Opinion/Aktualitet

Dita Ndërkombëtare kundër Trafikimit të Qënieve Njerëzore, CRCA /ECPAT Shqipëri: 185 mijë fëmijë në Shqipëri, të rrezikuar nga trafikimi dhe shfrytëzimi

Në Ditën Ndërkombëtare kundër Trafikimit të Qënieve Njerëzore, CRCA/ ECPAT. Shqipëri me anë të kësaj deklarate publike ngre shqetësimin se dështimet e Qeverisë shqiptare dhe komunitetit ndërkombëtar, nxisin trafikimin e fëmijëve dhe qenieve njerëzore nga Shqipëria drejt
vendeve perëndimore.

Pavarësisht se që prej vitit 2001 e deri më sot, Qeveria shqiptare me mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar, kanë zbatuar një sërë masash dhe programesh për parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore, 20 vjet më pas, trafikimi i fëmijëve nga Shqipëria, sidomos për qëllime të shfrytëzimit seksual,për të kryer krime dhe në punë skllavëruese, vazhdon të ndodhë pa u sfiduar nga asgjë.

Raporti mbi Trafikimin e Qënieve Njerëzore të Departamentit Amerikan i vitit 2021, nënvizon se“Trafikantët e qenieve njerëzore shfrytëzojnë viktimat vendase dhe të huaja në Shqipëri, dhe zakonisht i detyrojnë fëmijët të lypin ose të kryejnë lloje të tjera të punës së detyruar, të tilla si shitja e sendeve të vogla.

Trafikantët shfrytëzojnë fëmijët shqiptarë, kryesisht nga komuniteti rom dhe ballkano-egjiptian, për punë sezonale dhe lypje të detyruar. Nga ana tjetër trafikantët shfrytëzojnë fëmijët përmes punës së detyruar në fushat e kanabisit në Shqipëri, dhe disa trafikantë ka të ngjarë të jenë të përfshirë në trafikun e drogës.”

Ndërsa Raporti më i fundit i ECPAT International dhe ECPAT Shqipëri, evidentoi se përgjatë vitit 2019-2020, Shqipëria renditej në vendin e parë për numrin e fëmijëve të pashoqëruar në Itali, me rreth 1393 fëmijë e të mitur. Ministria e Brendshme Britanike raportoi se të paktën 162 fëmijë nga Shqipëria u shfrytëzuan për qëllime seksuale, për vepra penale dhe punë të detyrueshme në vitin 2020.

Lexo më shumë  Fjalimi më antidiplomatik i kryeministrit të Shqipërisë

Ndërkohë që vetëm tre ditë më parë Eurostat raportoi se 12 përqind e fëmijëve që kanë kërkuar azil për herë të parë në një vend të Bashkimit Europian vinin nga Shqipëria, ose ndryshe 5055 fëmijë nën 18 vjec gjatë vitit 2020. Të gjithë këta fëmijë janë të rrezikuar nga trafikimi dhe shfrytëzimi.

Të njëjtën situtë sjell edhe Raporti i vitit 2021, i EUROPOL i cili sjell faktin shqetësues se këtë vit është rritur ndjeshëm trafikimi i fëmijëve nëpërmjet internetit. Raporti përshkruan se “Trafikantët përdorin platforma dhe shërbime online për të identifikuar viktimat, për të orkestruar trafikimin njerëzor për shfrytëzim seksual dhe për të reklamuar shërbimet e viktimave. Përdorimi i faqeve të internetit për të reklamuar shërbimet seksuale të viktimave për klientët është bërë një tipar themelor i këtij lloji të
shfrytëzimit.

Një nga mënyrat më të shpeshta të raportuara për rekrutimin e viktimave për shfrytëzim seksual është metoda “i dashuri”, me shkelësit që i kthehen gjithnjë e më shumë presionit psikologjik në dëm të abuzimit fizik të drejtpërdrejtë.”
Varfëria, mungesa e shpresës, situata politike, përfshi edhe pandeminë, kanë sjellë një shtim të risqeve për trafikimin dhe shfrytëzimin e fëmijëve nga Shqipëria. Bazuar në të dhënat e Bankës Botërore, te paktën 14 përqind e popullsisë në vend jeton në varfëri absolute, ose rreth 414,000 persona, nga të cilët të paktën 185,000 janë fëmijë. Varfëria është një ndër faktorët kryesorë që ushqen trafikimin, kriminalitetin, skllavërinë për punë dhe shfrytëzimin seksual të fëmijëve.

Lexo më shumë  Portret i Le Monde/ Rama, kryeministri tepër mediatik i Shqipërisë

“Mungesa e një programi kombëtar për eleminimin e varfërisë e bën situatën e fëmijëve më të rrezikshme dhe më të pashpresë. Varfëria në Shqipëri nuk është një fenomen i ri, por fakti që për rreth 30 vjet si Qeveria ashtu edhe komuniteti ndërkombëtar nuk e kanë adresuar këtë çështje, tregon se përpjekjet e tyre për të luftuar trafikimin dhe shfrytëzimin e fëmijëve nga Shqipëria kanë dështuar” – tha Altin Hazizaj, Drejtor i CRCA/ECPAT Shqipëri.

Nisur nga kjo situatë, CRCA/ECPAT Shqipëri, i kërkon sot publikisht Qeverisë Shqiptare:

– Krijimin e një programi kombëtar të eleminimit të varfërisë së fëmijëve, duke e kthyer këtë çështje në thelbësore për Qeverinë e re që do të formohet në Shtator 2021;
– Ngritjen e një task-force në nivel kombëtar dhe vendor për eleminimin e trafikimit dhe
shfrytëzimit seksual të fëmijëve;
– Krijimin e një Fondi Kombëtar për Fëmijët, për të financuar ushqimin dhe shërbimet falas për tëgjithë fëmijët që jetojnë nën minimunim jetik të varfërisë në Shqipëri.
Ne nxisim Qeverinë e Shqipërisë si dhe të gjithë deputetet në Kuvendin e ri, që ta kthejnë çështjen e eleminimit të varfërisë së fëmijëve në qendër të të gjitha ndërhyrjeve për katër vitet e ardhshme, duke i kthyer shpresën të gjithë fëmijëve e adoleshentëve, të cilët mendojnë se Shqipëria nuk është një vend miqësor për fëmijët!/CRCA/ECPAT/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *