KryesoreLajme

Dy gazetarë nga Tirana dhe Prishtina, (Gerta Zaimi, Lirim Memetaj) kanë udhëtuar në Tirolin e Jugut me arsyetimin se po kërkojnë modele funksionale autonomie për komunat me shumicë serbe. Por, në të vërtetë, pas këtyre udhëtimeve “hulumtuese” fshihen interesa dhe agjenda që nuk kanë të bëjnë me barazi të drejtash, por me synime për të krijuar struktura paralele që minojnë funksionimin e shtetit të Kosovës

Shkruan Sabit Pacolli

Pse këto “studime” për autonominë janë pjesë e një loje të rrezikshme politike

Kohët e fundit, dy gazetarë nga Tirana dhe Prishtina, (Gerta Zaimi, Lirim Memetaj) kanë udhëtuar në Tirolin e Jugut me arsyetimin se po kërkojnë modele funksionale autonomie, të cilat, sipas tyre, mund të përshtaten edhe në Kosovë, veçanërisht për komunat me shumicë serbe. Ata pretendojnë se Kosova, si shtet i ri, nuk i ka arritur ende standardet e mbrojtjes së pakicave, siç ekzistojnë gjoja në vende të tjera. Por, në të vërtetë, pas këtyre udhëtimeve “hulumtuese” fshihen interesa dhe agjenda që nuk kanë të bëjnë me barazi të drejtash, por me synime për të krijuar struktura paralele që minojnë funksionimin e shtetit të Kosovës.

Të rikujtojmë se çështja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe ka qenë e pranishme prej vitit 2013, kur Serbia dhe Kosova arritën një marrëveshje nën presionin ndërkombëtar. Që nga ajo kohë, Serbia e ka shfrytëzuar këtë temë për të bllokuar funksionimin e plotë të shtetit të Kosovës, ndërsa në anën tjetër, disa qarqe të caktuara, përfshirë edhe këta gazetarë, tentojnë t’i japin kësaj çështjeje ngjyrim “akademik” e “hulumtues”, duke e paraqitur si një kërkim për modele evropiane të autonomisë.

Lexo më shumë  Presidenti serb kërcënon me hakmarrje pasi planet për Kullën Trump në Beograd u penguan

Por realiteti i Tirolit të Jugut është krejt tjetër. Ai ka lindur si kompromis pas një historie të dhunshme mes Austrisë dhe Italisë, e ku parimi kryesor është njohja e pakicës gjuhësore gjermane brenda shtetit italian, jo krijimi i strukturave që sfidojnë sovranitetin shtetëror. Në rastin e Kosovës, kërkesat për Asociacion me kompetenca ekzekutive shkojnë përtej çdo modeli evropian, duke synuar krijimin e një “entiteti” që do të përdorej nga Serbia si instrument i destabilizimit të brendshëm.

Është për të ardhur keq që edhe sot, kur Kosova përballet me sfida serioze shtetformuese dhe presione ndërkombëtare, disa “gazetarë” marrin përsipër të justifikojnë projekte të rrezikshme politike duke u fshehur pas “studimeve” në Tirolin e Jugut. Ata nuk janë as studiues, as ekspertë të çështjeve të autonomisë, por shërbyes të axhendave që synojnë dobësimin e shtetit të Kosovës.

Këto përpjekje nuk duhet të na mashtrojnë. Sovraniteti dhe funksionaliteti i shtetit të Kosovës nuk negociohet me modele që janë të papërshtatshme për rrethanat tona. Të drejtat e pakicave duhet të garantohen sipas standardeve evropiane, por gjithmonë brenda rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, pa krijuar struktura që rrezikojnë integritetin territorial dhe funksionimin shtetëror.

S. P-Gilmivada

Rruga Press

YouTube player