Dimri i tretë në Klos, banorët dalin nga çadrat e mykura dhe rifuten në shtëpitë e dëmtuara
“Nuk dua të jetoj më në çadër, më bëni shtëpi të re”. Eni vetëm 8 vjeç, është më i vogli i familjes Hani. Tërmeti i 26 nëntorit 2019 dëmtoi banesën e tyre, në fshatin Benj të Klosit, duke u shpallur e pabanueshme.
Dimrin e parë, kjo familje me katër fëmijë e kaluan në çadër, por temperaturat ekstreme dhe lagështia, e dëmtuan strehën e tyre të përkohshme. Në pamundësi për t’u larguar nga fshati, ndonëse trajtohen me bonus qiraje u rikthyen në muret e krisura të shtëpisë së vjetër në majë të këtyre kodrave.
“Babai la punët e fshatit për të emigruar për herë të parë në jetë”.
Në çadër tani strehohen rezervat e tyre dimërore.
“Kam futur barin e bagëtive dhe drutë e dimrit”.
Kjo nuk është e vetmja familje që rrezikon të qëndrojë në ndërtesën e dëmtuar më 26 nëntor 2019. Edhe Mersin Hoxha ka dalë nga çadra e ndërkohë që banesa e tij është duke u shembur, thotë se nuk ka rrugë tjetër.
Në fshatin Benj të Klosit, ka dhe familje të tjera që kanë dalë nga çadra dhe janë rikthyer në banesat e dëmtuara për shkak të kushteve, me shpresën se ndonjë fadromë e shtetit po vjen t’u ndërtojë shtëpinë.
Përveç 11 bashkive ku u shpall “Gjendja e Fatkeqësisë Natyrore”, qindra banesa të tjera që u dëmtuan në Klos, Elbasan dhe Vlorë nuk u përfshinë në “Programin e Rindërtimit”.
Kësisoj, pronarët e këtyre banesave nuk mundën të përfitonin dhe as nuk do të përfitojnë grante.
Rruga Press