Bota

(Draft dokument) Zbulohet plani për krijimin e “Rusisë së Jugut” në Ukrainë

Një draft-dokument i përgatitur nga zyrtarë të lartë të partisë në pushtet në Rusi, kërkon që të krijohet një shtet i ri, i quajtur “Rusia e Jugut”. Ky shtet, sipas këtij dokumenti, do të përbëhej nga disa rajone të Ukrainës, që janë të pushtuara nga forcat ruse.

Njoftimi për këtë draft-dokument, që është siguruar nga Schemes, një projekt hulumtues i Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë, vjen derisa luftimet në rajonet lindore dhe jugore të Ukrainës vazhdojnë. Forcat ruse atje po zhvillojnë ofensivën nga disa fronte, kundër rezistencës së fortë ukrainase.

Ky propozim, po ashtu, vjen në kohën kur zyrtarët rusë kanë dhënë sinjale se duan të organizojnë referendume në pjesë të rajoneve ukrainase: Donetsk dhe Luhansk. Pjesë të mëdha të këtyre dy rajoneve kanë qenë nën kontrollin e separatistëve pro-rusë për pothuajse tetë vjet. Por, Rusia dëshiron që të mbajë referendum edhe në rajonin tjetër ukrainas, Kherson.

Votimi në këto referendume do të kishte për synim bashkimin e rajoneve të pushtuara me Rusinë, ngjashëm sikurse ka ndodhur në Krime, më 2014.

Vetëm disa ditë para nisjes së pushtimit të Ukrainës, më 24 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, njoftoi se Rusia po njihte rajonet Donetsk dhe Luhansk si shtete të pavarura – një vendim që Kievi dhe shumica e shteteve të botës e kundërshtuan.

Draft-dokumenti që është siguruar nga Schemes, i titulluar “Manifesti i Këshillit Popullor të Rusisë së Jugut”, mban datën e 16 prillit. Aty nuk specifikohet se cilat territore të pushtuara do të përbënin shtetin e ri të “Rusisë së Jugut”.

Lexo më shumë  Shefja e Parlamentit të BE-së: Gjermania duhet t’ia dërgojë Ukrainës raketat Taurus

Por, në këtë manifest deklarohet se Ukraina ka humbur legjitimitetin pas revolucionit të Maidanit më 2013-2014, që kulmoi me rrëzimin e presidentit pro-rus, Viktor Yanukovych, nga pushteti.

Rusia, qe një kohë të gjatë, ka tentuar të argumentojë se protestat në rrugë ishin grushtshtet, dhe se Qeveria ukrainase u mor nën drejtimin e “nazistëve” dhe “banderitëve” – një referencë kjo për liderin nacionalist ukrainas në shekullin 20, Stepan Bandera.

“Në përgjigje të terrorit dhe imponimit totalitar të ideologjisë së nazizmit dhe Banderës nga ish-shteti i Ukrainës, ne, në formë të Këshillit Popullor të Rusisë së Jugut, marrim pushtetin në duart tona dhe krijojmë një shtet të ri, Rusinë e Jugut. Ne njohim gjuhën ruse, por po ashtu edhe dialektin ukrainas, si gjuhë amtare dhe gjuhë të komunikimit ndëretnik, me barazinë e të gjitha gjuhëve dhe kombësive”, thuhet në tekstin e këtij dokumenti.

“Ne po ndërtojmë shtetin tonë mbi bazën e të kuptuarit të lidhjeve historike dhe gjenetike dhe unitetit të kombësisë tripalëshe ruse – ukrainas, bjellorus dhe rus – miqësisë vëllazërore dhe ndihmës reciproke”, thuhet po ashtu në dokument.

Të dhënat nga dokumenti tregojnë se Roman Romanov, një zyrtar i lartë i Partisë Rusia e Bashkuar, është ose autori i dokumentit, ose i përfshirë në krijimin e tij. Rusia e Bashkuar është parti e lidhur me Kremlinin, e cila dominon Parlamentin rus dhe jetën politike të vendit.

Zyrtarët që folën në kushte anonimiteti për Schemes, thanë se dokumenti më pas ka kaluar te këshilltarët e Konstantin Malofeyevit, një biznesmen i pasur dhe me ndikim në Rusi, i cili ka luajtur rol të rëndësishëm në financimin dhe mbështetjen e përpjekjeve separatiste në Luhansk e Donetsk, për vite me radhë.

Lexo më shumë  Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së “po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”

Malofeyev ishte sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian më 2014 për rolin e tij në aneksimin e Krimesë. Ai është paditur në fillim të prillit për shkak të tentimit për t’i shmangur këto sanksione.

Këtij “shteti”, në këtë draft-dokument i referohen me fjalën “Rus”. Ky është emri që përdorej për t’iu referuar territoreve të organizuara nga shekulli 8 deri në 10, që fillimisht kontrolloheshin nga mbretëria në Kiev, derisa pushteti u bart në Moskë. Kjo gjë më pas çoi në krijimin e Rusisë.

As Romanov apo sekretari i përgjithshëm i Rusisë së Bashkuar, Andrei Turchak, nuk ishin të qasshëm për komente. Malofeyev refuzoi të komentonte manifestin, duke thënë se nuk flet me gazetarët.

Portali Meduza raportoi javën e kaluar se Kremlini po shqyrton mundësinë e mbajtjes së dy referendumeve në rajonet Donetsk dhe Luhansk, më 14 dhe 15 maj.

Meduza tha se edhe një referendum tjetër mund të organizohet në Kherson, një rajon në veri të Krimesë, që është pjesërisht i pushtuar nga forcat ruse.

“Fatkeqësisht, ka pasur thashetheme se pushtuesit po përgatisin diçka [në Kherson] në ditët e para të majit”, tha për Radion Evropa e Lirë Hennady Lahuta, shef i administratës ushtarake të këtij rajoni. “Ose një ‘referendum’ apo sido që dëshironi ta quani”.

“Unë mund ta them vetëm këtë: i gjithë rajoni i Khersonit po e pret çlirimin. Është rajon ukrainas. [Rajoni i Khersonit] dëshiron të jetojë në një Ukrainë të bashkuar, paqësore dhe të lavdishme”, tha Lahuta. /REL

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *