BallinaKuriozitete

Duhet të ishin duke u zhdukur nga ndryshimet klimatike, ishujt, në fakt, po zmadhohen

Ishujt e vegjël, me një lartësi minimale nga niveli i detit, që ndodhen në Oqeanin Paqësor, konsiderohen si vendet më të rrezikuara nga ndryshimet klimatike. Por, në dekadën e fundit, shkencëtarët kanë hasur në një fenomen intrigues: disa prej ishujve, në vend që të zvogëlohen, po zmadhohen.

Përfundimi doli pas rezultateve të një studimi, realizuar në ishullin Jeh, pjesë e Ishujve Marshall, një shteti në Paqësor i përbërë nga ishuj koralorë dhe vullkanikë, mes Filipineve dhe Havait. Kërkuesit zbuluan se sipërfaqja tokësore e ishullit ishte rritur me 13% që prej vitit 1943, për shkak të sedimenteve të shkëmbinjve nënujorë.

“Mund të shohësh ishullin teksa rritet, kur shumica e njerëzve dhe modeleve shkencore thonë se duhet të gërryhen”, tha bashkautori i studimit, Murray Ford, nga Universiteti i Okland, në Zelandën e Re.

Studimi është tepër i rëndësishëm në një kohë kur ndryshimet klimatike kanë shkaktuar debate të forta në të gjithë botën, pasi tregon se sipërfaqet tokësore mund të rriten edhe kur rritet niveli i detit.

Një studim, i Shërbimit Gjeologjik Amerikan në vitin 2018, doli në përfundimin se shumë prej ishujve që ngrihen në pak metra mbi nivelin e detit do të bëheshin të pabanueshme brenda mesit të këtij shekulli. Ndërsa vitin e kaluar, presidenti i Bankës Aziatike për Zhvillim, Takehiko Nakao, tha se katër shtete, Ishujt Marshall, Tuvalu, Kiribati dhe Maldivet, ishin më të rrezikuarat nga ndryshimet klimatike.

Por, gjatë dekadës së fundit, një numër studimesh kanë zbuluar se, në fakt, disa prej këtyre ishujve, ishin zmadhuar. Një studim i vitit 2010 tregoi se disa ishuj në Paqësor nuk ishin gërryer. Ndërsa një tjetër studim i vitit 2018 zbuloi se në Oqeanin Indian dhe atë Paqësor, asnjë prej 709 ishujve të përfshirë, nuk kishin humbur tokë.

YouTube player