Dy koncesionet e shëndetësisë/KLSH:10.5 mln euro janë paguar për shërbimet e pakryera
Tre koncesione të shëndetësisë janë marrë në analizë nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) sa i takon pagesave që janë bërë ndaj tyre nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
Një raport me 461 faqe i audituesve të KLSH-së ka dalë në përfundimin se paratë publike po gërryhen ndër të tjera nga shërbime të pakryera por të paguara karshi kompanive që kanë fituar të drejtat koncesionare. Janë miliona euro që kanë humbur përgjatë këtyre viteve me shërbime që kompanitë nuk i japin por i faturojnë, madje disa sipas KLSH janë paguar edhe dy herë teksa shërbimi është ofruar në spitalet publikë më mjetet e tyre ende pa nisur koncesioni por faturat i janë paguar koncesionarit. Por cilat janë në fakt këto tre konceisone dhe gjetjet e KLSH sa i takon atyre?
Sipas KLSH, vetëm nga koncesioni i check up janë rreth 930 milionë lekë për shërbime të pakryera deri në vitin 2018, ndërsa për koncesionin e hemodializës shuma arrin në 352 milionë lekë për periudhën 2016-2020. Në total janë rreth 1.3 miliardë lekë, ose 10.5 milionë euro.
Koncesioni i CHECK UP
I pari është koncesioni i kontrollit bazë të popullsisë apo siç njihet ndryshe ai i “Check up”.
“Gjatë vitit 2019 FSDKSH ka kryer pagesa për shërbimin parësor për kontrollin bazë (CHECKUP), për shoqërinë “3P L L shpk”, në vlerën 876.1 milion lekë, kontabilizuar në llogarinë 606/00214 për muajt nëntor 2018 deri më tetor 2019. Për vitin 2019, numri kontrolleve të realizuara është 482,716 raste, ose 7,716 raste më shumë nga projeksioni vjetor prej 475,000 raste (janar-dhjetor 2019), ky vit është viti i parë që është plotësuar dhe tejkaluar projeksioni.
Fondi ka paguar numrin e rasteve sipas projeksionit. Nga 475,000 raste sipas projeksionit dhe pagesës këtë vit janë paguar shërbime të pakryera për 2,840 raste, në vlerën 5,238 mijë lekë. Edhe për vitin 2019, vijojnë të pranohen dhe likuidohen faturat tatimore mujore të Check-up, lëshuar nga koncesionari, në vlerën totale 876 milion lekë, në të cilën përfshihet edhe TVSH në masën 20% (vlera respektive 146,015 mijë lekë) mbi vlerën e shërbimit shëndetësor, ndërkohë që ky shërbim duhet të trajtohet si Furnizim i Përjashtuar nga TVSH, sipas përcaktimit ligjor 451 në nenin 51 pika c e ligjit nr.92/2014, datë 24.07.2014 “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në RSH”, i ndryshuar” parashtron KLSH.
Por teksa në vitin 2019 pati tejkalim të projeksionit nuk ka ndodhur kështu në disa vite të mëparshme rresht dhe ku shërbimet e pakryera janë paguar në një vlerë të akumuluar që arrin 930 milionë lekë.
“Pagesat e marrë nga koncesionari, për punën e kryer për vitet 2015, 2016, 2017, 2018 dhe 2019, është për vlerën e projeksionit në shumën 4,234.4 milion lekë dhe jo për shërbimin faktik, në shumën 3,304.4 milion lekë, ndërsa vlera prej 930 milion lekë, është vlerë e financuar për raste të pakryera (diferencë midis vlerës së projeksionit për këto vite prej 475 mijë në vit, me rastet e kryera faktikisht), nga e cila vlera e shpenzimeve variabël 202 milion lekë, ndërsa vlera e TVSH së likuiduar është gjithsej deri në vitin 2019 në shumën 706 milion lekë” thuhet në auditim.
Koncesioni i Hemodializës
Sa i takon koncesionit të dytë në shëndetësi që është ai për ofrimin e hemodializës në 5 rajone të vendit audituesit kanë konstatuar se janë bërë pagesa për fatura kur ende nuk kishte nisur dhënia e shërbimit dhe kjo për një periudhë të konsiderueshme. Madje faturat që janë kthyer në titull ekzekutiv i kanë kushtuar jo pak problematika institucioneve në dyert e gjykatave. kontrata koncesionare parashikon dhënien e shërbimit për pacientët e kualifikuar të cilët do të marrin 156 seanca në vit apo 13 në muaj.
