KryesoreLajme

Draft-statuti i Asociacionit për veriun e Kosovës, BE: Nuk i bëjmë publike dokumentet pa u arritur një marrëveshje

Procesi i normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi vijon të jetë në qendër të diskutimeve.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka mohuar kategorikisht mundësinë e publikimit të draft statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Duke iu përgjigjur pyetjes së drejtuar nga RTV Dukagjini, Stano tha se BE asnjëherë nuk do t’i zbulojë dokumentet zyrtare, teksa janë ende duke u diskutuar mes palëve.

“Ne kurrë nuk i zbulojmë dokumentet zyrtare publikisht dhe as nuk marrim pjesë në shkëmbime publike për to, ndërkohë që ato diskutohen”, thuhet në përgjigjen e Stanos.

Zëdhënësi i BE-së ka thënë se të njëjtën gjë e presin edhe nga partnerët, pasi, sipas tij,  është praktikë normale në ndërmjetësimin ndërkombëtar që procesi të zhvillohet në konfidencialitet.

Lexo më shumë  Konjufca priti në takim Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi

“Lidhur me draft-statutin e Asociacionit të Komunave Serbe, mund të kujtojmë vetëm se një propozim i ri i balancuar evropian për themelimin e Asociacionit të Komunave iu paraqit partnerëve përkatës nga EUSR për dialogun e Beogradit në Prishtinë gjatë vizitës së tij në rajon në fund të muajit tetor. Më pas u diskutua me të dyja palët gjatë takimit të liderëve në margjinat e Këshillit Evropian”, thuhet tutje në përgjigje.

Kujtojmë se më 1 dhjetor, u zbardh një pjesë e draft statutit të Asociacionit për veriun e Kosovës. Në të thuhej se objektivi primar i këtij Statuti është të krijojë në Kosovë mundësi për komunitetin serb të Kosovës, të përfitojë nga të drejtat specifike dhe kompetencat komunale tashmë të përfshira në Kushtetutë dhe ligje të tjera në fuqi, por siguron se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive. Asociacioni, sipas këtij drafti, do të angazhohet në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të komunitetit serb të Kosovës në përputhje me Kapitullin III të Kushtetutës.

Lexo më shumë  Nisin punimet për ndërtimin e Parkut Industrial në Drenas

Ndërkohë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se nuk është në dijeni për ndonjë takim të planifikuar gjatë dhjetorit në Bruksel, në mes tij, ndërmjetësuesve dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ndërsa shtoi se “Kosova dëshiron normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, por nuk mund të ketë normalizim pa pasur siguri”.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)

YouTube player