Bota

DW: Gjermania dhe Izraeli do të prezantojnë në OKB rezolutë kundër mohimit të Holokaustit

80 vjet pas Konferencës së Wannsees Gjermania dhe Izraeli do të prezantojnë në OKB rezolutë kundër mohimit të Holokaustit. Iniciativa u mor nga ambasadorja gjermane në Izrael dhe kolegu i saj izraelit në Berlin.

Me rastin e 80-vjetorit të Konferencës së Wannsee-së, Gjermania dhe Izraeli denoncuan mohimin dhe banalizimin e Holokaustit.

Në një artikull të botuar në gazetat “Tagesspiegel” dhe në të përditshmen izraelite “Maariv”, ambasadorja gjermane në Izrael, Susanne Wasum-Rainer dhe ambasadori izraelit në Gjermani, Jeremy Issacharoff, denoncuan se faktet e Holokaustit ende mohohen. Për më tepër, relativizohet karakteri i jashtëzakonshëm historik i Holokaustit. Kjo nuk është e përhapur vetëm në mesin e radikalëve politikë, por një fenomen social, ndërkombëtar.

Për këtë arsye, Gjermania dhe Izraeli do të paraqesin në Kombet e Bashkuara një rezolutë kundër mohimit të Holokaustit.

“Kjo rezolutë ka për qëllim të jetë një shenjë shprese dhe frymëzimi për të gjitha shtetet dhe shoqëritë që mbrojnë diversitetin dhe tolerancën, përpiqen për pajtim dhe kuptojnë se kujtimi i Holokaustit është thelbësor për të parandaluar që krime të tilla të përsëriten,” shkruajnë Wasum- Rainer dhe Issacharoff.

Lexo më shumë  OBSH: Deri në vitin 2050, rreth 1,2 miliardë njerëz mund të zhvendosen prej klimës

Thirrje për një përkufizim të unifikuar të antisemitizmit

Mohimi i Holokaustit nuk është vetëm një sulm ndaj viktimave të gjenocidit dhe pasardhësve të tyre, ndaj hebrenjve anembanë botës dhe ndaj shtetit të Izraelit – por edhe “mbi kushtin bazë të shoqërive paqësore dhe bashkëjetesës paqësore në mbarë botën”.

Si masa kundër mohimit të Holokaustit, ata propozojnë një përkufizim të unifikuar të antisemitizmit dhe investime në arsim dhe ndërgjegjësim. Gjithashtu, duhet të parandalohet relativizimi i Holokaustit në rrjetet sociale.

Përgjegjësi e Ministrisë së Jashtme

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë Annalena Baerbock pranon se Ministria e Jashtme Federale është pjesërisht fajtore për Holokaustin. “Ne nuk do ta harrojmë kurrë atë që u bëri Gjermania atyre”, thotë ajo, sipas një deklarate nga Ministria e Jashtme. “Faj për vuajtjet e tyre kanë edhe zyrtarët e Ministrisë së Jashtme që e vunë veten në shërbim të krimeve dhe gjenocidit të regjimit nazist”.

Lexo më shumë  Bllokohet nisma hungareze për avancimin e integrimit të Serbisë në BE

Kushdo që mban përgjegjësi në shërbimin civil, para së gjithash duhet të jetë i përkushtuar ndaj ligjit dhe njerëzimit. Prandaj një pjesë integrale e trajnimit në Ministrinë e Jashtme gjermane është trajtimi në mënyrë kritike i nacionalsocializmit. Punonjësit në mbarë botën sensibilizohen për të dalluar antisemitizmin dhe tani e tutje kjo do t’u kujtohet në Ditën e Përkujtimit të Holokaustit më 27 janar.

I ngarkuari i qeverisë federale për antisemitizmin, Klein, kërkoi që ata që po shkollohen si mësues të vizitojnë Shtëpinë e Konferencës në Wannsee ose memorialet e kampeve të përqendrimit. Mësuesit kanë një përgjegjësi të veçantë në edukimin e fëmijëve dhe të rinjve në shkolla. Klein u tha gazetave të grupit mediatik Funke se edhe 77 vjet pas Holokaustit, Gjermania nuk e ka kapërcyer antisemitizmin.

Më 20 janar 1942, zyrtarët nazistë diskutuan shfarosjen dhe vrasjen sistematike të deri njëmbëdhjetë milionë hebrenjve në Evropë në një vilë në buzë liqenit Großer Wannsee në Berlin. Konferenca e Wannsee-së konsiderohet një ngjarje kryesore e Holokaustit.

Rruga Press

YouTube player