Kuriozitete

Disa nga teknologjitë më të frikshme të kohëve moderne

Teknologjia na e bën jetën më të thjeshtë. Mund të dërgojmë mesazhe në anën tjetër të botës sa hap e mbyll sytë, të shohim filmat e preferuar me rezolucion të lartë apo të paguajmë faturat në mënyrë elektronike duke kursyer kohën dhe paratë. Të gjitha këto janë perfekte, por askush nuk mund ta mohojë që është merakosur të paktën një herë në jetë duke menduar se sa të varur po bëhemi nga ky sistem që është kaq i paqëndrueshëm dhe që një ditë mund të zhduket me një trokitje të gishtave.

Duke mos dashur të zhytemi në skenare distopike për të ardhmen e njerëzimit, më poshtë do të gjeni disa teknologji që e kanë ndryshuar tërësisht eksperiencën tonë humane në tokë. Praktikisht, askush nuk mund ta kishte imagjinuar gjysmën e gjërave që ne kemi ose s’kemi në dorë sot.

1 – Lufta kibernetike

Imagjinoni një luftë të drejtuar tërësisht nga një kompjuter. Jo, nuk është fjala për një skenë filmi, por për një sulm të përqendruar kundër infrastrukturës elektronike të një shteti. Dhe çfarë është kjo e fundit? Infrastruktura elektronike e një shteti përfshinë të gjithë shërbimet e emergjencës, sistemin bankar, rrjetin elektrik, ujin dhe rezervat e naftës apo edhe vetë artilerinë mbrojtëse. Një sulm i mirë-strukturuar do të ishte një rrezik i jashtëzakonshëm për një shtet.

Në vitin 2013, drejtuesi i FBI, James Comey parashikoi se sulmet kibernetike do t’ia kalonin shumë shpejt terrorizmit tradicional për t’u kthyer në rrezikun më të madh të sigurisë vendase. Në 2013 Koreja a Jugut akuzoi Korenë e Veriut për sulme kibernetike. Hakerat kanë patur mundësinë të hyjnë në Pentagon. Ndaj si mund të mbrohemi? Duke edukuar masat rreth ekzistencës së viruseve, kuajve trojan, dhe si të mësojnë teknika vetëmbrojtje në aspektin kompjuterik.

 2 – Deshifrimi i ADN-së

Hakerimi, dekriptimi, dekodimi – quajeni si të doni. Prej vitesh shkencëtarët kanë bërë të pamundurën për të deshifruar kodin tonë gjenetik me anë të një fushe të quajtur bioteknologji. Duke zbërthyer materialin tonë biologjik me shpresën se mund të kuptojnë si funksionon ky sistem kaq i komplikuar si trupi dhe truri i njeriut, shkencëtaret po kërkojnë jo vetëm të kuptojnë ADN-në tonë por edhe ta rishkruajnë atë apo të riparojnë qelizat e sëmura. Kështu, ata shpresojnë të gjejnë kurën e kancerit, Alzheimerit apo edhe plakjes!

Skenari i lumtur, i lejon biologët të kthehen në heronj duke na dërguar kura të personalizuar me postë. Skenari tejet i frikshëm, sjell në skenë inxhinierë bioterroristë që na shënjestrojnë deri në nivelin gjenetik. Diçka e tillë nuk është se nuk ka ndodhur. Figura opozitare ruse, Alexei Navalny u sulmua me agjent nervor dhe shpëtoi për mrekulli edhe pse Kremlin nuk e ka pranuar kurrë.

3 – Skanimi i fytyrës

Skaneri i fytyrës apo facial recognition na e ka lehtësuar jetën në shumë aspekte por në të njëjtën mënyrë mund të na kthehet kundër. Kina akuzohet se përdor teknologjinë e skanimit të fytyrës për të survejuar masat si dhe për të profilizuar njerëzit mbi baza raciste. Skanerët kinez nuk kapin vetëm ata që shkelin rregullat e qarkullimit por edhe muslimanët etnik të quajtur Uighur ndaj të cilëve Kina prej kohësh po përdor teknika abuzive si dërgimi në kampe pune apo burgosja. Skanerët e Rusisë skanojnë rrugët për ‘persona me interes’ ndërsa Izraeli gjurmon Palestinezët në Bregun Perëndimor. Aplikimet janë të panumërta dhe bëhen me ose pa dijeninë tonë.

4 – Pluhuri inteligjent

Sistemet mikro-elektromekanike (MEMS), që kanë madhësinë e kokrrizave të kripës, kanë brenda sensorë, mekanizma komunikimi, furnizim autonom me energji elektrike si dhe kamera. Pluhuri inteligjent apo smart dust, ka një mori përdorimesh pozitive në fushën e shëndetësisë apo siguresë por frika dhe shqetësimi se privatësia e qytetarëve të thjesht mund të cenohet nga kjo teknologji vijnë natyrshëm në mendje.

5 – Robotët e Lajmeve të Rreme

GROVER është një robot apo Inteligjencë Artificiale i cili ka aftësinë të shkruaj artikuj të rremë duke u bazuar vetëm në një titull. Këto lloj sistemesh robotike shpesh shkruajnë artikuj më të besueshëm se sa ato të shkruara nga dora e njeriut. Sa larg jemi nga koha kur këto sistemi të inteligjencës artificiale nuk do të mjaftohen me tekstin por do të kenë mundësi të krijojnë video tërësisht realiste të një personi që në fakt është avatar, duke thënë diçka që ai se ka thënë kurrë? Teknologjia po ecën vërtetë me hapa galopante por duhet të mbetemi të ndërgjegjshëm për atë që po ndodh kudo rreth nesh.

6 – Spiunimi i pajisjeve shtëpiake

Pajisjet shtëpiake inteligjente janë tejet të dobishme por fakti që ato janë të lidhura me internetin i bën ato të pambrojtura dhe burime direkte nga ku një haker mund të nisë një sulm kibernetik kundër jush. Pajisjet e asistentëve virtual dëgjojnë çdo fjalë që ju i thoni, apo porosi në mënyrë që të aktivizojnë shërbimin që ju nevojitet, dhe e gjithë kjo është e jashtëzakonshme dhe e pa imagjinuar më parë.

Por bashkë me të mirat që i marrim teknologjisë, po bëhet gjithnjë e më e nevojshme të përgatitemi dhe të mësojmë se si të mbrohemi nga sulme të mundshme.

7 – Tufat e Dronëve

Ushtritë britanike, kineze dhe amerikane janë duke testuar prej kohësh se si mund të krijojnë tufa dronësh të ndërlidhur dhe bashkëpunues që të ndërmarrin operacione ushtarake si një ushtri reale. Të inspiruar nga tufat e insekteve që punojnë në grup, tufat e dronëve mund të revolucionarizojnë konfliktet e të ardhmes.

Ndryshimi midis ‘tufës’ së dronëve dhe mënyrës aktuale se si ushtria i përdor dronët ditët e sotme, është fakti se në momentin e zbarkimit, ‘tufa’ do të punonte si një e vetme, dhe do të organizohej në bazë të situatës së paraqitur dhe qëllimit që i është vënë paraprakisht. Të bërit e dronëve mjaftueshëm inteligjent sa ata të vetë-koordinohen dhe të marrin vendime të pavarura është diçka që nuk mund të mos ngrejë pikëpyetje.

8 – Syzet Google

Google Glasses janë një palë syze optike të teknologjisë së lartë me kamera të instaluara në skelet që e tejkalon edhe idenë më të çmendur të Big Brother. Mbase e ardhmja distopike e survejimit masiv nuk do të jetë një botë e mbushur me kamera në çdo cep por një ushtri qullashësh që mahniten nga ideja se mund të regjistrojnë çdo sekondë të jetës së tyre. Deri këtu, zgjedhjet janë të lira, por paramendoni momentin kur këto syze mund të ndizen në një autobus apo tren urban, apo në një ambient publik apo ne një takim privat. Shumë ndërmarrje në SHBA i kanë ndaluar Syzet Google në ambientet e tyre por teknologji të tilla nuk janë gjithnjë të dukshme. Sistemi mbi të cilin ato janë ndërtuar i bën që të ndizen me një shikim të vetëm dhe të shkrepin një foto me një të shkelur të syrit. Aspak e çuditshme!/euro/

RrugaPress

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *