Sport

DUAM BOTËRORIN! Qazim Laçi: Detajet do bëjnë diferencën në duelin me Serbinë

Në prag të përballjes ndaj Serbisë, dy mesfushorët e Kombëtares, Qazim Laçi e Juljan Shehu folën në konferencë për shtyp. Shehu tha se kjo ndeshje do të jetë decizive për kualifikimin në Botëror, ndërsa Laçi u shpreh se detajet do të jenë ato të cilat do të bëjnë diferencën në duelin ndaj Serbisë.

Kombëtarja shqiptare nis këtë të hënë grumbullimin për ndeshjen ndaj Serbisë këtë të shtunë, në stadiumin e Leskovacit.

Rezultati që do të prodhojë kjo përballje pritet të përcaktojë edhe fatet e kualifkimit për të dyja kombëtaret drejt Botërorit të vitit të ardhshëm, që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë.

Këtë e di mirë edhe mesfushori i Kombëtares shqiptare, Juljan Shehu, i cili në konferencën për shtyp theksoi se kjo ndeshje do të jetë decizive për një biletë drejt Botërorit 2026.

Sinkron Juljan Shehu: Ne jemi të përqendruar për këtë sfidë. Të tjerat nuk na përket ne. Ende nuk kemi folur me lojtarët dhe pavarësisht gjithçkaje, stadiumit, fushës, ne shkojmë për të marrë më të mirën. Për ne është e rëndësishme të marrim 3 pikët. Pavarësisht fushës, pavarësisht stadiumit ne shkojmë atje për të marrë maksimumin.

Ndërsa Qazim Laçi u shpreh se detajet do të jenë ato të cilat do të bëjnë diferencën në duelin ndaj Serbisë.

Sinkron, Laçi: Do ketë shumë emocione kjo ndeshje,por ne si profesionistë duhet të jemi të qetë, të kemi shumë përqëndrim, duhet të shikojmë çdo detaj. Detajet do bëjnë diferencën. Aty do fokusohemi për të marrë 3-pikëshin.

Shqipëria renditet në vendin e dytë të grupit K me 8 pikë, në 5 takime të luajtura. Serbia ndodhet një vend më poshtë me 7 pikë, por me një ndeshje më pak të zhvilluar. Anglia udhëheq e pashqetësuar grupin me 15 pikë të plota.

YouTube player