Opinion/Aktualitet

Duke rivizituar të shkuarën e afërt. Ylli Bajraktari, shqiptaro-amerikani i parë në histori me një pozitë stafi kaq të lartë

Nga Ruben Avxhiu

Në fotografi: Shqiptaro-amerikani Ylli Bajraktari, në krah të Zv-Presidentit Mike Pence, gjatë ceremonisë përcjellëse që Presidentit Donald Trump i bëri Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, H.R. McMaster.

Fotografia është zgjedhur nga stacioni i njohur publik i radios NPR për faqen e internetit, ku komentohet libri i ardhshëm i McMasterit për kohën kur shërbeu në Administratën Trump.

Për ata që nuk e dinë, apo mbajnë mend, Ylli Bajraktari shërbeu si Shef i Stafit të Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, H.R. McMaster, duke u bërë shqiptaro-amerikani i parë në histori me një pozitë stafi, kaq të lartë. (Si titullar, postin më të lartë e ka pasur Bardhyl Tirana kur themeloi dhe u vu në krye të agjensisë federale të ndihmave në raste fatkeqësish madhore.)

Suksesi i Yllit dhe vëllait të tij Ylber Bajraktari, i cili ka pasur gjithashtu disa pozita në administratën amerikane, është akoma më i madh kur mëson se erdhën në SHBA si refugjatë lufte nga Kosova në vitin 1999.

Si është përshkruar më parë në gazetën “Illyria”, Ylli Bajraktari sot shërben si President dhe CEO (shef ekzekutiv) i Projektit të Studimeve të Posaçme Konkurruese (SCSP) një institut studimor i themeluar nga Eric Schmidt i famshëm i kompanisë “Google”, që synon të bëjë sot për Inteligjencën Artificiale atë që dikur bëri Henry Kissinger për Armët Bërthamore: hartimin e strategjisë së re kombëtare amerikane përballë këtij fenomeni të ri teknologjik që do të ketë ndikimin e vet të padiskutueshëm edhe në fushat e sigurisë, mbrojtjes, politikës etj.

Një pjesë nga libri i ish-Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare “Në luftë me veten tonë” është botuar nga gazeta “The Wall Street Journal” dhe përqendrohet te përpjekja e McMasterit për të kuptuar fiksimin e Presidentit Trump me diktatorin Vladimir Putin të Rusisë.

Lexo më shumë  Rritja e autoritarizmit të pushtetit në Shqipëri dhe tiktok-u

Ndonëse, me takt, ai u përpoq t’i vinte në dukje rrezikun që vinte nga Kremlini, Presidenti Trump duket se mbeti i bindur që mes tij dhe Putinit kishte një marrëdhënie speciale të vërtetë.

Putini e kishte vënë re efektin e komplimenteve personale dhe nuk ia kursente Presidentit Trump. Ai kishte pasur një sukses të ngjashëm fillimishte edhe me presidentët W Bush dhe Obama.

Megjithë kujdesin e treguar nga McMaster dallimet mes tij dhe Presidentit u bënë të dukshme në publik dhe krijuan konflikt mes tyre. Anëtarët e kabinetit Trump kishin të gjithë agjendat e tyre personale dhe disa prej tyre gjithashtu përpiqeshin të krijonin një hendek mes tij dhe McMasterit.

Kur Putini fitoi zgjedhjet presidenciale me shifra ekstreme, në 2018, pasi kishte vrarë dhe burgosur në vite disa udhëheqës të opozitës, McMaster dhe anëtarë të tjerë të administratës i kërkuan Presidentit Trump që të mos e uronte Putinin për fitoren sepse vetëm sa do të legjitimizonte talljen me demokracinë dhe shtypjen e opozitës që po ndodhte në Rusi.

Trump si Trump e nisi bisedën telefonike pikërisht duke e përgëzuar Putinin për fitoren e arritur. Problemi ishte se në shtypin amerikan doli informacioni se në letrën me të dhëna që i kishin vënë përpara Presidentit Trump për bisedën me Putinin, shkruhej me shkronja të mëdha: “DO NOT CONGRATULATE!” (MOS E PËRGËZO!).

Përkrahësit e Presidentit Trump në media bënë përgjegjës Këshilltarin e Sigurisë McMaster për rrjedhjen e këtij informacioni sekret në median amerikane dhe për të disatën herë kërkuan që ta heqë nga ai post.

Në fund, Trump vendosi që ta zëvendësonte McMasterin me Ambasadorin John Bolton, një nga diplomatët e rrallë amerikanë që kishte folur kundër pavarësisë së Kosovës. (Bolton është fajësuar për propozimin për ndarjen e Kosovës, por ai e ka mohuar se ka pasur lidhje me të dhe nuk ka bërë ndonjë argument në mbështetje të idesë.) Më vonë, Trump do ta shkarkonte edhe Boltonin, Madje ndarja mes tyre do të ishte më konfliktuale dhe Bolton vijoi me botimin e një libri negativ për Presidentin Trump, të cilin Administrata e këtij të fundit u përpoq ta ndalonte.

Lexo më shumë  Mbylle TikTok-un sa të duash, por 14-vjeçarët do rriten sërish mes llumit

Trump dhe McMaster u ndanë me respekt, si dëshmon edhe fotografia e mësipërme. Në shkrimet e mëvonshme McMaster ka përmendur dallimet dhe kritikat e tij për politika e qendrime të Presidentit Trump por nuk e ka sulmuar personalisht se si kanë bërë shumë nga ish-vartësit e tij.

Nga ana tjetër ai ka deklaruar se nëse Trump rizgjidhet president nuk do të punonte më për të. “Po fitoi, i uroj sukses si President, ashtu si do t’i uroja sukses edhe Presidentes Kamala Harris. Por mundësia ime për të shërbyer në një kabinet të Trumpit është sosur”.

Pjesa e zgjedhur nga libri prej gazetës “The Wall Street Journal”, gjithësesi nënvizon se ai mbetet i shqetësuar për ndikimin e madh që Putini ka te ish-Presidenti Trump, një ndikim që sigurisht do të ketë rëndësi të madhe nëse Trump rizgjidhet president në nëntor.

Sa për Ylli Bajraktarin, ai u largua bashkë me Këshilltarin McMaster nga detyra e tij e rëndësishme. Përpara se të angazhohej me SCSP, ai ka shërbyer edhe në Departamentin e Mbrojtjes dhe për punën që ka bërë aty është nderuar me Medaljen për Shërbim të Shquar si Civil, që është edhe nderimi më i lartë që mund t’u bëhet punonjësve të Departamentit të Mbrojtjes që nuk janë ushtarakë.

Rruga Press

YouTube player