Do u merren burimet ujore për resortet e oligarkëve/ Banorët e Tragjasit protestojnë për devijimin e ujit, përplasen me policinë
Në orët e para të ditës së sotme në fshatin Tragjas kanë mbërritur IKMT e shoqëruar nga policia dhe FNSH të cilat me mjete të rënda të tipit fadrom kanë ndërhyrë për prishjen e një stacioni të pompave të ujit, i cili shërbente për të furnizuar me ujë bazën e Pasha Limanit. Po ashtu janë prishur dhe disa tubacione të tjera që shërbejnë për furnizimin me ujë të banorëve të fshatit.
Kjo ka bërë që banorët të mblidhen dhe të protestojnë duke kundërshtuar me forcë policinë.
Kujtojmë se para pak ditësh banorët e fshatit Tragjas kanë kundërshtuar duke protestuar që ujin e burimit të këtij fshati ta marrin dhe të furnizojnë zonat e bregdetit te Dhërmiut. Ata kanë kërkuar një konsultim edhe me bashkinë, pasi janë të painformuar për atë që po ndodh. Banorët ishin në pritje të një takimi sqarues, por janë përballur me forcat policore dhe IKMT që ka shkuar në terren për të prishur ndërtesat.
Projekti synon të marrë burimet e ujit të fshatit Tragjas për të furnizuar resortet e bregdetit të Palasës, ndër to edhe Green Coast i oligarkut famëkeq Samir Mane.
Rruga Press