatkeqëve që vdiqën nga COVID-i i vrau papërgjegjshmëria e qeverisë, ministrisë dhe komitetit të marionetave politike.
Por një pjesë jo të vogël të tyre, i vranë mjekimet e papërgjegjshme të marra pa asnjë logjikë mjeksore nën presionin e injorantëve dhe makutëve.
Sot këta injorantë mund të vrasin sërish duke ju mbajtur ju dhe fëmijët tuaj larg vaksinës.
Mos i lejoni!
E deklaroj këtë si një ekspert dhe mik që nuk ka as edhe interesin më të vogël pas vaksinave dhe si një person që jap prej një viti e gjysmë këshilla që po të ishin dëgjuar, do të kishin shpëtuar me qindra jetë!
Kush vaksinohet sot, e pret një dimër shumë më i sigurt dhe më i shëndetshëm!
Nuk e them unë! E thotë çdo institucion dhe shkencëtar prestigjioz sot në botë!
Është përafrimi që po ndjek sot Bashkimi Europian, Mbretëria e Bashkuar, SHBA-të, Izraeli dhe çdo vend tjetër i përgjegjshëm.
Besojeni dhe zbatojeni!
Sa më shpejt, aq më mirë!
Rruga Press