‘Dosja Uber’/ Dokumentet zbulojnë ndihmën sekrete nga Macroni dhe politikanë të tjerë
Nga BBC Panorama
Mijëra dokumente të bëra publike kanë zbuluar se si kompania e taksive Uber iu ka ofruar favore politikanëve të rëndësishëm dhe se sa larg ka shkuar për t’i shpëtuar drejtësisë.
Dokumentet detajojnë ndihmën e madhe që Uber ka marrë nga liderë të tillë si Emmanuel Macron dhe ish-Komisionerja e BE, Neelie Kroes. Ato tregojnë edhe se si ish-bosi i kompanisë porositi personalisht një ‘kill switch’ (mekanizëm çaktivizimi apo asgjësimi) në rast sekuestrimi të mundshëm të kompjuterëve nga ana e policisë.
Uber thotë se ‘sjellja e së kaluarës nuk ka qenë në linjë me vlerat e sotme’ dhe se tani është ‘një kompani ndryshe’.
Uber Files përfshijnë mbi 124 mijë dokumente, mes tyre 83 mijë email dhe 1 mijë materiale të tjera që përmbajnë biseda, për periudhën nga 2013 deri më 2017.
Dokumentet iu ofruan gazetës britanike The Guardian dhe u ndanë me Konsorciumin Ndërkombëtar të Gazetarëve Investigativë dhe një numër organizatash të medias, përfshirë BBC Panorama.
Ato zbulojnë për herë të parë se si lobimi me 90 milion dollarë në vit dhe përpjekjet në marrëdhëniet publike rekrutuan politikanë miqësorë për të ndihmuar në fushatën për futjen në industrinë e taksive në Evropë.
Kur taksistët francezë bënin protesta të dhunshme në rrugë kundër Uberit, Macron – tani president – ishte në marrëdhënie personale miqësore me bosin polemizues të Uberit, Travis Kalanick, dhe i thoshte se do të reformonte ligjet në favor të firmës.
Metodat agresive të Uberit në biznes ishin gjerësisht të njohura, por dokumentet tregojnë për herë të parë se sa larg ishte gati të shkonte për të arritur qëllimet.
Ato tregojnë se si ish-Komisionerja Dixhitale e BE, Neelie Kroes, një nga zyrtaret më të larta në Bruksel, ishte në bisedime për t’u punësuar nga Uber para përfundimit të mandatit, e pastaj loboi fshehurazi për firmën, potencialisht në shkelje të rregullave të BE për etikën.
Në atë kohë, Uber ishte jo vetëm një nga kompanitë me rritje më të shpejtë në botë, por edhe një ndër më polemizueset, e goditur nga padi gjyqësore, akuza për ngacmime seksuale dhe skandale për nxjerrje të dhënash.
Me sa duket aksionarët nuk mund të duronin më dhe Travis Kalanick u detyrua të largohej më 2017.
Uber thotë se pasuesja e tij, Dara Khosrowshahi, ‘u ngarkua me detyrën e shndërrimit të çdo aspekti të mënyrës së operimit të Uberit’ dhe se ‘ka instaluar kontrolle rigoroze dhe detyrimet e nevojshme për të operuar si kompani publike’.
Ndihma spektakolare nga Macron
Parisi ishte skena e nisjes së Uberit në Evropë dhe aty u ndesh me rezistencë të fortë nga industria e taksive, e cila kulmoi me protestat e dhunshme në rrugë.
Në gusht 2014, një ish-bankier ambicioz me emrin Emmanuel Macron sapo ishte emëruar ministër për ekonominë. Ai e shihte Uberin si burim rritjeje dhe dëshironte fort vende të reja pune, ndaj ishte i gatshëm të ndihmonte.
Atë tetor, ai pati një takim me Kalanick dhe ekzekutivë e lobues të tjerë, çka shënoi fillimin e një periudhe të gjatë – por pak të përfolur – si mbrojtës i interesave të firmës brenda qeverisë.
Lobuesi i Uberit Mark MacGann e përshkroi takimin si ‘spektakolar. S’kam parë kurrë të ngjashëm’.
‘Emmanuel’ and ‘Travis’ shpejt nisën t’i drejtoheshin me emër njëri-tjetrit dhe u takuan të paktën katër herë, siç tregojnë dokumentet, në Paris dhe në konferencën World Economic Forum në Davos të Zvicrës. Vetëm për takimin në Davos është raportuar më parë.
Në një pikë, Uber i shkruante Macronit se ishte ‘jashtëzakonisht mirënjohës’. ‘Hapja dhe mirëpritja që po na ofrohet është e pazakontë në marrëdhëniet qeveri-industri’.
Taksistët francezë u revoltuan veçanërisht pas nisjes së UberPop më 2014 – një shërbim që iu lejonte shoferëve të palicencuar të merrnin pasagjerë, me çmime shumë më të ulëta.
Gjykata dhe parlamenti e ndaluan, por Uber vazhdoi ta mbante gjallë shërbimin pasi e sfidoi ligjin.
Macron nuk mendonte se UberPop kishte të ardhme, por pranoi të punonte me kompaninë për të rishkruar ligjet e Francës për operimin e shërbimeve të tjera të kompanisë.
‘Uber do të ofrojë kornizat e kuadrit rregullator për shërbimin. Do të lidhim skuadrat tona përkatëse për të nisur punën për një propozim të përshtatshëm që mund të bëhet kuadri formal në Francë’, thuhet në një email nga Travis Kalanick për Macron.
Më 25 qershor 2015, protestat u bënë të dhunshme dhe një javë më pas Macron i shkroi Kalanickut me një ofertë për ta ndihmuar.
‘Do t’i mbledh të gjithë javën tjetër për të përgatitur reformën dhe korrigjuar ligjin’.
Po atë ditë, Uber njoftoi pezullimin e UberPop në Francë.
Një zëdhënës i Macronit thotë në një email: ‘Sigurisht që funksionet e tij e bënin të takohet e të ndërvepronte me shumë kompani të angazhuara në ndryshimet e forta që u bënë ato vite në sektorin e shërbimeve, të cilat duhej të mundësoheshin duke sheshuar pengesat rregullatore dhe administrative’.
Rruga Press