Dita e 5-të e grevës së urisë/ Banorët e Lumasit ‘mbijetojnë’ me serum. Qeveria vazhdon hesht!
Banorët e Lumasit kanë hyrë sot në ditën e pestë të grevës së urisë dhe nuk pranojnë të dorëzohen pavarësisht se po trajtohen me serum.
Ata u futën në grevë 5 ditë më parë për shkak se thirrjet e tyre për mbrojtjen e burimit të Sinecit nuk u dëgjuan.
‘Besoj se kam forca që të shtyj dhe nja dy ditë’- shprehet qytetari i cili ndodhet i shtrirë me serum.
Pas 3 muajsh proteste kundër ndërhyrjes në zonën e Sinecit, banorët e Lumasit kanë vendosur që të hyjnë në grevë urie. Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura përmes një shkrese zyrtare pak ditë më parë urdhëronte Bashkinë e Kuçovës dhe firmën “Salillari” që të ndërpriste menjëherë punimet në Sinec pasi punimet cenojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë, territorin e shpallur “Monument Natyror”.
Kjo gjë nuk e bëri firmën të ndërpriste punimet, gjë që ka sjellë dhe përplasje me banorët. Banorët, të cilët prej tre muajsh janë përplasur disa herë me policinë, kanë katër kërkesa. Ata duan pezullimin e projektit për ujësjellësin e fshatit Lumas; largimin nga detyra të drejtorit të Policisë Berat; pezullimin e Ardi Velit; si edhe një takim me Kryeministrin Rama.
Rruga Press