Lajme

Dosja Talo Çela: Kush është “Lala”, që komandoi vrasësit me pagesë jashtë burgut

“Po ç’punë kam unë e vllai im? Unë jam pabuks”. Me këto fjalë përbetohej për pafajësi Talo Çela në përpjekje për të ngjallur keqardhje gjatë një interviste, teksa kërruste trupin nga absurditeti i akuzave të policisë, që në fakt, deri atëherë nuk kishte kuptuar asgjë çfarë po ndodhte mes banditëve.

Ishte viti 2020 kur Talo Çela u shfaq në një intervistë, pikërisht në kohën kur kapi kryesimin e listës së personave të shpallur në kërkim për grabitjet e Rinasit dhe disa vrasje të ndodhura në Durrës.

Disa prej shokëve po ia vrisnin. Të tjerët ia kishin arrestuar. Vetë Talo Çelën, policia nuk e gjente dot.

Kur e dëgjon të japë shpjegime përgjatë emisionit Uniko, duket jo vetëm i padëmshëm, por edhe i trembur.

Justifikohet në mënyrë groteske se policia i kishte rënë më qafë kot që në vitin 2016.

“Ue po ky paska qenë në Maqedoni” tregon habinë e policëve, kur kuptuan se e kishin arrestuar gabimisht për grabitjen e një kryetari komune “që bi edhe robin tim me ate”, rrëfen Talo Çela ngjarjen e vitit 2016.

Akuzat qenë të shumta. Por për grabitjen e Rinasit, thotë se ishte në tek berberi. “E pashë në televizor që nodhi grabitja” thoshte Talo Çela, ndërsa mohon njohjen me të gjithë banditët e tjerë që morën me vetë 6.2 milion euro.

Në intervistë, fliste me habi për akuzat që i bëheshin. I mohonte të gjitha. Mohonte vrasjen e trefishtë pranë shtëpisë së tij që e futi në hasmëri me fisin Alibej, mohonte vrasjen e Andi Zylyfit dhe njohjen me disa personazhe të tjerë të botës së krimit.

Mohonte edhe përfshirjen në vrasjen e vëllezërve Haxhia, të cilët e kishin ndihmuar t’i qëndronte larg burgut.

Por rrëfimi i të penduarve Nuredin Dumani dhe Henrik Goxhaj ka zbuluar fytyrën tjetër të këtij personazhi, që prej një jave ka pushtuar ekranet e televizioneve.

Është profili i një monstre. I aftë të organizojë me gjakftohtësi vrasjet. Nuk ndalet edhe kur i duhet të vrasë një nënë, e cila kërkon drejtësi për të birin.

Vrasja e Fatmira Dedes duket një nga krimet më makabër në rrëfimin e banditëve. Të birin ia vranë për shkak të ndarjes së bizneseve. Fatmira Dede nuk u tërhoq, por kërkoi drejtësi. U kërkon me ngulm prokurorëve zbardhjen e vrasjes së Elvisit, ndërsa e drejton gishtin nga Festim Qoli.

Ish-ortaku i djalit të saj nuk rrezikon dot për të dytën herë, ndaj kontrakton vrasës me pagesë. Për Talo Çelën janë ofruar 30 mijë euro. I penduari Nuredin Dumani e përshkruan kështu skenën e krimit.

“Ajo zbriti nga makina pasi parkoi dhe po dilte për punën e saj. Unë po rrotullohesha tek parkimi dhe Talo doli nga makina dhe po priste momentin. Unë pashë që Talo po e godiste me shqelma, ndërsa ajo nuk reagonte. Talo kishte dhe armën me vete po se përdori. Ai përdori thikën më pas për ta eleminuar.

Lexo më shumë  “The Guardian”: Dështimi i marrveshjes Meloni-Rama

Ajo ishte e shtirë pa ndjenja nga goditjet e tij me grushta dhe shqelma ai i drejtoi thikën dhe më duket se e goditi në qafë. Unë nuk mund ta shikoja dot. Kështu donte dhe Festimi që të ndodhte pasi donte të dukej jo si vrasje por si grabitje prandaj u përdor konflikti. Talo më pas i grabiti çantën, nuk e di se çfarë kishte brenda se kam parë. Isha i tensionuar nga gjaku dhe nga vdekja e zonjës” ka rrëfyer Nuredin Dumani.

Ky mund të konsiderohet krimi ku Talo Çela shfaqet si një vrasës i pamëshirshëm që e qëllon viktimën me thika, pasi e ka rrahur me shqelma dhe grushta. Sepse e tillë ishte porosia. Kuptohet pse banditët e tjerë e thërrisnin “Lala”, një pseudonim që tregon për autoritetin që gëzonte mes anëtarëve të bandës.

I penduari, Nuredin Dumani tregon se me Talo Çelën u prish pikërisht për shkak të kësaj epërsie, që kaloi në shpërfillje. Për vrasjen e Andi Zylyfit, Talo Çela ia mori makinën dhe nuk i dha paratë.

