Dronët “Made in China” fluturojnë mbi Ukrainë – rriten frikërat për bashkëpunimin ushtarak Pekin-Moskë
Rusia ka futur për herë të parë në hapësirën ajrore të Ukrainës një dron të ndërtuar tërësisht me pjesë kineze, duke ngritur shqetësime për thellimin e bashkëpunimit ushtarak mes Pekinit dhe Moskës.
Shërbimi i inteligjencës ukrainase ka zbuluar dy dronë “UAV CBTS.611000”, të cilët janë përdorur si karrem për mbrojtjen ajrore, por gjithashtu mund të mbajnë edhe lëndë shpërthyese deri në 15 kg. Të dy dronët ishin të ndërtuar plotësisht me komponentë kinezë.

Edhe pse presidenti kinez Xi Jinping ka deklaruar vazhdimisht se Kina nuk furnizon me ndihma ushtarake asnjërën palë në luftën e Ukrainës, këto të dhëna tregojnë një realitet tjetër. Komponentët kryesorë të dronëve janë prodhuar nga kompania CUAV Technology në Guangdong, përfshirë sistemet e navigimit, autopilotin, antenat, sensorët e shpejtësisë së ajrit dhe tubat pitot.
CUAV kishte deklaruar në vitin 2022 se do të ndalonte eksportin e produkteve të saj në zonat e konfliktit, por produktet e saj vazhdojnë të gjenden në pajisjet ushtarake ruse. Gjithashtu, dronët e fundit të gjetur përmbanin motorë dhe module ndezjeje elektronike nga Mile Haoxiang Technology, kamera nga Foxeer Technology dhe një modul transmetimi të dhënash – kopje kineze e modelit australian RFD900X – me rreze deri në 40 km.
Inteligjenca ukrainase thekson se ky sistem rrit ndjeshëm kapacitetin zbulues të dronëve rusë. Ndërkohë, Departamenti amerikan i Shtetit konfirmon se rreth 80% e elektronikës së përdorur në dronët rusë vjen nga Kina, ndonëse Pekini mohon çdo furnizim me “armë vdekjeprurëse” dhe deklaron se kontrollon rreptësisht eksportin e produkteve me përdorim të dyfishtë.
Rruga Press

