Sport

Distria: E lumtur për fillimin e mbarë, shpresoj të vazhdoj në këtë mënyrë

Distria Krasniqi ka konfirmuar se është top-xhudiste botërore edhe në garën e parë të vitit. Të premten, në garën Grand Prix të mbajtur në Portugali, Distria fitoi medaljen e artë. Nuk ishte prej garave më të forta të Turit Botëror të Xhudos, por për xhudisten pejane është një fillim i ri në kategori të re. Dhe një fillim i suksesshëm natyrisht.

Ka disa vjet që Distria Krasniqi i takon elitës botërore të xhudos. Humbjet e saj janë të rralla e fitoret të njëpasnjëshme. Vjet i kishte katër humbje e mbi 20 fitore. Madje humbjet erdhën kur nuk ishte në formën optimale. Udhëtoi në Botëror për të testuar formën para Lojërave Olimpike dhe për shkak të ngarkesës së madhe fizike që kishte në stërvitje, nuk mundi të shfaqë shumë nga potenciali që ka. Ndërkohë në nëntor, pak pas kthimit në procesin stërvitor, bëri testin e parë në kategorinë deri 52 kilogramë, ku po kthehej pas një kohe. Sukseset e mëdha 26-vjeçarja i ka arritur në kategorinë deri 48 kg, ndërsa me garën e së premtes në Portugali ka filluar rrugëtimi i saj i vërtetë në kategorinë e re.

Në Grand Prix të Portugalisë, garën e parë serioze të këtij viti, Distria shënoi katër fitore. Të gjitha fitoret i kishte me Ippon. Në finale bëri hedhje shumë të bukur ndaj një xhudisteje nga Kroacia.

“Jam e lumtur që e kam filluar këtë vit me medalje të artë në kategorinë e re”, ka thënë Distria Krasniqi të shtunën për KOHËN.

“Gara ka shkuar shumë mirë, të gjitha luftërat i kam fituar me Ippon. Kanë qenë disa luftëra të mira, që kanë dëshmuar se kemi punuar mirë në muajt e kaluar”, ka shtuar Krasniqi.

Ka gjasë që pas disa javësh Distria të paraqitet në Grand Slamin e Parisit, garën më të famshme të xhudos. Ndërsa fokusin do ta ketë te Evropiani dhe Botërori i këtij viti. Synim pak më i largët për Distrinë dhe trajnerin e saj, Driton Kuka, është Olimpiada “Parisi 2024”.

“Shpresoj që këtë vit të vazhdoj në këtë mënyrë, me fitore dhe me vend në podium. Jemi duke punuar shumë mirë, tashmë e kam edhe përvojën dhe të shohim se çka do të bëhet. Natyrisht synoj suksesin kulmor në secilën garë ku paraqitem”, ka shtuar Distria Krasniqi.

Për shkak të ndryshimit të kategorisë, ajo aktualisht është e 38-a në ranglistë. Por me 700 pikët që ia sjellë medalja e artë, do të përparojë për më shumë se dhjetë pozita. Me disa medalje rresht ajo pritet të kthehet aty ku e ka vendin në ranglistë, në mesin e më të mirave.

“Ngritja në ranglistë është e rëndësishme për garat e xhudos. Natyrisht se një prej synimeve është ky, të ngritëm në krye të ranglistës, aty ku edhe e kam vendin”, ka thënë Krasniqi.

Rruga Press

YouTube player