“Mbaj mend që ka qenë aksham kur i kam dhënë lekët. Altinin e pyeta për pjesën time, ai më tha për këtë punë merret Lala (Talo Çela)”– ka thënë Dumani ndërsa tregon “ofendimin” që i bëri 51 vjeçari. Nga këtu nis një konflikt që i mori jetën disa prej antarëve të bandës dhe që përfshiu edhe emra të tjerë të njohur të krimit.

I divorcuar dhe baba i një vajze, për ish-banorin e Bradasheshit nuk dihet shumë. Emri i tij skedohet për herë të parë më 21 korrik 2015 për një ndërtim pa leje në fshatin Bradashesh.

Akuzat vijnë seri. Vetëm nga rrëfimi i Nuredin Dumanit i shtohen dy vrasje dhe 6 grabitje me dhunë. Për vjedhjet konsiderohet ekspert. Në këtë pjesë të rrëfimit të Nuredin Dumanit, kur tregon se si i hapte dyert e blinduara:

“Dera ishte e blinduar dhe Talo e hapi atë 3-5 minuta pasi kishte me vete veglat që hapte dyert. Pasi u hap dera u futëm brenda të gjithë vetëm Gon Qafa ngeli jashtë me automatik në dorë. Sapo kemi hyrë brenda kemi parë plakën që po dilte nga tualeti. Plakën e mbylli Talo në tualet dhe filloi të shante. ..”

Apo kur i duhet të godasë një kambist për ta grabitur, siç tregon Dumani… “Talo e goditi me levë në fytyrë, i ra 2 ose 3 here dhe u rrezua në tokë, unë kisha detyrë vetëm të merrja çantën, u mundova ta merrja çantën por se lëshonte, këto më kishin dhënë një thikë hidrauliku dhe u mundova ta prisja rripin e çantës dhe e preva dhe të dora, në këtë moment ai e lëshon çantën dhe largohemi me Talon drejt Audit”.

Lexo më shumë  Nisin punimet për ndërtimin e Parkut Industrial në Drenas

Shpërblimi prej 10 mijë eurosh që ka vendosur policia për të duket qesharak përballë shifrave që qarkullojnë nga 70, 100 ose deri në 200 mijë euro për një vrasje. Nuk është çudi që deri më tani, Talo Çela konsiderohet si një fantazëm për të cilin janë organizuar dhjetëra aksione policie, që kanë përfunduar në hiç.

Pak ditë më parë gazetari Artan Hoxha hodhi një hamendësim: Talo Çela mund të jetë vrarë.

Por Nuredin Dumani, armiku më i ashpër i Talo Çelës nuk e pohon askund në rrëfim vdekjen e kundërshtarit të tij. Vetë Talo Çela fliste shkurt për Nuredin Dumanin.

“Nuredinin e njof si shpi. Këtij i thonë “Luli” për shkurt, po shpinë e ktij e njof komplet, me kalamaj. Përsa i përket Nuredin Dumanit u habita se vllai ktij, Dashi ka shku të Miri për makina me qera, aty ka qenë nusja e ktij Vjola, aty ka qenë çuni i një polici dhe mendoi “është nusja Mirit aty”. I tha Miri “ça do?”, edhe i dha makinë për katër ditë në mënyrë shoqërore nuk i mori lekë” ka rrëfyer Talo Çela në kulmin e konfliktit me Dumanin.

Në gjykatë vazhdon gjyqi për mëkatet e vjetra të Talo Çelës. Avokati u tha gazetarëve se ishte kontaktuar nga i vëllai i vrarë i Talo Çelës, Bujari, ndërkohë që në gjykatë solli një detaj për të mohuar përfshirjen e klientit të tij në grabitjen e Rinasit.

“Nuk kam asnjë kontakt. Vëllai i tij, i cili aktualisht nuk jeton më, më ka caktuar si avokat. Mendoj që nuk ka prova. Sipas meje, nuk ka qenë, nuk ka prova që të ketë qenë në grabitje. Berberi pretendon që ditën e ngjarjes ai ka qenë duke u qethur…”, tha avokati Luan Kaloçi për gazetarët, jashtë sallës së gjyqit.

Për ditë me radhë, portreti i 51-vjeçarit ka mbushur ekranet dhe është një nga personazhet më të frikshëm të krimit në Shqipëri.

Kur u pyet se si po jeton gjatë intervistës së vitit 2020, Talo Çela tregon se një ditë do ta kapin: Si po jetoj unë? Si qen, si qen. Një ditë do të më kapin ato, por unë dua të dalë e vërteta. Tashi nuk dorëzohem dot unë. Unë duhet të isha dorëzu që në fillim, bëra gabim. Tani ça duhet të dorëzohem unë me gjithë këto akuza që më kanë fut ato? /Lapsi.al/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *