Bota

Drejt pavarësisë? Republika Sërpska s’do zbatojë më vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës

Vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnje e Hercegovinës nuk do të zbatohen më në territorin e Republikës Sërpska. Ky vendim u miratua nga Asambleja Kombëtare e këtij entiteti gjatë seancës të mbajtur në Banja Llukë më 27 qershor.

Trupi legjislativ miratoi Ligjin për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës në Republikën Sërpska, me 56 vota për nga 65 deputetë të pranishëm, shkruan REL.

Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik – një nga propozuesit e ligjit – gjatë seancës deklaroi se pas miratimit të vendimit për Gjykatën Kushtetuese ai do të ndalojë aktivitetet e Gjykatës dhe Zyrës së Prokurorit të Bosnjës, si dhe të Agjencisë për Hetime dhe Mbrojtje (SIPA) në territorin e këtij entiteti. Sipas tij, ndalesa do të bëhet sepse këto institucione “janë konstituuar në mënyrë jokushtetuese”.

Lexo më shumë  Trumpi ndryshon deklaratën, tani thotë se Rusia ka pushtuar Ukrainën

Dodik, lideri i partisë më të madhe parlamentare, Aleanca e Social Demokratëve të Pavarur (SNSD), paralajmëroi se kjo do të ndodhë nëse nuk ka marrëveshje politike në Bosnje e Hercegovinë për miratimin e Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Bosnjës.

Në mbledhjen e tetë të jashtëzakonshme të Asamblesë, deputetët po diskutojnë për draft-ligjin për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnje e Hercegovinës dhe pas kësaj seance, pritet të mbahet seanca e re për veton e anëtares së Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zheljka Cvijanoviq, lidhur me ratifikimin e marrëveshjes që parasheh heqjen e vizave me Kosovën.

Në draft-ligj thuhet se vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës nuk do të aplikohen dhe zbatohen në territorin e Republikës Sërpska derisa Asambleja Parlamentare e Bosnjës të miratojë Ligjin për Gjykatën Kushtetuese.

Në legjislacion thuhet po ashtu se “personat që janë të detyruar të veprojnë sipas dispozitave të këtij ligji lirohen nga përgjegjësia penale e përcaktuar në ligjet në Bosnje e Hercegovinë lidhur me veprat penale që lidhen me zbatimin e këtij ligji dhe ata do të mbrohen nga institucionet e Republikës Sërpska”.

Lexo më shumë  “The Guardian”: Gjermania në udhëkryq, frikë për kthimin në historinë e errët

Propozuesit e këtij ligji janë Millorad Dodik, deputetët dhe Qeveria e Republikës Sërpska.

Në seancën e 21 qershor, në Asamble u miratuan disa konkluzione, mes tjerash edhe ftesa për përfaqësuesit e entiteteve të tjera që të tërhiqen nga Parlamenti shtetëror derisa nuk miratohet Ligji për Gjykatën Kushtetuese.

Përpjekjet e Republikës Sërpska për të miratuar këtë ligj janë dënuar nga komuniteti ndërkombëtar. Këto përpjekje janë kritikuar nga Zyra e përfaqësuesit të lartë, Zyra e Bashkimit Evropian në Bosnje dhe Ambasada amerikane në Bosnje e Hercegovinë.

Rruga Press

YouTube player