Bota

DW: Edhe pse kohë Covid-i, rriten çuditërisht eksportet e mallrave gjermane

GJERMANI – Pavarësisht pandemisë dhe pengesave në zinxhirët e furnizimit me lëndë të parë, eksportet gjermane çuditërisht u rritënmë fuqishëm në tetor. Eksporti është rritur me 4,1 përqind krahasuar me muajin e kaluar, njoftoi të enjten Enti Federal i Statistikave. Kjo është rritja më e madhe që nga korriku 2020. Ekonomistët e anketuar nga Reuters kishin pritur rritje prej vetëm 0,9 përqind. Para kësaj, eksportet ishin tkurrur me gati 1% për dy muaj rresht. Edhe importet u rritën në tetor për të tretin muaj me radhë, me një rritje të lartë prej 5,0 përqind.

Kryeekonomisti i Bankhaus Lampe, Alexander Krüger thotë se “efektet e rritjes në sektorin e automjeteve ka të ngjarë të kenë kontribuar ndjeshëm edhe në rritjen e eksporteve”. Por problemet në logjistikë dhe pandemia mund të pengojnë sektorin e eksportit në çdo kohë. Ndaj për momentin nuk priten rritje tepër të mëdha. Lajmi vërtet i mirë është se në Gjermani po mbërrijnë sërish shumë mallra të kërkuara, shtoi shefi i VP Bank, Thomas Gitzel, duke folur për rritjen e madhe të importeve. “Prandaj industria gjermane mund të presë jo vetëm eksporte të mira, por edhe një fluks të lartë materiali nga jashtë”, tha ekonomisti. “Kjo sinjalizon një relaksim të caktuar në furnizimin me materiale.”

Lexo më shumë  Ndihma norvegjeze për Ukrainën do të arrijë në 2.7 miliardë dollarë në 2025

Parandalohet rënia e fuqisë ekonomike

Për Sebastian Dullien, rritja e madhe e eksporteve dhe importeve “shton shanset që ekonomia gjermane të jetë në gjendje të shmangë një mini-recesion në fund të vitit, për shkak të valës së katërt të Coronës”, thotë drejtori i Institutit për Makroekonominë (IMK). Shifrat e tregtisë së jashtme treguan se problemet e zinxhirit të furnizimit në industri po kalohen gradualisht. Nëse trendi vazhdon, rimëkëmbja në industri do të vinte në një kohë kur kufizimet e kontaktit dhe ngurrimi në rritje i konsumatorëve nga frika e infeksioneve në Gjermani po zbehin aktivitetin në hotelieri, gastronomi, tek ofruesit e shërbimeve për relaksim në kohën e lirë dhe shitësit me pakicë. “Kjo mund të parandalojë një rënie të lartë të prodhimit ekonomik, siç ishte në fillim të 2020 dhe në fillim të 2021.”

Për Dirk Jandura, kryetar i Shoqatës Federale të Shitjes me Shumicë, Tregtisë së Jashtme dhe Shërbimeve (BGA), ky është “një lajm vërtet i mirë duke pasur parasysh problemet e shumta në zinxhirët e furnizimit në fillim të tremujorit të katërt”. Megjithatë, sfidat strukturore për kompanitë mbeten. Kaosi në logjistikë ka të ngjarë të zgjasë edhe për disa muaj. Mungesa e kontejnerëve, mungesa e punëtorëve të kualifikuar dhe shpërthimet rajonale të Coronës kanë lënë pasoja. “Si rrjedhojë, do të vazhdojnë të mbeten edhe ca kohë kostot e larta që rezultojnë edhe në procesin e shitjes dhe blerjes. Për momenin nuk ka në horizont as ndonjë lehtësim në pengesat e furnizimit me lëndët e para dhe produktet e domosdoshme për prodhim.”

Lexo më shumë  Rutte kërkon ndryshimin e trajektores së luftës në Ukrainë

Në total, kompanitë gjermane kanë shitur mallra me vlerë prej 121,3 miliardë euro jashtë vendit. Krahasuar me tetorin e vitit 2020, kjo është një rritje prej 8,1 për qind. Eksportet drejt klientit më të rëndësishëm, SHBA-së, janë rritur me 11,4 përqind – me një total prej rreth 11 miliardë euro, ndërsa ato drejt Kinës u rritën me 8.5 përqind – në 9.4 miliardë euro. Shitjet në vendet e BE-së janë rritur me 11,6 përqind, në një vlerë prej 66,7 miliardë euro.

Dhoma Gjermane e Tregtisë dhe Industrisë (DIHK) pret që eksportet gjermane të rriten me rreth 7,5 përqind këtë vit. Në vitin 2022 duhet të ketë një plus të ngjashëm prej rreth 7,0 përqind. Ndërsa me 2020ka pasur një rënie të ndjeshme për shkak të Coronës. (DW)

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *