Dosja Veliaj/ Altin Basha shembulli si u rekrutuan ata që shitën Teatrin
Kryebashkiaku në bashkëpunim me gruan e tij financuan me 320 mijë euro shoqatën “Bash-Art”
Nga cilido kënd që ta kapësh, dosja Veliaj nxjer në pah skandale të reja. Më të fundit nuk janë ato financiare, as vaniteti i Ajola Xoxës për të shpenzuar 800 mijë euro për fustane, të mbathura dhe sytjena, por mënyra se si paratë publike kanë korruptuar shoqërinë, kanë rektutuar artistë dhe aktorë, kanë shërbyer si zjarrfikës për të shuar kritikën dhe protestën.
Në një shkrim skrupuloz, sa investigues po aq edhe me nota reflektuese, gazetarja Elsa Demo ka përshkruar në “Peisazhe të fjalës” degradimin e skenës artistike përmes fondeve të bashkisë. Përmes shoqatave të Ajola Xoxës, Erion Veliaj ka gjetur mënyrën, të shpërblejë ata që tradhëtuan protestën kundër shembjes të Teatrit Kombëtar, ata që angazhoheshin në fushata elektorale pro tij, ata që bëheshin pjesë e spektaklit të manipuluar për mbjelljen e pemëve. Emrat e Artan Imamit, Marsela Çibukajt, Ardit Gjebresë, Ilir Shaqirit figurojnë në tektin voluminoz.
Por një rast flagrant është ai i ish drejtorit të Teatrit Kombëtar, Altin Basha dhe bashkëshortes së tij, Ilirjana, të cilët kanë përfituar në vetëm 9 projekte, afro 320 mijë euro, pra trefishin e asaj që parashikon buxheti vjetor i gjithë Teatrit Kombëtar, thekson gazetarja Demo.
Në dhjetor të këtij viti, çifti Altin dhe Iliriana Basha ranë pre e emisionit investigativ “Piranjat”, si abuzues të paskrupullt me fondet e shfaqeve të Teatrit Kombëtar. Basha u akuzua se si drejtor i këtij institucioni, në konflikt interesi, kishte punësuar bashkëshorten e tij Iliriana Basha, duke i dhënë dorë të lirë për fondet e një shfaqeje me buxhet 12 milionë lekë, për kostumet dhe skenografinë. Pas këtij skandali ai u detyrua të largohej me turp nga detyra e drejtorit, madje me po aq turp sa sa e mori atë detyrë, në këmbim të tradhëtisë që i bëri protestës kundër shembjes së Teatrit.
Ky regjizor dhe zyrtar i akuzuar si hajdut është steriotipi tipik i njeriut që zgjidhte Erion Veliaj për ti shërbyer propagandës dhe qëllimeve të tij. Në dosjen e gjykatës, që ka zbërthyer gazetarja Elsa Demo tregohen, një për një, përfitimet që ka marrë çifti Basha, përmes shoqatës “Bash-Art”. Aty gjenden detaje edhe për manipulimin e faturave financiare që i shërbenin manipulimeve të Ajola Xoxës, në këmbim të premtimit: ju nuk do të keni kurrë probleme me bashkinë.
Ashtu sikurse duket edhe në tabelën e mëposhtme të nxjerë nga dosja Veliaj, duket qartë se financimet për shoqatën e çiftit Basha, përkojnë me periudhën pas shembjes së Teatrit, ndonëse “Bash-Art” ishte krijuar katër vite më parë.

Mjafton kjo tabelë për të përforcuar dyshimin se Veliaj i bleu me para publike ata që rekrutoi për të tradhëtuar kauzat qytetare, të cilët më pas, i pëedori në mënyrë të paskrupult për interesat e tyre.
Altin Basha u bë një nga simbolet e këtij fenomeni. Dhe kjo u pa në 3 dhjetor 2020 kur ai u emërua në detyrën e drejtorit të Teatrit Eksperimental, në vend të Kiço Londos. Për të arritur deri këtu ai u detyrua të gëlltiste shumë.
Ai u bë një prej tre artistëve, që tradhëtuan kolegët e tyre protestues dhe u takuan me Veliajn, në korrik 2018, në një shoë propagandistik, një ditë përpara se parlamenti të miratonte me urgjencë ligjin special, tashmë të hedhur poshtë, për shembjen e Teatrit Kombëtar.
Ai atëherë u akuzua nga aktorët e tjerë se nuk kishte mandat për një takim të tillë, që i shërbente thjesht interesave politike të ditës. Fotoja e regjisorit së bashku me aktorët Arben Derhemi dhe Alfred Trebicka u bë virale në rrjet.

Ndryshe nga dy të tjerët që patën pakëz cipë dhe refuzuan të flasin publikisht për atë ngjarje, Basha i vuri gjoksin dhe me argumentat e Rilindjes sulmoi protestuesit, duke pretenduar se ata e kishin tradhëtuar atë duke u shndërruar në një lëvizje pro PD-së.
Por, nuk mbaron këtu. Më maj 2020, vetëm një ditë para shembjes së Teatrit Kombëtar, Altin Basha, bashkë me një sërë drejtuesish të institucioneve shtetërore dhe aktorë të Portokallisë, nisën një peticion ku kërkonin shembjen e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e teatrit të ri.
Altin Basha i shërbeu si alibi Erion Veliajt edhe më vonë, kur qeveria dhe bashkia e kuptuan që ishin diskredituar aq shumë sa duhet të hiqnin dorë nga bashkëpunimi me kompaninë private “Fusha SHPK” për aferën e ndërtimit të kullave 200 milionëshe. Atëherë Veliaj shpalli në publik se kishte qenë përfaqësuesi i komunitetit të artistëve që i kishte bërë “Fushës” aq kërkesa të forta, sa ajo kompani që e kishte të mundur të plotësonte tekat e njërit prej arkitektëve më të mirë në botë, Bjarke Ingels, nuk kënaqte dot ekzigjencat e Altin Bashës.
Edhe më i neveritshëm u bë roli i regjisorit që dikur këmbëngulte se teatri nuk duhet të shembej, ditën pasi atij iu vunë minat. Në një intervistë për ‘Report TV’ ai e krahasoi ndërtesën tashmë të shkallmuar, prishjen e së cilës gazeta “Le Monde” e etiketoi si një “akt barbar”, me një “kotec pulash”.
Por, luga me çorbë të prishur që pati gëlltitur nuk do ta ngopte lehtë. Dy vjet pasi e bëri drejtor të Teatrit Eksperimental, partia do ta gradonte në dhjetor 2022, në krye të Teatrit Kombëtar.
Përpos këtyre shpërblimeve, duke evidentuar ato pjesë të dosjes që nxjerrin në pah korruptimin e skenës sonë artistike, gazetarja Elsa Demo po na tregon se përpos posteve publike, çifti Basha u shpërblye edhe me 320 mijë euro për shoqatën e tij, “Bash-Art”. Dhe ky investigim reflektiv për tu duartrokitur është një dëshmi e fortë për të kuptuar, jo vetëm se si u ble dhe u asgjesua protesta e artistëve për mbrojtjen e teatrit, por edhe për të mësuar se ç’shuma kolosale parash i motivojnë të zhgryhen para SPAK-ut ata dordolecë që pretendojnë se mbrojnë një korruptues kalibri si Veliaj. /lapsi.al/
Rruga Press