Kontrata konceisonare mbart një problematikë sipas KLSH që lidhet me seancat e pakyrera. Në njërën atë ato paguhen ndërsa në anën tjetër përcaktohet se nëse paguhet një seancë dhe verifikohet që nuk është kryer cilësohet dëm ekonomik.
“Nga auditimi konstatohet se nga FSDKSH paguhen edhe seancat mbi vlerën e projektuar të aneksit të kontratës, edhe seancat e parealizuara sipas projeksioneve për rajonet përkatëse, duke paguar kosto shtesë për buxhetin e shtetit dhe për shërbime të pa ofruara.
Në këtë mënyrë konstatohen përcaktime konfliktuale në kontratën e financimit përsa i përket pagesës për rastet e shërbimeve të pakryera, të përkufizuara si rastet nën projeksion. Nga njëra anë përcaktohet që paguhen sipas projeksionit dhe nga ana tjetër përcaktohet që rastet e paguara të cilat nuk janë kryer përbëjnë dëm ekonomik. Pra, në të njëjtën kontratë financimi parashikohet edhe pagesa për rastet e pakryera edhe konsiderimi si dëm ekonomik i pagesës së rasteve kur vërtetohet se shërbimet e pretenduara nuk janë kryer. Në total, efekti i financimit të shërbimit të pakryer që në implementimin e kësaj kontratë koncesionare (në vitin 2016) e deri në fund të vitit 2020 (duke përfshirë edhe vlerën e faturave të shndërruara në titull ekzekutiv me vendim gjyqësor trajtuar në një tjetër gjetje nga auditimi) vlerësohet në shumën 352,334,350 lekë. Mbështetur në nenin 10.1 të kontratës së financimit të lidhur ndërmjet palëve si dhe ligjit për FSDKSH, pagesa e rasteve të pakryera të cilat kalojnë edhe projeksionin e paraqitur në Dokumentet Standardë të koncesionit, pjesë e kontratës së koncesionit, paraqet përdorim pa efektivitet të buxhetit të fondit” thuhet në raport.
Koncesionari ka marrë përmes përmbarimit edhe një shumë 115 milionë lekë e cila lidhet me mosmarrëveshjen që ka koncesioni me autoritetin kontraktor dhe që lidhet me datën e fillimit të shërbimit.
Koncesioni për setin kirurgjikal
Një tjetër koncesion është ai i ““Shërbimit të Integruar të Furnizimit të Setit të Personalizuar të Instrumenteve Kirurgjikale Sterile dhe Furnizim me Materiale Mjekësore Sterile”.
KLSH nënvizon se në total shërbimi i kryer dhe i monitoruar për vitin 2019, në Spitalet Universitare (DAPSHET) dhe në Spitalet Rajonale (Drejtoritë Rajonale të Fondit) është në vlerë 1,684.7 milion lekë, në krahasim me 2,087.5 milion lekë realizuar e monitoruar në vitin 2018, pra këtë vit pra është realizuar 403 milion lekë, ose 19.3% më pak se një vit më parë.
“Paketa e llojit “Kompleksiteti i lartë” është realizuar 25% më pak se një vit më parë, “Kompleksiteti i mesëm” është realizuar 39% më shumë se një vit më parë, “Kompleksiteti i ulët” është realizuar 53% më pak se një vit më parë, ndërsa “Sterilizimi instrumenteve me avull” është realizuar 82% më shumë se një vit më parë. Këtë vit është paguar edhe detyrimi i prapambetur dhe likuidimi i muajve nëntor dhjetor 2018 të vitit të kaluar në shumën 614 milion lekë, prandaj shuma e likuidimit është 2,163 milion lekë. Në total shërbimi i likuiduar për vitin 2019, është në shumën 2,163 milion lekë, në krahasim me 1,487 milion lekë në vitin 2018, pra është likuiduar 685 milion lekë, ose65.1% më shumë se një vit më pare” thuhet në auditim.
KLSH ka rekomanduar rishikim të konstratës koncesionare mënyrë që të ri formatohen grupet e kompleksiteteve sipas llojit të ndërhyrjes, të ri formatohen pajisjet e domosdoshme për çdo lloj diagnoze dhe ndërhyrje, si dhe të strukturohet qartë çmimi për çdo paketë, duke eliminuar kostot që mbulohen nga strukturat spitalore (si p.sh. energji, ujë etj.), sepse amendimi i kontratës me nr.228, date 15.01.2020, ka rishikuar vetëm Kontratën e Financimit për tejkalimin e kufirit të 63,000 ndërhyrjeve në vit. /MONITOR