Durrësi me numrin më të lartë të veturave në raport me popullsinë, Mercedes Benz më i preferuar për shqiptarët
Banorët e Qarkut të Durrësit kanë numrin më të lartë të automjeteve në raport me popullsinë, për vitin 2020.
Sipas të dhënave të INSTAT, në Durrës ka të regjistruara gjithsej rreth 72 mijë automjete ose 247 automjete për 1,000 banorë. Vendin e dytë e zë Tirana me 218 automjete për 1,000 banorë, e ndjekur nga Gjirokastra me 210 vetura, Vlora me 194 vetura dhe Shkodra me 192 vetura.
Qarqet që kanë më pak automjete në raport me popullsinë janë Korça me 128 vetura dhe Dibra me 124 vetura.
Në vlerë absolute, numri më i lartë i mjeteve rrugore është regjistruar në qarkun e Tiranës për vitin 2020, duke zënë 36.8 për qind ndaj mjeteve rrugore gjithsej të regjistruara në vend.
INSTAT raporton numrin gjithsej të mjeteve rrugore me status “aktiv” dhe “të çregjistruar përkohësisht”.
Të dhënat e tjera të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor tregojnë se vitin e kaluar Shqipëria kishte rreth 540 mijë mjete që qarkullonin rregullisht, shifër e mbështetur kjo në pagesën e taksës vjetore të qarkullimit. Kjo do të përkthehej në një numër prej rreth 192 automjetesh për 1,000 banorë.
Me këtë shifër, Shqipëria është larg vendeve më pak të motorizuara të BE-së dhe e parafundit në Evropë, duke ia kaluar vetëm Turqia me 150 automjete për 1,000 banorë. Maqedonia e Veriut kishte 205 automjete për 1,000 banorë. Të dhënat për Kosovën janë për vitin 2017 dhe ky tregues për atë vit ishte më pak sesa 100.
Sipas të dhënave të Eurostat, në vitin 2019 Rumania kishte 357 automjete pasagjerësh për 1,000 banorë, e ndjekur nga Letonia me 381 automjete për 1,000 banorë dhe Hungaria me 390 automjete për 1,000 banorë. Në BE, shtete me nivelin më të lartë të motorizimit e ka Luksemburgu me 681 automjete për 1,000 banorë, i ndjekur nga Italia me 663 automjete dhe Qiproja me 645 automjete.
Mercedes Benz, vetura më e preferuar
Markat gjermane mbeten më të preferuara për shqiptarët për automjetet që ata përdorin.
Sipas INSTAT, nga rreth 540 mijë vetura që kishte në vend deri në fund të vitit 2000, rreth 98 mijë ose 18.2 për qind ishin Mercedes Benz duke u renditur të parat. Në vend të dytë është Volkswagen me 91.7 mijë mjete ose 17 për qind e totalit.
Ndërsa mbizotërojnë në rrugë, automjetet Mercedes Benz janë më të vjetrat. Sipas INSTAT, deri në dhjetor 2020, marka Mercedez Benz regjistrohet si marka më e përdorur e automjeteve të regjistruara me vit prodhimi para 2000 dhe viteve 2011-2020. Volkswagen regjistrohet si marka më e përhapur e veturave me vit prodhimi 2000-2010.
Në përgjithësi, makinat që qarkullojnë në vend janë të vjetra ose shumë të vjetra. Sipas INSTAT, 26 për qind e veturave që qarkullojë në vend janë të prodhuara përpara vitit 2000 ose më shumë se 20 vjet të vjetra. Pjesa më e madhe, apo 65 për qind janë prodhim midis viteve 2000-2010, apo më shumë se 10 vjet të vjetra. Vetëm 9 për qind e veturave janë më pak se 10 vjeçare. /Monitor/
Rruga Press