Bota

DW: Lufta për Kievin

Luftimet në Ukrainë vazhdojnë. Ushtria ukrainase njoftoi të shtunën se po luftohet për kryeqytetin Kiev. “Fati i vendit vendoset tani”, tha presidenti Zelensky. Disa vende të BE dërgojnë armë e ndihma në Ukrainë.

Në luftën agresore të Rusisë kundër Ukrainës luftimet po zhvillohen për Kievin. Sipas ushtrisë ukrainase të shtunën ajo ka mundur të zmbrapsë një sulm të forcave ushtarake ruse ndaj një objektivi të rëndësishëm të qytetit. Të shtunën njoftohet nga një media ruse, se Rusia ka vënë nën kontroll qytetin Melitopol, por Britania e Madhe ka shprehur dyshime.

Nga sulmet e forcave ruse në Ukrainë, sipas të dhënave të autoriteteve ukrainase kanë humbur jetën deri të shtunën 198 vetë. Mes viktimave janë edhe tre fëmije, bëri të ditur ministri ukrainas i Shëndetësisë, Viktor Ljashko të shtunën, sipas agjencisë gjermane të lajmeve dpa. 1115 vetë janë plagosur, mes tyre 33 fëmijë. Të dhënat vështirë se mund të verifikohen.

Qindra mijëra ukrainas kanë marrë arratinë. Të shtunën Ministria e Brendshme polake bëri të ditur, se nga fillimi i luftimeve kanë mbërritur në Poloni 100.000 refugjatë ukrainas.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky kishte paralajmëruar që më parë ndaj një sulmi të gjerë të forcave ruse kundër Kievit. “Fati i vendit vendoset pikërisht tani”, ka thënë presidenti ukrainas në një mesazh në kanalin e tij në Telegram dhe ka bërë thirrje për mbrojtjen e Kievit. “Armiku do të përdorë të gjithë forcat që ta mposhtë rezistencën. Kemi përpara “ofensivën kundër Kievit”, ka thënë Zelensky. Më vonë në një njoftim tjetër ai doli në video për të provuar praninë e tij në Kiev. “Jam këtu”, tha presidenti në një video të vetëfilmuar. “Nuk do t’i lëshojmë armët. Ne do ta mbrojmë shtetin tonë.”

Lexo më shumë  Ushtarët rusë po vdesin masivisht në Ukrainë

Ndihma humanitare dhe ushtarake për Ukrainën

Në një konferencë për Ukrainën, sipas të dhënave britanike një sërë shtetesh kanë premtuar “ndihma ushtarake dhe humanitare”. Po shihen të gjitha mundësitë për të mbështetur Kievin në mbrojtjen e tij kundër “invazionit të pashkak dhe ilegal të Putinit”, tha ministri britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace. Në konferencën e zhvilluar të premten në mbrëmje, thuhet se Britania e Madhe do të ndihmojë Kievin me municione dhe armë anti-tank, si edhe të organizojë “operacionet logjistike për të dërguar donacionet” në Ukrainë. Danimarka do të dërgojë 2000 jelekë antiplumb dhe 700 paketa trajtimi shëndetësor, Gjermania dorëzoi 5000 helmeta të shtunën.

Lexo më shumë  Konfirmohet përbërja e re – Komisioni i ri i Ursula von der Leyen merr miratimin përfundimtar

Ukraina do të furnizohet me armë nga Holanda, që ka bërë të ditur, se do të furnizojë këtë vend me 200 raketa antiajrore të tipit “Stinger”. Këtë e ka kërkuar qeveria në një letër dërguar parlamentit. Në fillim të muajit Holanda premtoi se do të dërgojë municion, armë dhe sisteme radari në Ukrainë. Po ashtu të shtunën u bë e ditur, se personeli holandez i ambasadës do të kalojë në Poloni për shkak të keqësimit të gjendjes së sigurisë edhe në Lviv. Edhe Çekia do të dërgojë armë në Ukrainë në vlerë 7,6 milionë euro. Bëhet fjalë për kallashnikovë e armë të tjera. Edhe Sllovakia ka bërë të ditur të shtunën, se do të dërgojë armë në vlerë 2,6 milionë euro në Ukrainë.

Medvedev: Operacioni ushtarak vazhdon megjithë sanksionet

Ish-presidenti rus dhe i besuari i Putinit, Dmitri Medvedev është shprehur se Rusia do të vazhdojë operacionin e saj megjithë sanksionet e perëndimit. “Operacioni ushtarak në mbrojtje të Donbasit do të vazhdojë deri në arritjen e plotë të objektivave. As më pak e as më shumë”, shkroi ai në rrjetin social VKontakte. Medvedev i cilësoi operacionet e perëndimit si “pafuqi politike, që rrjedh nga paaftësia për të ndryshuar kursin e Rusisë“./DW

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *