Opinion/Aktualitet

Dinjitetin dhe nderin e shtëpisë tënde duhet t’i mbrosh vetë

Nga Kim Mehmeti


Nuk mjaftojnë as njëmijë net që të shpalosësh njëmijë arsyet pse duhet ta kritikosh Kryeministrin aktual të Kosovës si dhe, t’i vësh në dukje gjitha dallimet mes opozitarit të deridjeshëm në të dhe të krye qeveritarit të sotëm në të.
Por gjithashtu, nuk të mjaftojnë as njëmijë vite jetë që të mund të zhytesh deri te ato thellësi të ligësisë njerëzore sa ta kuptosh si është e mundur që opozita e sotme e Kosovës të debatojë për atë si ta rrëzojë kryeministrin e vendit, e jo si ta çlirojë Veriun e saj.

Dhe do duhet shumë kohë që të qartësohet veprimi perversë i disa ‘banditëve’ opozitarë të cilët në vend që ambasadave perëndimore t’u ofrojnë të dhëna për bandat serbe që kanë okupuar veriun e Kosovës, ata atyre u ofrojnë argumente shtesë për ‘destruktivitetin’ e Kryeministrit të tyre.

Ku ta dish, ndoshta do mbetet enigmë që kurrë nuk do sqarohet nga e tërë kjo ligësi njerëzore e disa kundërshtarëve të Kryeministrit aktual të Kosovës, të cilët shtiren se nuk e dinë se beteja e tyre kundër kryeqeveritarit të vendit e ndihmon atë që duan të arrijnë bandat serbe: rënien e Kosovës.

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

Siç do mund të mbetet sekret nga e gjithë ajo pafytyrësi e atyre që deri dje e drejtonin Kosovën, e të cilët Veriun e saj ua dorëzuan bandave serbe, pafytyrësi e atyre që sot kërkojnë përgjegjësi nga ai që nuk ia doli ta pastrojë gjithë plehun politik që lanë ndërtuasit e shtetit me pantallona nëpër këmbë, por as nuk i shtoi mbeturinat politike që janë duke e qelbur Kosovën.

Jo vetëm sot, por mbase edhe nesër, shumçëka do mbetet e paqartë, por jo edhe e vërteta se Kryeministri i sotëm i Kosovës edhe nëse nuk ia del të realizojë asgjë nga ajo që premtoi si opozitar, mjafton që arriti t’i dëshmojë popullit të vet se ende ka politikanë që shtetit ia japin vetveten e jo shtetin vetvetes, dhe si të tillë u ka hije kur thonë: mund të gjesh miq që do të mbrojnë nga armiku e që mbase edhe do të ushqejnë, por dinjitetin dhe nderin e shtëpisë tēnde duhet t’i mbrosh vetë.

Pra ai i tha hapur këtij populli se do na mallkojë gjaku i atyre që ranë për këtë vend nëse jargavitemi përpara ambasadave perëndimore sa herë që banditët serb do bërtasin: Erdhëm të ju vrasim!

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

Është thënë dhe duhet përsëritur nga qindra herë në ditë se ne nuk e duam dhunën dhe se neve na është neveritëse era e gjakut njerëzor. Siç duhet thënë se e dimë që luftën kurrë nuk e fiton ai që vret fëmijë dhe nëna të pafajshme, e që më së mirë e dëshmojnë ‘luftëtarët trima’ të popullit serb, të cilët vranë fëmijë e nëna shqiptare, andaj sot i festojnë betejat e humbura.

Ndërkohë çdo shqiptarë duhet ta dijë se shqiptaria i ka borxh Amerikës, andaj ajo ka të drejtë të kërkojë llogari nga ‘borxhlinjtë‘ e saj: nga qeveritë e ‘Shqipërive’ tona. Siç duhet ta dijë se nëse pa ambasadat perëndimore ne jemi të vdekur, atëherë sa na vlen jeta e ‘marrë’ borxh?!

Po pra, të duhen njëmijë e një net që të shpjegosh dallimin mes opozitarit të deridjeshëm e Kryeministër të sotëm të Kosovës, por të mjaftojnë dhjetë sekonda që të dëshmosh se çka e dallon atë nga kundërshtarët e tij politik që deri dje e zhvatën Kosovën: ai ndoshta ka gabuar shumë, por nuk ka vjedhë aspak!

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *