Dibranët e gjirokastritët më të kujdesshëm për shëndetin, durrsakët-kuksianët më pak
DIBËR/GJIROKASTËR- Viti 2020 i pengoi vizitat fizike në qendrat e shërbimit parësor në vend, prej masave kufizuese nga pandemia e Covid-19, por në disa qarqe qytetarët kanë qenë më aktivë për të kontaktuar me mjekun e familjes se, në disa qarqe të tjera.
Sipas të dhënave të INSTAT, qytetarët e Dibrës kishin numrin më të madh të kontakteve me mjekun. Mesatarisht në vitin 2020 një banor i qarkut kontaktoi mjekun e familjes në shërbimin parësor 3.7 herë. Të dytët për numrin e madh të vizitave ishin qytetarët e Gjirokastrës me 3.5 vizita për banorë. Gjirokastra ka popullsinë më të plakur në vend e për rrjedhojë ka më shumë të sëmurë kronike që kërkojnë shërbime më të shpeshta shëndetësore. Më tej rendin banorët e Lezhës me 3.3 kontakte me mjekun e familjes gjatë vitit.
Në krahun tjetër banorët e Kukësit kishin numrin më të ulët të kontakteve me mjekun e familjes në rang vendi me vetëm 1,9 vizita për banorë më 2020 dhe më tej Durrësi me 2 kontakte për banorë.
Shërbimi i kujdesit shëndetësor parësor është pika e parë e kontaktit të popullsisë për zgjidhjen e problemeve shëndetësore. Institucionet bazë që ofrojnë këto shërbime janë poliklinikat, qendrat shëndetësore, ambulancat dhe shërbimet e veçanta të konsultoreve të fëmijëve dhe të gruas.
Numri më i madh i këtyre institucioneve është përqendruar në qarqet ku dhe popullsia është më e lartë, në Tiranë, Elbasan dhe Fier. Gjatë vitit 2020, numri mesatar i kontakteve të popullsisë në shërbimin parësor në nivel vendi, është 2.6 kontakte për person.
Nga ana tjetër çdo individ mund të ndikojë në mundësitë e tij për të pasur një jetë të gjatë dhe të shëndetshme duke përshtatur zgjedhjet e tij të jetesës, si për shembull, kontrollet mjekësore, aktiviteti fizik, ushqyerja e shëndetshme dhe eliminimi i sjelljeve me risk për shëndetin si: konsumimi i alkoolit, pirja e duhanit, parandalimi i aksidenteve rrugore etj.
Në vitin 2020, në Shqipëri numri i vdekjeve nga të gjitha shkaqet ishte 27.605. Numri i vdekjeve në nivel vendi shënon një rritje me 25,8%, krahasuar me një vit më parë. Në nivel qarku, Lezha dhe Tirana kanë rritjen më të lartë të numrit të vdekjeve, përkatësisht 34,2% dhe 32,3%. Ndërkohë Vlora dhe Dibra ka regjistruar rritjen më të vogël të vdekjeve, përkatësisht 10,6% dhe 9,3%. (MONITOR)