Dominim nga fillimi deri në fund nga Ballkani ndaj Astanës në Kazakistan, por vetëm një pikë
Ballkani ka marrë një pikë në udhëtim te Astana në kuadër të rrethit të katërt të fazës së grupeve në Ligën e Konferencës, pasi ndeshja përfundoi pa gola.
Për dallim nga ndeshja e luajtur në “Fadil Vokrri” ku pësuan humbje 2-1, kampioni i Kosovës kishte fytyrë tjetër në Kazakistan, duke dominuar nga fillimi deri në fund.
Qysh në minutën e katërt të ndeshjes, kampioni i Kosovës rrezikoi me anë të Almir Kryeziut, por që goditja e tij ishte e plogësht dhe jashtë porte.
Ballkani vazhdoi me një dominim të lehtë ndaj vendasve, duke kërkuar që të kalonte në epërsi.
Në minutën e 33-të, Kryeziu bëri një goditje që e detyroi portierin e Astanës të intervenonte.
Dy skuadrat shkuan në pushimin mes pjesëve pa treguar ndonjë rast të madh për gol.
Pjesa e dytë ishte edhe më me ritëm, me Ballkanin që kërkon me ngulm golin e fitores, por nuk e arriti.
Në minutën e 50-të, Almir Kryeziu lëshoi një pasim te Nazmi Gripshi, por ky i fundit nuk arriti ta konkretizonte me gol.
Gripshi pati një mundësi të mirë shënimi edhe në minutën e 73-të, por goditja e tij shkoi ngjitur me shtyllën e djathtë.
Rast pas rasti, Gripshi (82’) ishte afër të kalonte Ballkanin në epërsi, mirëpo Josip Condric bëri intervenim fantastik.
Ballkani nuk u ndal së sulmuari deri në minutat e fundit, ndërsa u dashtë të kënaqej me një pikë.
Vikoria Plzen është lider i Grupit C me nëntë pikë, Astana dhe Ballkani me katër dhe Dinamo Zagrebi me tri.
Rruga Press